VATIKAN- Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua me Papën Françeskun dhe bëri thirrje për rregullimin e tregjeve financiare për t'iu kundërvënë problemeve që kanë tronditur ekonominë globale.

Merkel bëri një vizitë suprizë vetëm për disa orë në Romë dhe ka folur me Papën privatisht në bibliotekën e tij për 45 minuta.

Duke folur për gazetarët pas takimit ajo tha se me Atin e Shenjtë kishin folur kryesisht rreth globalizimit dhe rolit të Europës në botë.

“Ne jemi duke bërë përparime”, tha Merkel, duke shtuar se “forcimi për të rregulluar tregjet financiare do të jetë një nga objektivat kryesore të samitit të G20 që do të zhvillohet në shtator në Rusi”.

Të enjten papa Françesku kritikoi reformat financiare botërore duke i cilësuar si "diktatura e ekonomisë" dhe theksoi se “kriza ekonomike kishte bërë jetën e keqe për miliona persona në vendet e pasura dhe të varfra”.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)