Kampionia shqiptare e atletikës, Luiza Gega i ka dalë kundër Izmir Smajlajt, duke e sulmuar këtë të fundit në prag të Asamblesë Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Atletikës, ku përballë Taulant Stërmasit (kreut aktual të FSHA) do jetë pikërisht Smajlaj.
Gega thotë se “ata që u dënuan nga Federata Botërore për manipulim ende vazhdojnë të njollosin çdo pikë drejtësie me manipulimin e tyre të ndyrë”.
Gega sjell në vëmendje se si para dy vitesh, Federata Shqiptare e Atletikës u dënua për manipulim për pesë vite nga çdo aktivitet sportiv dhe madje nuk u lejohej as të afroheshin tek stadiumet si dhe u dënuan ish presidenti dhe njëkohësisht trajneri i Izmir Smajlaj, Gjergj Ruli, sekretari Nikolin Dionisi dhe sportisti Izmir Smajlaj për manipulim rezultati të një aktiviteti që u zhvillua në Tiranë, si shumë e shumë rezultate të tjera që ka manipuluar ndër vite sipas Gegës.
"Sportisti Izmir Smajlaj e fitoi gjyqin me pretendimin që nuk ishte në dijeni për manipulimet që bëheshin (ku për fat të keq ne të gjithë e dinim, sigurisht edhe Izmiri). Më dhemb kjo pjesë sepse kam investuar gjithë jetën time për të bërë diçka të mirë për vendin tim dhe mënyra se si duan ta shkatërrojnë është e frikshme.
Kjo është dhe arsyeja pse të gjitha normat olimpike rekordet i kam në pistat më të mëdha botërore që të mos isha kurrë pjesë e këtyre lojërave të ndyra", janë disa nga fjalët e Gegës.
Gega shton se ''Federata Botërore e Atletikës dënoi përveç individëve edhe federatën ku për një kohë të pa caktuar nuk do t’i njihte asnjë rezultat që bëhej në Shqipëri në qoftë se nuk do të plotësonin të gjitha kriteret e një loje të pastër dhe të ndershme."
Më tej kampionia e atletikës thotë se nuk ka folur kurrë për këtë ngjarje, pasi nuk donte të dukej si një sulm ndaj Izmirit edhe pse “këto skandale kurrë nuk duhet lejuar të kalojnë në heshtje”.
Gega tregon një detaj se ishte ajo që iu lut Stërmasit që të merrte në dorë federatën dhe pasi u zhvillua një asamble e jashtëzakonshme, ku edhe pse, sipas Gegës iu bë presion klubeve që të mos e votonin, përsëri arriti të fitojë.
“Edhe pse Taulant Stërmasi fitoi me shumicë votash, Gjykata nuk e njohu si President sepse që në vitin 2010 presidenti i mëparshëm nuk kishte dërguar asnjë asamble në Gjykatë dhe për këtë arsye nuk njihej asnjë veprim. Që zgjedhjet të jenë të vlefshme duhet të shkojmë në vitin 2010 dhe të votojnë ato anëtare që kanë marr pjesë në këtë asamble. Pra për më shume se 14 vite federata ka qenë totalisht e paligjshme vetëm që presidenti të kishte mandat të përjetshëm sepse statuti i njeh vetëm 2 mandate dhe me dy mandate ai nuk e mbante dot ndryshe përjetë federatën”, shkruan Gega.
Gega sulmon direkt Smajlajn. “Deri në këtë moment nuk ka asgjë të keqe sepse çdokush ka të drejtë të kandidojë edhe pse unë kam rezervat e mia duke qenë që të marrësh përsipër një federatë duhet të dish diçka më tepër se sa thjesht të vraposh apo të kërcesh”.
Gega shkruan se grupi i punës së kësaj Federate të dënuar ka dërguar e-mail që Taulant Stërmasi mos lejohet të marrë pjesë në zgjedhje.
"Ky grupi punës ka pranuar disa shoqata që s’kanë qenë kurrë anëtarë, s’kanë marrë pjesë kurrë në asnjë aktivitet që ka zhvilluar federata. Për më tepër gjykata e përcakton se kë anëtar njeh në këto zgjedhje dhe citon te gjitha klubet. Kjo bëhet si e si të merret fitorja në tavolinë.
Në të gjithë kishim dijeni për shumë gjëra që do të ndodhnin, presionet që ju bëhen klubeve dhe nga ombrella më e lartë e sportit sepse për fat të keq Shqipëria jonë është shumë e vogël dhe çdo gjë dihet si ndodh, kur ndodh, nga kush ndodh. Vazhdojnë me pafytyrësinë më të madhe të mundohen në të gjitha format mos të lënë asnjë njeri që e do këtë vend të punojë dhe të bëj diçka të mirë", shkruan Gega në reagimin e gjatë në kanalet e komunikimit.
dihet oj luize qe rezultati rekorde ne se gjati ne shkoder e trehapsh ne elbasan me protagonist kryemashtruesin gjergj ruli qe i confirmonte jane koke e kembe i fallsifikuar prandaj edhe te dy keta mashtrues te radhes sportist e tranier do ishte mire te skanohej nga spaku , sepse ne menyre dhelperake po kerkon te penetroje ne fsha me ne nje kohe qe ai duhej te perjashtohej perjete nga sporti duke genjyer iaaf per vite me radhe .
Përgjigju