Me 81 vota Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e sotme plenare, shkarkimin pas dy mandatesh si anëtar i Autoritetet të Medias Audio-Vizive, Zylyftar Bregun, njëherazi pedagog në Fakultetin e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit.
Kuvendi votoi projektvendimin “Për lirimin nga detyra të anëtarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Zylyftar Bregu”, ku u miratua me 81 vota pro, 1 kundër dhe 12 abstenim.
Ishte kreu i AMA, Gentian Sala i cili në nëntor të 2018-ës i ka kërkuar Kuvendit të shkarkojë Bregun me akuzën se ka vepruar në kundërshtim me ushtrimin e mandatit dhe në kundërshtim me ligjin organik të AMA-s, duke lidhur kontratë qiraje me 2 korrik 2015 me Ministrinë e Bujqësisë për 4.2 hektarë në fshatin Picar, Vorë, me një afat përdorimi 99 vjet.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate%20shqiptarja.png)
Në një reagim që ka bërë në rrjetin social Facebook, Zylyftar Bregu thotë se ky vendim është i lidhur ngushtë me një tjetër vendim të qeverisë, atë të miratimit të paketës anti-shpifje. Bregu hedh akuza, se tashmë AMA është nën urdhrat e mazhorancës për të rënduar sa më shumë pozitën e gazetarëve që preken nga kjo paketë në lidhje me kontrollin mbi informacionin në platformat elektronike, portalet.
"Tanimë që lufta politike po synon territore të reja, AMA është një nga institucionet e fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të rilindjes!", shkruan Bregu teksa paralajmëron se do të ndjekë rrugën gjyqësore për të fituar të drejtën e tij.
Reagimi
"Një ditë pas Qeveria miratoi paketën që synon të rregullojë regjistrimin e platformave elektronike (ose paketa anti-shpifje), Kuvendi miratoi me 81 vota shkarkimin tim si anëtar i AMA-s, me një argument të sforcuar për konflikt interesi!
Të dyja këto akte politike kanë një lidhje!
Në kuadrin e këtij projekt-ligji që rëndon pozitën e gazetarëve në veçanti dhe shton kontrollin mbi informacionin në tërësi, rilindja kërkon që mazhoranca në AMA të jetë më e konsoliduar!
Për transparencë jam zgjedhur në këtë post (për mandatin e dytë radhazi) në korrik të vitit 2016, nga maxhoranca e atëhershme (PS-LSI). Edhe pse gjatë votimit plot 99 deputetë votuan pro kandidaturës, numër që është përtej kësaj aleance!
Tanimë që lufta politike po synon territore të reja, AMA është një nga institucionet e fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të rilindjes!
Sebepi është marrja e një sipërfaqe toke me qira, për të cilën Kuvendi anashkaloi institucionin e posaçëm që shqyrton konfliktin e interesit (ILDKPI/ Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave).
Sigurisht, siç e kam argumentuar edhe para Komisionit të Medias, unë do të ndjek rrugën gjyqësore për të fituar të drejtën dhe për të rivendosur në vend dinjitetin, duke premtuar edhe vazhdimin e angazhimit tim qytetar, shoqëror dhe administrativ!"
Komente
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)