Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për hetues të BKH-së është paditur për mungesë transparence si dhe për skualifikimin e padrejtë në Gjykatën Administrative.

Një prej aplikantëve ka kërkuar pezullimin e këtij procesi.

Sipas padisë së tij, ai thotë se nuk ka pasur transparencë në përllogaritjen e pikëve në testin fizik, e cila përkon me fazën e tretë të përzgjedhjes së kandidatëve për hetues pranë byrosë.

“Me anë të kësaj kërkesë padie, kërkoj pezullimin e procedurave të konkurrimit nga Byroja Kombëtare e Hetimit, pasi në mënyrë jo transparente me anë të një veprimi administrativ ka bërë përjashtimin e 300 kandidatëve për hetues në fazën në fazën e tretë të testimit (testimi fizik) pa përcaktuar metodologjinë e vlerësimit, ku dëmtohen interesat e mia personale, interesi publik dhe procesi i rregullt ligjor në një procedurë konkurrimi që ka për qëllim rritjen e besimit të publikut pranë organeve të drejtësisë, e konkretisht; - shkruhet në dokument.

Në ndryshim nga fazat e mëparshme, sipas paditësit, Byroja Kombëtare e Hetimit nuk kishte përcaktuar asnjë minimum pikësh për testin fizik. Gjithashtu ai pretendon se as në faqen zyrtare nuk është publikuar mënyra e mbledhjes së pikëve dhe mënyra e vlerësimit duke mos qenë transparent krahasuar me testin logjik; nuk është pasqyruar mënyra e përzgjedhjes së aplikantëve në testin fizik, duke dëmtuar imazhin e një institucioni që kërkon besimin e qytetarëve dhe do të luftojë korrupsionin në nivele të larta; rezultati i testimit fizik nuk është vlerësuar në moment por 3 ditë më pas.