Gara për kreun e AMA-s/ Kuvendi do zgjedhë mes Armela Krasniqit e Alketa Dibrës! Skualifikon Gjergjin dhe Guxhollin

TIRANË- Mes katër kandidatëve, Komisioni i Medias vendosi sot t’i dërgojë Kuvendit emrat e Armela Krasniqit dhe Alketa Dibrës për kreun e ri të Autoritetit të Medias Audiovizive. Do të jetë Kuvendi që do të vendosë për njërën prej kandidaturave, ndërsa do të votojë edhe për anëtarët e bordit drejtues pas 4 vakancave të krijuara.

Drejtoresha aktuale e ATSH Krasniqi dhe Dibra prezantuan para Komisionit të Mediave vizionin e tyre për të drejtuar AMA-n.

“Drejtimi i një autoriteti nga një jurist do të bëjë që ky institucion të ketë nivele të larta përfaqësimi, puna e bërë nga AMA, ka ndryshuar dukshëm. Kam konstatuar se kemi shumë pak pirate, rritje të cilësisë së transmetimit që tregojnë një zhvillim të këtij autoriteti, por në fokus është jo vetëm vazhdimi i suksesshëm i punës së bërë, por prioritet do të kenë disa pika kryesore, mbrojtja e të miturve, mbrojtja e të drejtave të njeriu, plotësimi i kuadrit ligjor, reflektimi i legjislacionit të BE dhe futjen e tyre në legjislacionin e brendshëm, reklamat shtetërore nuk përfshihen në legjislacionin aktual, edhe pse kemi një legjislacion të ri, nuk ka të përfshirë që reklamat shtetërore duhet të prokurohen, duhet të kishte mënyra të realizimit të reklamat shtetërore, rëndësi gjuha e shenjave, vetëm TVSH bën me gjuhën e shenjave, ndërsa TV e tjera kombëtare jo, të rrisë transparencën në çdo procedurë vendimmarrje si dhënia e licencave apo heqjen e transmetimit”, tha Dibra.

“5 shtyllat ku dua të përqendrojë, mbrojtja e të miturve, mbrojtja e të drejtave të autorit, një nga pikat ku çalon vendi ynë, mbrojtja e gazetarëve dhe e punonjësve të tjerëve të medias, përditësimi i vazhdueshëm i rregulloreve, rritja e cilësisë së programacionit dhe së pesti zgjerimi i fushës së vetë institucionit. (...). Nuk mendoj që AMA duhet të vlerësoj ligjin për mediat online, se ka pasur përkrahës dhe kundërshtime. Mendoj që AMA ka aspekte të tjera teknike për të cilat do jetë e dobishme me ekspertizën e saj, do jem në bashkëpunim me Komisionin për të marrë përsipër iniciativën përmirësuese dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, nuk besoj se AMA do duhet të ndërmarrë iniciativa ligjore, mendoj se duhet të jetë një ent zbatues”, u shpreh Armela Krasniqi.

 Në garë ishin edhe Elvis Gjergji dhe Ermela Guxholli, të cilët u skualifikuan nga Komisioni i Medias.

“Ambicia ime lind nga dëshira për sfidën e radhës. Mendoj se AMA ka kontribut pozitiv, por ka mjaft sfida të tjera për të adresuar në këtë situatë dhe përmirësimi i licencës së AMA-s. Garantimi i konkurrencës së ndershme, eksperienca ime mendoj se do sjellë një frymw të re në këtë institucion, transparenca mbi pronësinë e mediave, bashkëpunim me shoqërinë civile dhe ato akademike”, tha Elvis Gjergji.

“Tregu audioviziv është nën ndikim që ka shkaktuar COVID, eksperienca ime e gjatë dhe vizioni im do të ketë për qëllim është që të rrisë cilësinë e programeve, zhvillimi i teknologjisë. Besoj në potencialin tim në përfshirjen në këtë drejtor. Synoj nxitjen e diversitetin dhe një media pluraliste , sigurimi i shumëllojshmërisë audiovizive, do angazhohem me publikun, transmetuesit dhe palët e tjera të  interesit”, tha Ermela Guxholli.

Ndërkohë janë edhe gjashtë emra që kandidojnë për anëtarë të bordit drejtues të AMA-s, ku bien në sy edhe emra me eksperiencë në fushën e gazetarisë. Në garë për anëtarë të bordit drejtues janë Edjona Derishi, Ëngjëllush Serjani, Helidon Haliti, Manjola Tërshana, Sajmir Aliaj dhe Joana Allushi.

AMA aktualisht ka mbetur me 3 anëtarë nga 7 që ka gjithsej bordi i saj, që do të thotë se nuk e ka korumin e nevojshëm për të marrë vendime. Kjo ka bërë që Kuvendi të shpallë vakancat e saj për plotësimin e tyre. Data 14 qershor ka qenë afati i fundit për mbylljen e vendeve vakante për kreun dhe anëtarët e bordit të AMA  të cilëve iu ka mbaruar mandati, por edhe për vendin e një përfaqësuesi të opozitës që ka qenë Agron Gjekmarkaj, i cili ka marrë mandatin e deputetit. Konkretisht një vend ka mbetur bosh që nga shkarkimi i Zylyftar Bregut në 2019 nga Kuvendi me kërkesë të  kryetarit të AMA-s, Gentian Sala. Ndërsa dy anëtarëve të tjerë të AMA-s Gledis Gjipalit dhe Piro Mishës u ka mbaruar mandati. Ndërsa vakanca e 4-t është krijuar pas dorëheqjes së Agron Gjekmarkajt si anëtar bordi i AMA-s, i cili u zgjodh deputet i PD në qarkun e Lezhës. Aktualisht në bordin e AMA-s janë Gentian Sala Kryetar, Sami Nezaj zv. kryetar, dhe Suela Musta anëtare.

Lidhur me këtë garë ka pasur akuza të forta nga ana e Partisë Demokratike dhe presidentit Ilir Meta, sipas së cilit qeveria Rama po tenton që të kapë këtë institucion të pavarur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:56
Kandidon për kryetare e AMA-s, kush është Armela Krasniqi

Armela Krasniqi është një nga kandidatet për kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive në vend. Ky është edhe një jetëshkrim i drejtoreshës aktuale të ATSH-së, në momente të caktuara të karrierës së saj.

Armela Krasniqi ka lindur në Tiranë më 26 nëntor 1976. Është e martuar dhe ka dy fëmijë.

Armela Krasniqi ka një karrierë të gjatë në fushën e medias që në fillime si reportere në Shijak TV, Televizioni Shqiptar e më vonë si Drejtore e Drejtorisë së Aktualitetit në RTSH apo si drejtuese edicionesh informative e në RTSH, Shijak tv, TVA, si dhe drejtuese emisionesh në RTSH e News24.

Po ashtu karriera e Armela Krasniqit përmban edhe dy vëllime me poezi: “Fundi i portreve” botuar në 1992 dhe “Eklipsi i heshtjes” botuar në 1995.

Në vitet e gjimnazit (‘92-’95) Armela Krasniqi ka punuar si reportere e me kohë të pjesshme e Radio Tiranës, në emisionet e mëngjesit dhe ato social- ekonomike, duke pasur edhe rolin e drejtueses së emisionit radiofonik.

Aktualisht, zonja Krasniqi është Këshilltar Ekspert në një projekt të Strategy& - Price Water Coopers.

Ajo është zgjedhur përmes votimit të fshehtë nga 32 agjensi europiane të lajmeve për të qenë në bordin drejtues të Agjensive Europiane të Lajmeve. Përveç Krasniqit në këtë bord të zgjedhur janë CEO i DPA (agjensia gjermane e lajmeve), CEO i PA group (agjensia britanike e lajmeve) dhe DG i CTK (agjensia çeke e lajmeve).

Zonja Krasniqi mban aktualisht edhe postin e Presidentes së ABNA- SEE (Presidente e Aleancës Ballkanike dhe Juglindore të lajmeve). Krasniqi më herët ka qenë edhe zëdhënëse e Partisë Socialiste gjatë kohës kur ishte në opozitë dhe kjo është një ndër arsyet për të cilën sulmohet nga Partia Demokratike.

Gjatë viteve të fundit disa nga aktivitetet e saj janë:

2018 – Organizimi i konferencës “Agjensitë e lajmeve vs Lajmet e rreme”, në Tiranë.

Po me iniciativë të saj u hartua DEKLARATA E TIRANËS për lajmet e rreme, nënshkruar nga 13 agjensi europiane lajmesh.

2018 – Folëse në Forumin e 6-të Ndërkombëtar Humanitar të Baku-t, në seancën “Politika e disinformimit”

Fjala e saj në këtë Forum përzgjidhet nga “Diplomat Magazine”, revista e parë diplomatike në historinë e Holandës dhe publikohet e plotë, në dt 24 nëntor 2018.

2018 – Folëse në konferencën: “Si mund të mbijetojnë mediat në epokën digjitale”, mbajtur në Stamboll.

2018- Bashkëorganizatore e konferencave ndërkombëtare “Shqiptarët dhe Serbët – Po më tej?”, të mbajtura në Beograd dhe Tiranë.

2019 – Folëse kryesore në panelin e medias në SPIEF (Forumi Ekonomik Ndërkombëtar) mbajtur në Shën Petërsburg. Në të njëjtin panel me CEO të Associated Press, CEO të AFP etj.

2019- Folëse në konferencën: “Media e së ardhmes” mbajtur në Vrashavë, në një panel më DG e PAP (agjensia Polake e lajmeve) dhe Presidenti i EANA (Aleancës Europiane të Agjensive të Lajmeve.

2019- Folëse në konferencën e moderuar nga CEO i DPA (agjensia gjermane e lajmeve) me temë: “Mundësitë e agjensive të lajmëve në luftën kundër disinformimit”, në panel me Margaritis Schinas, në atë vit Zëvëndës drejtor i përgjithshëm i drejtorisë së përgjithshme të komunikimit në Komisionin Europian si dhe drejtoresha e “The first Draft Coalition” Jenni Sargent. Kjo konferencë u mbajt në Berlin.

2019 - Organizatore e Konferencës “Media& Turizmi- Ide& Zgjidhje”, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të ABNA-SEE mbajtur në Tiranë.

Për t’u përmendur si momente formuese të edukimit të saj:

Praktikë pune në Presidencën e Rajonit të Umbrias, me bursë të ministrisë së Jashtme Italiane. Po gjatë kësaj periudhe punë në gazetën “Corriere dell Umbria”

Praktikë punë në Cabinet Office & Number 10, (kabinetin e Kryeministrit) në Mbretërinë e Bashkuar, me bursë të British Council.

Ajo ka mbaruar me rezulate të larta Degën e Gazetarisë në Fakultetin e Histori Filologjisë në Universitetin e Tiranës në vitin ’99.

Ora 17:34
Vokshi akuza Ramës: Ka paracaktuar zëdhënësen e PS-së në krye të AMA! Tjetër goditje demokracisë dhe lirisë së medias

 

Deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po tenton të marrë kontrollin e Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA).

Në një deklaratë për mediat, nga selia e PD, Vokshi tha se Rama ka marrë, sipas saj, vendet e opozitës në bordin e AMA, që sipas ligjit duhet të jetë i pavarur. Sipas Vokshit, Rama ka paracaktuar zëdhënësen e tij dhe të PS në krye të AMA

"Parlamenti njëpartiak, me mandat të përfunduar, e që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë, përmes Komisionit të Medias, në mungesë të opozitës reale, ka shkelur në mënyrë flagrante nenet që përcaktojnë procedurën dhe zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive. Në garën për kreun e AMAs, me pseudokandidatë nënpunës shtetërore pa asnjë eksperiencë në fushën e medias apo fushat që përcakton ligji, në shkelje të afatëve ligjore, Edi Rama ka paracaktuar zëdhënësen e tij dhe te PS për këtë post. Edi Rama, urdhëroi kandidatët e listës së PS në zgjedhjet e fundit, në Komisionin Parlamentar të Medias, të votonin për Armela Krasniqin duke shkelur hapur ligjin dhe specifikisht nenin 7 dhe 8 që përcaktojnë papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesave. E paprecedentë procedura e ndjekur për të rrëmbyer vendet e opozitës në bordin e AMAs, në shkelje të legjislacionit aktual, të Ligjit për Mediat Audiovizive, e në kundërshtim të hapur me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ky akt godet në zemër lirinë e medias, duke e kthyer këtë institucion në zgjatimin e partisë shtet, ndërsa rolin e drejtuesit të tij e njëson me atë të zëdhënësit të regjimit Rama-Doshi", tha Vokshi.

Sipas Vokshit, Rama kërkon të përdorë AMA-n si 'gjykatën e gazetarëve', ndërsa bën thirrje për reagim.

"Me këtë akt antidemokratik kundër lirisë së medias, regjimi Edi Rama kërkon ta përdorë AMA si gjykatën e gazetarëve, organin e censurës, që do kontrollojë jo vetm platformat televizive, por edhe portalet e mediave on line. Ky organ censure do të përdoret për të implementuar famekeqen paketë të censurës së medias për të ushtruar presion, shantazhuar, mbyllur gojën kujtdo medie apo gazetari që do të guxojë të denoncojë vjedhjen e zgjedhjeve, korrupsionin qeveritar dhe bashkëpunimin e pushtetit me krimin dhe oligarkinë. Sot, cdo shqiptar që kërkon një Shqipëri më demokratike, një Shqipëri më pranë Bashkimit Europian duhet të jetë i shqetësuar, sepse me këtë akt kundër lirisë së medias, kundër institucioneve të pavarura, demokracia është edhe më e rrezikuar, ndërsa Bashkimi Europian do të mbetet një destinacion politik edhe më i largët. Sot është koha të gjithë të reagojnë!! Të gjithë gazetarët, mediat, institucionet që monitorojnë lirinë e shtypit në Shqipëri. Kapja e AMAs paralajmeron kalimin dhe miratimin në parlament edhe të paketës së censurës së medias onlinë për mbylljen e portaleve online. Pa media nuk ka demokraci! të mos heshtim para se të jetë vonë! Partia Demokratike kërkon që të ndalet menjëherë ky akt antiligjor e antidemokratik i një parlamenti monopartiak", shton ajo.

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Dani Alves 'e djeg' pasi lë qelinë, festë deri në orët e para të mëngjesit

Dani Alves 'e djeg' pasi lë qelinë, festë deri në orët e para të mëngjesit