Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia e Pukës, pasi qarkullonte me armë zjarri, ndërsa ishte i dënuar më parë për vjedhje dhe dhunë në familje.

"Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas në fshatin Bicaj lëvizte me armë, u organizua puna për identifkimin dhe kapjen e tij.

Si rezultat i një pune të mirëorganizuar u evidentua shtetasi F. Sh., 34 vjeç, banues në fshatin Bicaj, Pukë, i cili lëvizte me armë zjarri me vete dhe në momentin që ka parë shërbimet e Policisë ka hedhur armën dhe ka tentuar të largohet, por është kapur gjatë ndjekjes nga shërbimet e Policisë", thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale, 34-vjeçarit iu sekuestruan një arma e zjarrit tip TT dhe municioni luftarak.

Materialet procedurale në ngarkim të tij i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.