Kaq thellë nacionalistë?

Kaq thellë nacionalistë?
Më ndjeni që në fillim. I ndoqa hap pas hapi të gjitha ngjarjet para dhe pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, por në të gjithë energjinë shpërthyese, në vërshimin e fjalëve dhe veprimeve, nuk shihja asnjë grimcë të ekzistencës time. Si një peshk jashtë ujit, më janë dukur të huaja të gjitha agresivitetet e shprehura edhe në emër të mbrojtjes nga ofendimet e sulmet e serbëve.
A jemi të njëjtët ne? Jemi ne që dimë të rrimë në qetësi e admirim kur vjen Papa apo në Bulevard për festën e Bajramit; të njëjtët e natës së vërshimeve të zhurmshme pas ndërprerjes së një ndeshjeje? Mos po ngatërrojmë pak lojën me nacionalizmin dhe... a ka kaq vërtetë vlerë nacionalizmi pas shekujsh civilizim dhe ëndrrash të një bote pa kufi? E vërtetë, Papa tha në Tiranë se Shqiponja fluturon e lirë, por jo për t’u ngritur në stadiume kokash të nxehta e të rreshtuara në tifozeri.

Njerëzit kërkojnë gjithmonë të rreshtohen diku: o në ndonjë parti, në ndonjë skuadër, në ndonjë fe apo sekt. Besoj se Papa Françesku, kishte në mendje mesazhin e lirisë absolute të individit dhe përmes tij të kombit, kur foli për fluturimin e Shqiponjës.  Në kohën e globalizimit, kur popujt po lidhen, punojnë, shkrihen, gëzojnë e vuajnë me njëri-tjetrin, ne mobilizohemi në masë për provokimet, goditjet e një grupi ultrash serbë, mes të cilëve “Ivani i tmerrshëm”.
Personalisht më duket pak i ekzagjeruar supermobilizimi ynë pas goditjeve të tifozerisë serbe apo të një super të tatuuari, sic është Ivan Bogdanoviç e që arrestohet pas çdo ndeshjeje që luhet nëpër stadiumet e Evropës.

Por nëse marrim anën e mirë të gjithë energjisë që mbushi mbrëmë Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë them se treguam se jemi një popull i ri, i fortë, energjik dhe me një potencial të jashtëzakonshëm për të vepruar.
E vetmja dëshirë që do të shprehja është që gjithë këtë energji ta përdorim për t’u bërë më të mirë, më të pasur, më të lumtur e plot harmoni, në të kundërt, është e frikshme.
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim