Serbia ka pajisur avionët e saj luftarakë MiG-29 me raketa balistike kineze CM-400AKG, duke rritur ndjeshëm aftësitë goditëse të forcave ajrore serbe. Sipas revistës ushtarake “Military Watch”, Serbia është bërë vendi i parë në Evropë që përdor këtë lloj rakete në avionët luftarakë.
Fotografitë e publikuara tregojnë një avion MiG-29 të Forcave Ajrore të Serbisë duke fluturuar me dy raketa CM-400AKG të prodhimit kinez. Sipas raportit, Serbia është operatori i dytë i huaj i këtij sistemi dhe integrimi i tyre rrit ndjeshëm kapacitetet goditëse të këtyre avionëve.
“Shpejtësia e raketës mund të kalojë Mach 6 (rreth 6 herë shpejtësia e zërit, mbi 7 mijë kilometra në orë), çka i jep MiG-29 serbe aftësi goditëse hipersonike”, thuhet në raport.
Raketa ajër-tokë CM-400AKG (raketë që lëshohet nga avioni dhe godet objektiva në tokë) përdor navigim inercial dhe satelitor, si edhe udhëzim me radar pasiv. Sipas raportit, ajo ka një rreze veprimi deri në 400 kilometra.
Serbia trashëgoi disa avionë MiG-29 nga Forcat Ajrore të ish-Jugosllavisë dhe më pas mori edhe disa të tjerë nga Rusia dhe Bjellorusia gjatë viteve 2000 dhe 2010. Deri tani këta avionë kishin aftësi të kufizuara goditëse, pjesërisht edhe për shkak të radarëve më të vjetër që përdorin.
“Military Watch” thekson se integrimi i raketave CM-400AKG kompenson këto kufizime, pasi raketat mund të përdorin të dhëna shënjestrimi nga sensorë të jashtëm dhe nuk varen drejtpërdrejt nga radarët e avionit.
Raporti kujton gjithashtu se Serbia ka qenë nën presion nga vendet evropiane për të kufizuar blerjet ushtarake nga Rusia dhe Kina. Megjithatë, në vitet e fundit Beogradi ka zgjedhur disa sisteme kineze, përfshirë edhe sistemin e mbrojtjes ajrore HQ-22.
Sipas analizës së portalit, kombinimi i raketave kineze me aftësinë e MiG-29 për t’u ngritur nga pista të shkurtra ose fusha ajrore të improvizuara i jep Serbisë një kapacitet të ri ushtarak në rajon. Raporti shton se modernizimi i këtyre avionëve tregon se Serbia ka gjasa t’i mbajë MiG-29 në shërbim edhe për disa vite të tjera.
Komente









