Finalja e Champions League në Paris përveç fitores së Realit kundër Liverpool do të mbahet mend për incidentet e shumta jashtë stadiumit ‘Stade de France’, që detyruan sfidën të niste 36 minuta me vonesë.
Të gjithë kanë drejtuar gishtin nga UEFA, që nga ana tjetër bën fajtor tifozët e Liverpool. Sipas UEFA-s anglezët tentuan të futeshin në stadium pa biletë dhe shumë prej tyre i kishin falso, ndërsa u tha edhe se erdhën me vonesë. Mirëpo mediat ndërkombëtare shkruajnë se si UEFA ashtu edhe policia franceze çedoi shumë në organizimin.
Që në momentin kur tifozët u afruan pranë stadiumit u pa një raport i frikshëm me policinë, e cila ishte paktë në numër. Duke qenë se ora e ndeshjes po afronte, shumë prej tifozëve kapërcyen hekurat, duke sjellë më pas edhe kaosin. Sprajti djegës dhe gazi lotsjellës u përdorën për të shpërndarë turmat, ndërsa e pësuan fëmijë dhe gra shtatzëna. Një situatë që më pas u cilësua si mizori, ndërsa për rrjedhojë u shënuan 238 të plagosur dhe 105 arrestime.
Më vonë policia e Liverpool-it që ishte në Paris mbrojti tifozët duke thënë se erdhën në momentin e duhur, ndërsa përmes një zëdhënëse qeveria angleze ka kërkuar hetim për situatën nga UEFA, duke e cilësuar të papranueshme dhunën. Sakaq ministria e sporteve në Francë ka kërkuar mbledhje urgjente me UEFA-n për të diskutuar se çfarë nuk shkoi dhe masat e menjëhershme që do merren.
Probleme pati edhe me tifozët e Realit, me klubin që i kërkoi UEFA-s shpjegime mbi sjelljen e forcave të sigurisë. Si të mos mjaftonte kjo edhe pas ndeshjes në rrugët e Parisit tifozët e irrituar sulmuan lagjet pranë stadiumit.