Lindita Nikolla, aktualisht kryetare e minibashkisë numër 1 në Tiranë, nga sot do t’i bashkohet ekipit për një Rilindje Shqiptare të Partisë Socialiste duke e bërë këtë ekip "më të vullnetshëm më bindës e më pranë njëra tjetrës"
“Sot më 8 mars në vixhilje të fitores tonë, ne të PS-së na takon të flasim për gratë dhe të bëjmë një akt të ri besimi dhe respekti. Sot skuadrës së Rilindjes i shtohet një grua tjetër. Kjo nuk është e fundit. Lindita Nikolla, një grua fiskinike, mësuese, ish-drejtoreshë e gjimnazit "Sinan Tafaj", aktiviste e shoqërisë civile dhe së fundmi kryetare e një njësie vendore”, - tha Rama nga selia PS duke prezantuar Lindita Nikollën si kandidate për deputete në Tiranë.
Lideri i opozitës u shpreh krenar, se PS me këmbënguljen e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor shndërroi Kuvendin nga “një odë burrash, në një Kuvend ku gratë kanë vendin e tyre. Kjo është vetëm pjesë e një rruge të gjatë e të mundimshme që në boshtin e vet të ketë barazinë gjinore”,- përfundoi Rama.
Lidhur me 8 Marsin Rama tha se gruaja shqiptare “ka haraçin e një shtypje të pamerituar, ku një perçe e rëndë ka ndarë vajza të vogla fshatrash, nuset e reja shtatzënë nga kujdesi shëndetësor, gra e vajza të shkolluara nga rruga e përfshirjes në punë”.
Ai bëri me faj “keqqeverisjen që gëlon më shumë se asnjëherë.”.. dëshmi e të cilës, sipas Ramës, janë dhe “27 gra të vrara barbarisht.
“Nuk janë shumë, por tmerrësisht shumë për tu trajtuar si statistikë. Janë dëshmi tronditëse për atë çfarë po ndodh. Ky 8 Mars e gjen gruan shqiptare me një bilanc të rëndë dhe mundësi të madhe."- tha Rama duke shtuar se "23 qershori është mundësi për rilindje" dhe premtoi se pas fitores së zgjedhjeve, qeveria socialiste do të punojë për barazinë gjinore.
“Mundësia e madhe është vota e 23 qershorit për një Rilindje ku për gruan do hapet një horizont i ri shpresash për mes një politike të re gjinore në qeverisjen e këtij vendi. Unë jam krenar në këtë 8 mars sepse udhëheq partinë që ka shndërruar vetveten dhe politikën në aspektin e barazisë gjinore, duke vendosur për herë të parë në jetën e një force politike shqiptare kuotat në çdo nivel përfaqësimi. Kur flitet për Kodin e ri Zgjedhor shumëkush sot e gjithë ditën kuturiset të flasë papushim për të kritikuar, por unë jam krenar që ne, socialistët e progresistët e shndërruam me propozimit dhe këmbënguljes sonë përmes atij Kodi Zgjedhor parlamentin e Shqipërisë nga një odë burrash në një kuvend ku gratë kanë kuotën e tyre"- tha Rama.
Nga ana e saj Lindita Nikolla premtoi se do vijojë të angazhohet krah PS e Edi Ramës për një rilindje të Shqipërisë. “Që nesër do vijoj të trokas fort në zemrën e çdo qytetari që kërkon Shqipërinë e rilindur për të vijuar me të njëjtin pasion për të bërë të mundur Rilindjen Shqiptare “
Pasdite, Rama mblodhi gra e vajza për të uruar ditën ndërkombëtare në një lokal në periferi të Tiranës.
– Duke uruar që ky 8 Mars të jetë preludi i fitores së Partisë Socialiste më 23 Qershor, kryetari i PS-së, Edi Rama, uroi që edhe për gratë e vajzat shqiptare të jetë një ndryshim, që ka të bëjë me qasjes e qeverisë ndaj problemeve tyre.
Kësisoj, me dy urime në një ditë, Rama hapi sot festimet e Ditës së Grave, 8 Marsit me përfaqësuese të tyre, nga shtresa të ndryshme të popullsisë.
"Jam shumë krenar që PS-ja është forca që për herë të parë në politikën shqiptare ka adaptuar përfaqësimin e grave dhe vajzave:, - tha ai, -"dhe ka qënë nxitësi më i flaktë i kuotave të përfaqësimit të grave edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Mirënjohja u shkon grave deputete socialiste, të cilat kanë arritur të përcjellin një zë të arsyeshëm, një kulturë komunikimi si ajo që ne do të donin të kishte e gjithë politikë. Duke uruar që ky 8 Mars të jetë preludi i fitores sonë më 23 Qershor, edhe për gratë dhe vajzat, ndryshimi i qasjes së qeverisë ndaj problemeve të tyre".
"Një grua e bukur, Sofia Loren", - përfundoi Rama,- "thotë që Zoti nuk e bëri gruan duke i hequr burrit kokën për t’i vënë gruan mbi supe; as duke i hequr këmbën, për ta vënë nën këmbë, por e bëri duke i hequr një brinjë, për ta bërë atë të barabartë me burrin".
Redaksia Online
(ar.sh/s.g/Shqiptarja.com)