KORÇË - Sekuestrohet një sasi e madhe droge e llojit kanabis në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, e ngarkuar në dy kamionë që kishin për destinacion Greqinë. Lënda narkotike e ndarë në 103 thasë, është gjetur mbrëmjen e sotme gjatë kontrolleve të imtësishme në doganë. Në dy kamionët ndodhej një ngarkesë me krunde dhe mes tyre ishin fshehur thasët me kanabis. Report Tv mëson se bëhet fjalë për një ngarkesë prej më shumë se 1 ton marijuanë. Policia ka arrestuar dy drejtuesit e kamionëve të cilët janë Zija Hidri dhe Ardian Sako. 

Report Tv mëson se policia kishte informacion më herët për një ngarkesë të konsiderueshme që po planifikohej të trafikohej nga Shqipëria drejt Greqisë. Kamionët janë mbajtur në vëzhgim prej disa ditësh nga njësia antidrogë e Policisë së Shtetit dhe pasditen e sotme janë ndjekur deri në Kapshticë, ku edhe i janë nënshtruar kontrolleve. Dyshohet se pas tentativës për të trafikuar lëndën narkotike drejt Greqisë fshihet një grup i fuqishëm kriminal. Report Tv mëson gjithashtu se pritet që në orët e ardhshme të ketë disa arrestime.

Njoftimi i Policisë

Kapshticë 

Policia Kufitare në bashkëpunim me Autoritetet Doganore, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, godasin një tentativë të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. 

Gjatë kontrollit të detajuar në vijë të dytë duke përdorur qen antidrogë dhe më pas edhe gjatë skanimit, Policia Kufitare dhe Dogana kanë konstatuar në dy kamione lëndë narkotike.

Po vijon kontrolli i imtësishëm i dy mjeteve. 

Për arsye hetimore, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.

Lajmi në përditësim...