Policia spanjolle ka kryer një operacion të madh anti-drogë, ku janë kapur 200 kilogramë kokainë.

Sipas mediave spanjolle, bëhet e ditur se gjatë operacionit u arrestuan 8 persona, tre prej të cilëve ishin shqiptarë.

Po ashtu bëhet e ditur se i arrestuari Alexei Pustovarov, është konsideruar si organizatori kryesor i grupit të cilit iu kap ngarkesa prej 200 kilogramësh kokainë, e sekuestruar javën e kaluar në portin e Vigos.

Pustovarov ishte krahu i djathtë i Brian Charrington, i njohur si “narco i Ëikipedia-s”, trafikant i njohur spanjoll që vdiq në korrik 2025 në Alicante.

Sipas autoriteteve vendase, Pustovarov udhëtoi personalisht drejt Galicisë për të mbikëqyrur mbërritjen e drogës dhe vepronte në bashkëpunim me Mafian Shqiptare dhe një organizatë kriminale me bazë në zonën e O Salnés, Galici.

Operacioni u zhvillua në dy faza gjatë nëntë ditëve dhe u realizua nga Policia në bashkëpunim me Agjencinë Tatimore, duke çmontuar plotësisht organizatën kriminale që përdorte anije mallrash dhe kontenierë për të futur kokainë në Evropë përmes portit të Vigos.

Organizata përdorte metodën e fshehjes së drogës brenda kontenierëve të anijeve tregtare, pa dijeninë e kompanive të transportit, për ta nxjerrë më pas në portin e destinacionit.

Përveç drogës, oficerët sekuestruan më shumë se 20 mijë eurosh në para të gatshme, dokumente dhe telefona celularë.

Hetimi mbetet i hapur dhe arrestime të mëtejshme janë të mundshme, sipas Iago García, kreu i Njësisë së Drogave dhe Krimit të Organizuar në Vigo (UDYCO).