Policia greke bën të ditur se droga, me prejardhje nga Lazarati dhe nga Saranda ka hyrë në tokën greke me anë të një skafi. Policia e vendit fqinj sekuestroi skafin dhe ndaloi drejtuesin e tij i cili është shtetas grek, banor në Sajadhes, të Igumenicës. Droga është bllokuar në momentin kur po transportohej në kamionçinë. Policia ndaloi 5 persona prej të cilët 2 shqiptarë të cilët dyshohet se janë nga Lazarati dhe 3 shtetas grekë, informon korrespondenti ynë në Gjirokastër, Piro Nase.
Dyshohet se trafikantët nga Lazarati kanë transportuar drogën, e sistemuar në 15 çanta fillimisht në Sopot, më pas Delvinë, Sarandë dhe përmes detit ka kaluar në tokën greke. Nisin hetimet për të zbardhur detajet e trafikut.
(Në foto, njëri nga të arrestuarit, Idriz Çela)
TE ARRESTUARIT
Pak orë më vonë policia bëri të ditur dhe emrat e të arrestuarve shqiptarë. Ata janë Bledar Sula dhe Idriz Vladimir Çela. Ky i fundit ishte shpallur në kërkim pasi ishte dënuar me 7 vjet burg për trafik droge nga Gjykata e Sarandës. Çela ishte dënuar me 7 vjet burg pasi është vërtetuar se në janar të 2010 kishte braktisur në Qafën e Gjinës një makinë me 250 kg mariuanë.
(sg/shqiptarja.com)