Një 30-vjeçar është prangosur nga policia e Tiranës pasi është denoncuar nga motra e tij se ka ushtruar dhunë ndaj saj, motrës tjetër dhe babait dhe i ka kërcënuar ato me thikë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, pas kallëzimit të marrë nga shtetasja Z. T., se vëllai i saj ushtronte dhunë fizike në mënyrë të vazhdueshme ndaj saj, dhe familjarëve, si dhe i kishte kanosur ato me mjet prerës (thikë), menjëherë kanë organizuar punën, duke kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë, vëllain e saj, shtetasin A. Ll.
Në vijim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ll., pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj dy motrave dhe babait të tyre, dhe i ka kanosur dhe kërcënuar ato me mjet prerës thikë.
Në cilësinë e proves materiale u sekuestrua mjeti prerës (thikë). Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, ka njoftuar policia.