Kandidati i pavarur për president, Robert F. Kennedy, shpreh mbështetjen për Trump

Kandidati i pavarur për president, Robert F. Kennedy, shpreh mbështetjen për Trump

Robert F. Kennedy Jr. me Trump në Arizona

Kandidati republikan për president, Donald Trump, mund të fitojë përkrahjen e një grupi votuesish të një kandidati tjetër që garon për Shtëpinë e Bardhë. Siç njofton nga Arizona, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti kandidati i pavarur Robert F. Kennedy Jr. njoftoi të premten mbështetjen e tij për ish Presidentin Donald Trump gjatë një tubimi në qytetin Glendale ku të dy bënë fushatë së bashku.

Kandidati i pavarur për Shtëpinë e Bardhë, Robert F. Kennedy Jr. ka njoftuar mbështetjen për ish Presidentin Donald Trump. Kennedy u shfaq në një tubim në Arizona pranë kandidatit Trump.

“A doni një president që do ta mbajë vendin larg luftërave dhe që do të rindërtojë klasën e mesme?”, tha në tubim zoti Kennedy.

Ata ndanë me publikun rastet tragjike që kanë përjetuar. Në muajin korrik zoti Trump u plagos gjatë një tentative për ta vrarë atë. Babai dhe xhaxhai i zotit Kennedy, Prokurori i Përgjithshëm Robert F. Kennedy dhe Presidenti demokrat John F. Kennedy, që të dy u vranë. Zoti Trump bëri një premtim.

“Pasi të zgjidhem, do të krijoj një komision të ri të pavarur për të hetuar tentativat për vrasje, i ngarkuar me publikimin e të gjitha dokumenteve të mbetura në lidhje me vrasjen e Presidentit Kennedy”, tha Trump.

Kur Robert F. Kennedy shpalli kandidaturën si i pavarur, anëtarët e familjes dolën në fushatë kundër tij duke mbështetur dyshen demokrate për Shtëpinë e Bardhë.

“Rizgjidhni Biden dhe Harris”, u shpreh në atë kohë motra e Kennedy, Kerry.

Kandidati Kennedy është një figurë e debatueshme që ka vënë në dyshim vaksinat, dhe ka mbështetur teoritë e konspiracionit për sulmin e 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara. Babai i zonjës Mary Jo O’Rurke ka punuar për Presidentin John Kennedy në vitet 1960.

“Jam mbështetëse e vendosur e Kennedit. Mendoj se është koha që kandidati Kennedy të tërhiqet nga gara dhe të shijojë pjesën tjetër të jetës së tij”, tha mbështetësja e zonjës Harris.

Partia Demokrate pretendon përmes një deklarate se sondazhet tregojnë se “një pjesë e vogël e votuesve që mbështesin zotin Kennedy po ndahen mes Nënpresidentes Harris dhe republikanit Trump”. Disa analistë thonë se mbështetësit e zotit Kennedy mund të mos votojnë fare. Të tjerët parashikojnë një mbështetje afatshkurtër për zotin Trump.

“E ndihmon paksa Donald Trumpin. Në përgjithësi do të jetë një garë e ngushtë mes dy kandidatëve, dy partive. Vota e të pavarurve do të ketë rëndësi vetëm në shtetet fushëbetejë”, thotë John Fortier nga Instituti American Enterprise.

Mbështetësit e zotit Trump e mirëpresin vendimin e zotit Kennedy.

“Ata po tregojnë se partia e xhaxhait dhe babait të tij, e familjes Kennedy, nuk është më e njëjta parti”, thotë Karen Preul, mbështetëse e kandidatit Trump.

“Shohim dy amerikanë që qëndrojnë së bashku dhe në të vërtetë duan atë që është më e mira për ne”, thotë Nathaniel Parson një mbështetës republikan.

Në të kaluarën, të dy ata e kanë kritikuar ashpër njëri-tjetrin. Por siç është vënë re gjatë këtij viti zgjedhor, armiqtë e dikurshëm ndryshojnë qëndrimin kur largohen nga gara./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje