Një 36-vjeçar u kap në pikën kufitare të Kapshticës teksa tentoi të fuste në Shqipëri pesticide pa licencë, fidanë pemësh frutore dhe mjete pune të dyshuara si kontrabandë.

Ngjarja ndodhi në hyrje të vendit, gjatë kontrolleve në vijën e dytë. Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me doganën, ndaluan për kontroll automjetin që drejtonte K. G., banues në Hasmashaj të Peqinit. Brenda mjetit u gjet sasia e pesticideve pa leje nga organet kompetente, si edhe fidanët dhe mjetet e tjera të punës, të cilat dyshohet se po futeshin në vend në kundërshtim me ligjin.

Mallrat dhe automjeti u sekuestruan si prova materiale, ndërsa 36-vjeçari u morr nën hetim penal për akuzën “Kontrabanda me mallra të licencuara” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”. Çështja i kaloi Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

Po ashtu, në afërsi të fshatit Vidohovë në Devoll, patrulla e Policisë Kufitare kapi 5 migrantë të parregullt. Ata u trajtuan me urdhër largimi vullnetar nga territori i Shqipërisë.

 

Njoftimi i plotë i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë

Policia Kufitare intensifikon kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi. Goditet një tjetër rast i kontrabandës. Kontrabandoi një sasi me produkte pesticide pa licencë nga organet kompetente, fidanë pemësh frutore dhe mjete të tjera pune, procedohet penalisht 36-vjeçari. Sekuestrohen produktet me pesticide e fidanët me pemë frutore të dyshuara të kontrabanduara. Në vijim të kontrolleve sistematike dhe atyre të bazuara në informacionet policore të marra në rrugë operative, shërbimet e DVKM Korçë, në hyrje të RSH-së, në PKK Kapshticë, në bashkëpunim me shërbimin doganor, kaluan për kontroll në vijën e dytë automjetin me drejtues shtetasin K. G. Nga kontrolli i ushtruar në automjetin që ky shtetas drejtonte, janë gjetur një sasi me produkte pesticide pa licencë nga organet kompetente, fidanë me pemë frutore dhe mjete të tjera pune, të cilat bashkë me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin K. G., 36 vjeç, banues në fshatin Hasmashaj, Peqin, për veprat penale "Kontrabanda me mallra të licencuara" dhe "Kontrabanda me mallra të tjera".  Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme. -Gjithashtu nga shërbimet e patrullës së Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë (kufiri tokësor) në afërsi të fshatit Vidohovë, Devoll, u kapën 5 migrantë të parregullt, të cilët u trajtuan me urdhër largimi vullnetar nga territori i RSH.