Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Evis Sala ishte e pranishme në forumin “Kontrolli i Kancereve në Shqipëri: Parandalim, Depistim dhe Kujdes ndaj pacientit”.

Gjatë fjalës së saj, Sala u shpreh se duhet avancuar hap pas hapi, në mënyrë që Shqipëria të realizojë transformimin që ka nevojë në fushën e onkologjisë.

Sipas Salës, kanceri është sfidë e përbashkët e shoqërisë dhe kërkon qasje multidimensionale e të mirëkoordinuar.

Ndër të tjera, ministrja deklaroi se po punohet për ngritjen e një ekosistemi me disa elementë thelbësore, si depistimi e parandalimi apo dhe krijimi i Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe i Rrjetit Kombëtar të Kancerit.

Gjthashtu, në këtë ekosistem do përfshihet plotësimi i mungesave të barnave onkologjike dhe zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme, si dhe përmirësimi i kapaciteteve të trajtimit me radioterapi. 

Fjala e ministres Sala

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një moment i veçantë për mua të jem mes jush në kuadër të Ditës Botërore të Kancerit, jo vetëm si Ministre e Shëndetësisë, por dhe si mjeke e imazherisë onkologjike. Për shumë vite, si dhe ju, kam qenë pranë pacienteve në momentet më të vështira të jetës së tyre, por në mjaft raste, edhe ato më të bukurat, kur beteja është fituar. Janë pikërisht këto momente që na japin energjinë për të ecur përpara me përkushtim, dedikim e këmbëngulje, për të avancuar hap pas hapi në mënyrë që së bashku të realizojmë transformimin që Shqipëria ka nevojë në fushën e onkologjisë.

Kanceri është një sfidë e përbashkët e gjithë shoqërisë dhe, si i tillë, kërkon një qasje multidimensionale, por të mirë-koordinuar. Po punojmë për ngritjen e një ekosistemi që përfshin disa elemente thelbësore:

1 Depistimi e parandalimi, një shembull i mirë këtu është kanceri i qafës së mitrës, ku këtë vit kemi zgjeruar fashën e depistimit nga 40-50 vjeç në 35-55 vjeç, si dhe kemi filluar vaksinimin kundër HPV për vajzat dhe djemtë.

2 Krijimi i Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe i Rrjetit Kombëtar të Kancerit.

 Kjo do të sjellë disa risi:

a) - Ngritjen e një Institucioni Kërkimor-Shkencor sipas modeleve europiane. Gjatë këtyre muajve (jo më larg se dje në INT Milano) kam takuar mjekë shqiptarë të rinj që punojnë në institucione europiane të ekselencës dhe kanë dëshirën për të kontribuar në këtë reformë historike. Madje disa janë bërë pjesë e grupeve të ndryshme të punës dhe së bashku me mjekët shumë të mirë që kemi në Shqipëri po punojmë intensivisht për të çuar përpara këtë projekt të rëndësishëm. Për fat të mirë, aseti ynë kryesor është kapitali njerëzor.

b) - Rrjeti Kombëtar i Kancerit do të mundësojë ofrimin e shërbimit onkologjik afër pacientit, me të njëjtat protokolle trajtimi si në Tiranë, nëpërmjet një modeli Hub and Spoke.

3 Plotësimi i mungesave të barnave onkologjike dhe zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme. 

Nëpërmjet një procesi transparent e rigoroz, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, kemi arritur të ekonomizojmë koston e barnave, përfshi ato të rimbursueshme. Kjo na mundëson zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme, mbi të gjitha ato onkologjike, duke ruajtur cilësinë e barnave.

4 Përmirësimin e kapaciteteve të trajtimit me radioterapi. 

Kjo ka qenë një problematikë e vazhdueshme e shërbimit onkologjik. Falë një bashkëpunimi të shkëlqyer me Agjencinë Atomike, shumë shpejt do të kemi 3 acceleratore lineare funksionale dhe sigurisht po punojmë të sjellim aparatin e ri modern të brakiterapisë sa më shpejt.

Dua të përfundoj duke falenderuar të gjithë ata që kanë punuar intensivisht për të vendosur në jetë këtë reformë të rëndësishme në fushën e Onkologjisë. Forca lëvizëse e reformave thelbësore është puna në skuadër, me një fokus të qartë: pacienti në qendër.

Faleminderit!