GREQI- Kapen 11 kg marijuanë në brigjet e Korfuzit. Droga është gjetur në një zonë me shkurre në Potamo, Korfuz në një zonë përballë Kepit te Stillos. Ndërkohë, në pranga ka rënë një shqiptar, 35 vjeç, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije. Shqiptarit, me banim në Korfuz, i janë gjetur në banesë edhe 50 gram marijuanë. Autoritetet greke gjithashtu kanë shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij grek, 25 vjeç. Në banesën e 25-vjeçarit u gjetën dhe sekuestruan 15 gram kokainë dhe 45 gram marijuanë.
Në 24 orët e fundit policia greke ka goditur dy raste të trafikut të narkotikëve. Një ditë më parë autoritetet greke sekuestruan rreth 300 kg kanabis disa kilometra larg kufirit greko-shqiptar. Droga u gjet në një furgon të braktisur në rrugën “Egnatia” në vendin e quajtur Kalamia, Kozani. Dyshohet se shoferi është larguar pasi furgoni mund të ketë pësuar defekt.
Ndërkohë, rreth 70 pako me marijuanë, me peshë 77 kg e 320 gram, u sekuestruan dje nga policia greke. Ngarkesa me drogë u kap në kufirin greko-shqiptar, pranë Igumenicës. Nëse droga do të shitej në treg do të kapte vlerën 190 mijë euro. Droga u kap brenda automjetit që drejtohej nga një shqiptar, i cili u arrestua nga policia. Ai po drejtonte makinën që e kishte marrë në një kompani që jep mjete me qira dhe nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe kundërshtoi kontrollin.
Kujtojmë se gazeta më e madhe greke Protothema ka shkruar një artikull se pjesëtarë të grupeve kriminale nga Shqipëria kanë transferuar kultivimin e hashashit në malet greke. Sipas autoriteteve greke kufizimet e qarkullimit dhe mbyllja e kufijve për shkak të koronavirusit – sipas vlerësimeve të Prokurorisë – ishin ato që sollën fillimisht kultivimin mjaft fitimprurës të hashashit në Greqi, në vend të importit të hashashit nga Shqipëria dhe siç rezulton, pavarësisht heqjes së masave , kultivimi vazhdon në malet greke.