Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit për kalimin e çështjes në gjykim dhe çdo veprim pasues.

Në dokumentin 60 faqësh, përmes avokatit të tij Plarent Ndreca, Veliaj pretendon se procesi në seancën paraprake është zhvilluar në shkelje të rëndë të të drejtave themelore, duke përfshirë mungesën e njohjes me aktet, cenimin e prezumimit të pafajësisë dhe trajtimin në kushte që dëmtojnë dinjitetin njerëzor.

Pikërisht këto pretendime u bënë objekt diskutimi në emisionin “Studio Live”, ku politologu Alban Daci dhe avokati Endri Çela analizuan çështjen nga dy këndvështrime të ndryshme: njëri i fokusuar te praktika e procesit, tjetri te korniza ligjore dhe kushtetuese.

Të dy ngritën dyshime konkrete për dy elementë: dosjen me dhjetëra mijëra faqe dhe faktin që vendimi për kalimin në gjykim nuk ankimohet dhe të dy ranë dakord që këto dy elementë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në pasjen e një procesi të drejtë.

Sipas Alban Dacit, procesi duhet të jetë i drejtë dhe që të jetë i tillë, Veliaj duhet të ketë kohën e mjaftueshme. Sipas tij debati nuk duhet parë vetëm në planin teorik të të drejtave, por nëse ato janë realisht të zbatueshme. Ai thekson se një nga elementët kyç të procesit të drejtë është balanca mes palëve dhe mundësia reale për mbrojtje.

“Faktorët që garantojnë një proces të drejtë janë: barazia mes palëve në kushte dhe rrethana, pala e akuzuar duhet të jetë e informuar mbi akuzën e ngritur dhe të ketë mundësi të marrë në pyetje personat e përfshirë në akuzë, që procesi të mos jetë i gjatë sepse një gjë e tillë kthehet në padrejtësi. Ajo që kam vënë re është se materialet në dispozicion për akuzën ndaj Veliajt janë 60,000 faqe" tha ai

Në analizën e tij, problemi nuk është thjesht madhësia e dosjes, por pasojat që kjo sjell në praktikë sepse sipas Dacit, një mbrojtje që nuk arrin të përpunojë provat, nuk është më efektive.

Ai e ilustroi këtë me një krahasim konkret nga Italia dhe ngriti një pyetje që prek drejtpërdrejt realitetin e sistemit shqiptar.

“Më thoni mua sa avokat duhet të ketë një i pandehur që të njihet vetëm me materialin në 50,000 faqe. Unë nuk dua të këshilloj SPAK në punën e tij dhe as nuk dua të hyj në detaje si duhen ngritur akuzat, por unë mendoj që duhet të ketë më shumë fleksibilitet dhe ndjeshmëri në ngritjen e një akuze. Nuk besoj se janë të domosdoshme 50,000 faqe për të ngritur një akuzë. Duke pasur 60,000 faqe do të kemi një proces të gjatë dhe për pasojë në masën ekstreme, të paktën në Itali sjell dënimin me burg. Në Itali, reforma e 2023 kishte për qëllim përshpejtimin e proceseve dhe për të forcuar gjykatësin e hetimeve paraprake. Çfarë do të thotë kjo? Shumë vepra penale të cilat mund të zgjidhen me dënime alternative apo marrëveshje, dhe nuk kalojnë në gjykata, sepse zgjidhen me marrëveshje. Nuk ka avokat që mund të lexojë 60,000 faqe. Po në rastet e një të pandehuri që ska mundësi financiare si i bëhet. Kushdo që të jetë, Veliaj apo jo, ka të drejtën për të pasur një proces të drejtë” tha Daci. 

Për juristin Endri Çela, një person nuk duhet dënuar vetëm nga emri

“Është themelore dhe thelbësore që çdo person të ketë kohën dhe hapësirën e nevojshme për të bërë një mbrojtje efektive. Ne nuk duhet ta dënojmë një person vetëm nga emri. Ne duhet ta dënojmë personin nëse provohet që ai ka kryer veprën penale. Si do ta mbroja unë Veliajn? Unë i këshilloj klientët që të merremi me thelbin me faktin penal, ka ndodhur apo jo. Në momentin që kemi provueshmëri të mos ndodhjes së faktit penal, ky është thelbi i çështjes” tha Cela.

Daci nga ana tjetër nënvizoi rëndësinë e një arsyetimi të qartë dhe të ezauruar nga ana e Gjykatës Kushtetuese që do të shuante një herë e përgjithmonë çdo përplasje narrativash.

“Numri I madh i vendimeve apo proceseve që ka pasur kjo gjykatë kohët e fundit lidhet me paqartësinë e kodifikimit të normave juridike apo ligjeve. Kjo ka të bëjë qoftë me Kodin Penal qoftë me Kodin e Procedurës Penale dhe në disa raste të vete Kushtetutës që ka nene dualiste. Unë mendoj që për shkak edhe të rëndësisë q ëka procesi ndaj Veliajt që është kryebashkiak në detyrë, do e bëntë të domosdoshme  që arsyetimi I Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë aq i plotë dhe i ezauruar sa të sqarojë njëherë e përgjithmonë këtë përplasje narrativash të cilat në thelb kanë të bëjnë me procesin e drejtë. Unë do të doja të pyesja avokatin Cela, si do ia bënte ti lexonte 50.000 faqe brenda afateve që duhen për të pasur një process të drejtë? Do të ishte e pamundur.  Konsumi apo jo i veprës penale është gjë tjetër, por ju duhet ti lexoni 50,000 faqe për të bërë një mbrojtje të suksesshme. Nuk e di sa do I duheshin edhe njeriut më të shpejtë të botës në lexim dhe arsyetim. E dyta, duke qenë se mbrojtja ka 50,000 faqe, a është normale që ky I pandehur të qëndrojë nën masën arrest me burg de isa të mbaronin këto faqe e të gjitha fazat e dënimit?. A duhet dteyrimisht personi të qëndrojë në burg deri atëherë” tha Daci.

Juristi Cela nga ana e tij tha se Veliajt nuk i është dhënë koha e mjaftueshme për të studiuar dosjen dhe duhet t’i jepet e drejta e një mbrojtjeje efektive

“Mbrojtja duhet të ketë kohën e nevojshme për t’i studiuar këto faqe. Koha duhet të jetë e mjaftueshme jo vetëm për t’i lexuar por edhe për të studiuar dosjen. Të lihet përshtypja që Veliajt nuk i është dhënë koha e mjaftueshme. Duhet absolutisht t'i jepet koha e mjaftueshme Veliajt për ta studiuar dosjen dhe për të pasur një mbrojtje efektive.” tha Cela.

Në fund të diskutimit, Daci vuri në pikëpyetje filozofinë e sistemit penal shqiptar dhe masën e paraburgimit.

“A nuk është momenti që shumica e veprave penale të zëvendësohen me detyrime alternative dhe jo detyrimisht të jenë dënim me burg për çdo vepër penale. Kjo është sfida më e madhe e sistemit të drejtësisë” tha ai.