Kanceri i Gjirit zë vendin e parë
të vdekshmërisë te femrat

Kanceri i Gjirit zë vendin e parë <br />të vdekshmërisë te femrat
Kanceri i gjirit është një nga llojet më të shpeshta të kancereve tek gratë, sidomos tek ato mbi 35 vjeç. Çdo vit rreth 185.000 gra në Evropë preken nga Kanceri i Gjirit dhe rreth 44.000 vdesin për shkak të kësaj sëmundjeje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në çdo 9 gra, njera do të sëmuret prej Kancerit të Gjirit.
Në Shqipëri Kanceri i Gjirit është kanceri që haset me shpesh dhe zë vendin e parë në shkaqet e vdekjeve tek femrat. Në Shqipëri prej kancerit të gjirit preken rreth 350-400 gra çdo vit.

GJIRI është një gjender dhjamore me nje funksion specifik: prodhimin e qumështit. Ajo është një gjendër çifte e cila ndahet në disa njësi të quajtura lobe. Këto të fundit ndahen në njësi akoma më të vogla të quajtura lobule të cilat përmbajnë gjëndrat prodhuese të qumështit. Pas lindjes së fëmijës, qumështi rrjedh nga lobulet nëpër disa kanale të hollë të quajtur duktuj, për të përfunduar në thith. Hapsira ndërmjet duktujve dhe lobuleve mbushet me ind dhjamor dhe fibroz.
Gjithashtu, gjiri përmban shumë enë limfatike, të cilat grumbullohen në disa njësi indore të vogla dhe rrumbullake të quajtura nyje limfatike.
Këto grumbuj nyjesh limfatike mund t’i gjejmë të pozicionuara poshtë krahut (në aksilë), mbrapa kraharorit dhe poshtë kockës së klavikulës.
Kanceri fillon nga qeliza, elementi kryesor që formon indet e më tej organet. Qelizat normale rriten e më vonë ndahen për të prodhuar qeliza të reja për të përmbushur nevojat e organizmit.Kur qelizat e vjetra vdesin, të rejat zënë vendin e tyre, e kështu me rradhë. Ndonjëherë, ky proçes mund të shkoj keq. Trupi prodhon qeliza të reja edhe pse nuk ka nevojë për to. Kjo masë qelizash të reja e mbiprodhuar përbën atë masë indore të quajtur tumor apo kancer.

Tumoret e gjirit ndahen në 2 grupe:
1-Tumore beninje
§ rrallëherë janë kërcënues për jetën.
§ mund të hiqen dhe në përgjithësi nuk përsëriten
§ nuk invadojnë indet përreth tyre
§ nuk përhapen në pjesë të tjera të trupit.

2- Tumore malinje
-janë kërcënues për jetën
-shpesh mund të hiqen, por rishfaqen
-mund të invadojnë dhe dëmtojnë indet dhe organet përreth (siç është kafazi i kraharorit)
-kanë aftësinë të përhapen në organë të tjera të trupit.
Qelizat e kancerit të gjirit mund të përhapen duke u shkëputur nga tumori parësor. Ato hyjnë në enët e gjakut ose ato limfatike dhe përhapen në të gjithë trupin. Përhapja e qelizave kanceroze quhet metastaze.

Kush mund të preket nga Kanceri i Gjirit?
Nga Kanceri i Gjirit mund të preket çdo grua. Ju duhet të jeni edhe më të kujdesshme në kontrollin e gjirit nëse:

§ Nëna, motra apo gjyshja juaj kanë patur Kancer të Gjirit
§ Jeni mbi 40 vjeç, sepse rreziku rritet bashkë me moshën
§ Periodat ju kanë filluar para moshës 12 vjeç
§ Periodat ju kanë ndaluar pas moshës 50 vjeç
§ Nuk keni lindur kurrë fëmijë
§ Keni lindur fëmijën e parë mbi 30 vjeç
§ Jeni mbipeshë
§ Pini tepër duhan dhe alkol
Kryeni aktivitet të pakët fizik
Por në ditët tona, kanceri i gjirit mund të kurohet në pjesën më të madhe të rasteve, mjafton të diagnostikohet në kohë. Kanceri i gjirit mund të mjekohet me sukses nëse ju e zbuloni sa më shpejt atë. Nëse ndryshimet që ndodhin në gjinjtë tuaj kapen në fillim, ky është një shans shumë i mirë për ju, për një mjekim të suksesshëm.

Si mund të zbulohet shpejt Kanceri i Gjirit?
Janë disa mënyra për të zbuluar kancerin e gjirit:
§ Vetëkontrolli mujor i gjirit
§ Kontrolli i gjirit tek mjeku
§ Mamografia
§ Ekografia e gjirit
(gm/Shqiptarja.com)

(Shkrimi u botua në suplementin Almedicus të gazetës Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)