Afërsisht dy ton kanabis janë kapur në Podgoricë të Malit të Zi në një kamion i cili kishte kaluar përmes Shqipërisë.

Policia ka arrestuar Ervis Calliku, 40-vjeç nga Durrësi që transportonte lëndën narkotike e cila ishte bashkë me me një ngarkesë fruta perimesh.

Sipas të dhënave nga policia, ngarkesa dyshohet të ketë pasur destinacion Gjermaninë.

Ajo kishte hyrë në Shqipëri nga Kapshtica e më pas kishte kaluar në Mal të Zi përmes Hanit të Hotit.

"Mëngjesin e sotëm, në vendkalimin kufitar Hani i Hotit (Bozaj), shërbimet policore dhe ato doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të një kamioni tranzit, kanë gjetur të fshehur brenda ngarkesës me fruta-perime, një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të dyshuar marijuanë. Kamioni që drejtohej nga shtetasi E. C. ishte ngarkuar me fruta-perime në shtetin grek dhe kishte hyrë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, tranzit për në vendet e BE-së" - njofton policia.

Policia dhe prokuroria shqiptare kanë nisur hetimet nëse kamioni ka kaluar në skanerin doganor.