Kaosi në PD, Ferdinand Xhaferri
përgatitet të marrë PD e Durrësit

Kaosi në PD, Ferdinand Xhaferri<br />përgatitet të marrë PD e Durrësit
Po mbushen 4 muaj nga ngjarja e pazakontë kur kryetari i PD i degës së Durrësit, Osman Stafa, u dëbua nga detyra në mënyrën më të çuditshme. Pas një mbledhje kryesie me tone të ashpra, ku i deleguar nga Tirana ishte Arben Imami, derës së kryetarit të partisë i ndërroi bravën dhe më pas ai dhe pjesa më e madhe e kryesisë e pezulluan nga funksionet, me një urdhër të ardhur nga Tirana.

Në atë kohë u tha se shumë shpejt gjërat do të vihen në vend duke lënë të kuptohet zëvendësimin i kryetarit të partisë më një emër të ri si dhe disa emra të tjerë në kryesinë e kësaj dege. Por në fakt, që nga ajo ditë, asgjë nuk ka ndryshuar pasi dera vazhdon të qëndrojë e kyçur ndërsa partia duket më e asfiksuar se kurrë. Korridoret e selisë janë të heshtura  në një kohë që duhej të gumëzhinin pasi zgjedhjet parlamentare po afrohen gjithnjë e më shumë.

Gjendja në parti
Burime nga kryesia e partisë demokratike dega Durrës bëjnë të ditur se nuk kishte ndodhur kurrë më parë një situatë e tillë qëkurse kjo parti është krijuar. Askush nuk merr përgjegjësinë për t’a drejtuar këtë degë derisa të zgjidhet kryetari i ri. Mungojnë aksionet politike aq sa partia duket krejtësisht inekzistente.

Anëtarët e partisë janë të demoralizuar nga kjo situatë dhe nuk mungojnë artikulimet se nëse vazhdohet kështu nuk përjashtohet mundësia që partia e tyre të dalë forcë e tretë në zgjedhjet e ardhshme, duke aluduar për ngjitjen në tabelë të LSI. Si të mos mjaftonte kjo situatë, në anën tjetër, drejtuesit e lartë të degës së Durrësit, deputetët dhe të zgjedhurit në forumet e Tiranës janë të përçarë aq sa nuk komunikojnë verbalisht me njëri-tjetrin, çka reflektohet poshtë në bazë në të njëjtën mënyrë.

Kryetari, një xhaketë e vjetër
Burimet nga kryesia e PD flasin për një zgjidhje që pritet të vijë nga Tirana. Bëhet me dije se fillimisht do të ndërhyhet për përzgjedhjen e emrit të ri të kryetarit të partisë për degën e Durrësit dhe më pas edhe për të zëvendësuar disa anëtarë kryesie nëse do të shihet e arsyeshme ose kryesia mund të dalë nga pezullimi. Duket se emri më i përfolur për kolltukun e kreut të PD së Durrësit është ai i Ferdinand Xhaferrit.

Është një kthim në vitet '90, kur ai kryesonte degë deri pas ngjarjeve të vitit 1997. Skema që do të përdoret për të vendosur emrin e ri të kreut  të degës së PD në Durrës do të jetë ajo e dërgimit të 10 kandidaturave në Tiranë dhe do të jetë kupola blu ajo që të vendosë në rreth emrat e dy kandidaturave për kryetarë. Më pas në një mbledhje anëtarësie do të zgjidhet njëri prej tyre. Ose ka mjaft të ngjarë të mos zhvillohet fare një mbledhje të tillë, por kryetari të vijë i emëruar pas këtyre propozimeve nga baza.

Dilema për Xhaferrin
Në PD e Durrësit, mendimet për kthimin e Xhaferrit në krye të PD për herë të dytë, janë kontradiktore. Një pjesë e anëtarësisë dhe simpatizantëve të PD e shikojnë si zhvillim pozitiv një zgjidhje të tillë pasi për ta Xhaferri është një emër me staturë politike dhe me përvojë punë.

Një pjesë tjetër e shohin si regres në jetën e partisë rikthimin e Xhaferrit pasi sipas tyre ai është i konsumuar politikisht, duke kujtuar humbjen në garën për kreun e bashkisë së Durrësit në zgjedhjet lokale të vitit 2003 kur garonte për Partinë e Pollos dhe në kur përfaqësoi Partinë Demokratike në 2011.

Por që të gjithë bashkohen në një pikë, atë të zgjidhjes së kësaj gjendje të pazakontë dhe dera e zyrës së kreut të partisë më në fund të hapet.
 

d.b/shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Blinken në Izrael: Moment vendimtar për armëpushimin

Lufta/ Blinken në Izrael: Moment vendimtar për armëpushimin