Kandidatëve të Partisë Socialiste të Durrësit iu është organizuar një pritje nga banorët e Njësisë Administrative të Sukthit. Duke i falënderuar për praninë dhe entuziazmin e tyre, kandidati Jurgis Çyrbja tha se vota për PS është votë për punë më të mira.
“Arsyeja pse duhet të votojmë Partinë Socialiste dhe Edi Ramën në 25 prill është se Rama kryeministër di të bëjë punë më të mira, di të bëjë shkolla më të mira, di të bëjë spitale më të mirë, di të ofrojë shërbime më të mira. Prandaj ne kërkojmë nga të gjithë ju që të shkoni në qendrat e votimit dhe të votoni PS në 25 prill”, tha ajo.
Njësia administrative e Sukthit ka përfituar 4 shkolla të reja nga procesi i rindërtimit pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
“Kemi 4 shkolla në proces rindërtimi, ky dy prej tyre, shkolla e Perlatit dhe shkolla “Njazi Mastori”, kanë përfunduar. Së shpejti mbarojnë edhe shkollat “Ismet Nanushi” dhe “Dhosi Liperi”, tha kryetarja e bashkisë Durrës Emiriana Sako.
Sako shtoi se edhe në Hamallaj kemi hapur shkollën e re e cila është një shkollë me e mirë për fëmijët e këtij fshati me kushte bashkëkohore. Në lidhje me procesin e rindërtimit, 300 familje të Sukthit marrin bonusin e qirasë, ndërsa 1000 të tjera kanë përfituar grantet e rindërtimit DS1, DS2 dhe DS3.