Kanceri i gjirit Vetëkontrolli që
nga mosha 20 vjeçare

Kanceri i gjirit Vetëkontrolli që <br />nga mosha 20 vjeçare
Interviste me Prof. Shahin Kadare mjek onkolog pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”.
Vetëkontrolli i gjirit është të njohësh gjinjtë e tu, duke i kontrolluar nëpërmjet prekjes me duar. Duke kontrolluar gjinjtë tuaj rregullisht ju do të mësoni se si është pamja normale e tyre. Kjo gjë do t’ju ndihmojë të vini re menjëherë ndonjë ndryshim që mund të ndodhë në gji dhe të shkoni sa më shpejt tek mjeku.

Kur bëhet vetëkontrolli i gjirit?
Vetëkontrolli i gjirit duhet të bëhet duke filluar që nga mosha 20 vjeç pamvarësisht se gjinjtë mund të jenë normal.

Kontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet çdo muaj, mbas kalimit të periodave, ose 3-4 ditë mbas tyre. Kjo sepse gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm, të tendosur, dhe mund t’ju ngatërrojnë. Në periudhën e menopauzës (lënies së periodave), vetëkontrolli i gjirit bëhet ditën e parë të çdo muaji. Kjo bëhet me qëllim që ju ta keni më të lehtë për t’u kujtuar.

Si bëhet vetë-kontrolli i gjirit?
Vetëkontrollin e gjinjve ju mund ta bëni kur jeni duke bërë dush, kur jeni duke ndenjur shtrirë apo duke qëndruar para pasqyrës.

Jo të gjitha gjendrat që mund të dalin në gji janë kancer, por megjithatë pa frikë apo ankth, drejtohuni sa më shpejt të jetë e mundur tek mjeku nëse vini re ndonjë ndryshim jo normal tek gjinjtë tuaj. Vetëm mjeku mund të bëjë dallimin.
Vetë-kontrolli i gjirit zgjat vetëm pak minuta, nuk kushton fare por ju mbron jetën!
Vetkontrolli i gjirit është vetëm një pjesë e kujdesit për gjirin. Ka edhe mënyra të tjera të cilat kapin në faza shumë të hershme kancerin e gjirit siç është mamografia.

Çfarë është Mamografia?
Mamografia është një lloj radiografie e gjirit. Mamografia e kap kancerin e gjirit shumë herët, atëhere kur ndryshimet nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë. Mamografia mund ta dallojë kancerin e gjirit rreth 2 vjet para shfaqjes së shenjave.

Të gjitha gratë duhet ta bëjnë mamografinë?
Të gjitha gratë nga mosha 35-40 vjeç e lart, duhet të bëjnë mamografinë çdo 1-3 vjet. Rreziqet për kancer të gjirit rriten me rritjen e moshës. Megjithatë, pamvarsisht nga mosha juaj, nëse keni ndonjë shqetësim në gji, paraqituni menjëherë tek mjeku. Ai do t’ju sqarojë ju se çfarë duhet të bëni dhe sa herë duhet ta bëni mamografinë.

Kur duhet bërë mamografia?
Mamografia mund të bëhet në çdo kohë, por është mirë që femrat në moshën riprodhuese ta kryejnë mammografinë në fund të periodave. Mamografia nuk duhet të kryhet sidomos në tre muajt e parë të barrës. Në periudhën e menopauzës kryhet në çdo moment.

A duhet të bëj ndonjë përgatitje përpara mamografisë?
Jo. Vetëm nuk duhet të përdorni deodorant, pudër, ose të lyheni me ndonjë solucion tjetër trupor, ditën që ju do të shkoni për të bërë mamografinë sepse kjo ndikon në rezultatin e saj.
Ju duhet të zhvisheni nga mesi e lart kështu që është mirë të vishni rroba të veçuara, bluza me fund ose pantallona.

A është e dhimbshme mamografia?

Disa gra ndjejnë një shtypje dhe dhimbje të lehtë të gjinjëve gjatë mamografisë. Për pjesën më të madhe kjo është e durueshme. Disa prej tyre pijnë kokrra që përdoren për dhimbje koke, 1 orë përpara mamografisë, e cila lehtëson dhimbjen.
Një mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë, është të mos shkoni për të bërë mamografinë 1 javë para ose gjatë periodave mbasi në këtë periudhë gjinjtë janë të tendosur dhe të dhimbshëm. Planifikoni një periudhë tjetër për të bërë mamografinë.

Cilat janë të mirat e mamografisë?
Shumë lloje kanceri gjiri janë kapur në faza të hershme kur ka akoma shanse për tu trajtuar me sukses.
Gati gjysma e kancereve të gjirit që arrijnë të kapen nga mamografia janë akoma të vegjël dhe mund të hiqen lehtë, pa hequr gjithë gjirin dhe pa lënë shenjë.
Mamografia shpëton gati 1400 jetë grash të cilat vdesin çdo vit nga kanceri i gjirit.
Megjithëse jo të gjitha kanceret që kapen nga mamografia janë të kurueshme, më teper se 95% e grave janë gjallë dhe mirë edhe për shumë vjet mbas kapjes dhe mjekimit të kancerit

Sa shpesh duhet bërë mamografia?
Kjo varet nga mosha që ju keni. Megjithatë, mamografia rekomandohet të bëhet një herë në 1-3 vjet sidomos për moshat mbi 35-40 vjeç e lart. Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë madje edhe nga një mamografii tek tjetra. Kështu që mamografia duhet të bërë rregullisht. Bazuar në rezultatet e mamografisë së parë ju mund ta përsërini atë, nësë mjeku ju a kërkon këtë. Mamografia nuk duhet bërë vetëm 1 herë në jetë, por në mënyrë të vazhdueshme çdo 1-3 vjet dhe për gjatë gjithë jetës!

Ku duhet të shkoj për të bërë mamografi?

Kudo ku ka aparat mamografie. Pranë poliklinikave të qyteteve Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Vlorë janë vendosur aparate mamografie ku ju mund të shkoni për të bërë mamografi. Por ka edhe mjaft klinika private që ofrojnë këtë shërbim.

Po Ekografia e gjirit çfarë është?
Ekografia e gjirit është një lloj tjetër kontrolli i gjirit që kryet nga mjeku radiolog/onkolog.
(gm/Shqiptarja.com)
(Intervista u botua në suplementin Almedicus të gazetës Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shkarkimi i Allegrit, Juventus ofertë për Thiago Mottën! Epokë e re mes lamtumirash dhe rinovimesh

Shkarkimi i Allegrit, Juventus ofertë për Thiago Mottën! Epokë e re mes lamtumirash dhe rinovimesh