Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.AKTIVITET PËRKUJTIMOR E MUZIKOR NË ISH BURGUN E SPAÇIT
Të premten në ish burgun e Spaçit do të mbahet një aktivitet përkujtimor dhe muzikor me praninë e dom Ernest Simon Troshanit. Me këtë rast do të organizohet një meshë e madhe, ku do të jenë pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, ish të burgosur dhe të persekutuar. Tenori Gerald Murrja do të interpretojë vepra të muzikës klasike dhe sakrale, ndërsa të ftuara janë edhe pianistja Fiorda Veizaj dhe violinistja Edlira Shkurti.
2. “DEMOS”, KRYEVEPRA E ARISTOFANIT NË TEATRIN E KORÇËS
“Demos”, një kryevepër e Aristofanit vjen në një interpretim bashkëkohor, me regji nga Altin Basha, mbrëmjen e sotme në orën 19:00, në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë.
3. KTHEHET “PORTO PALERMO FESTIVAL”, ÇELET NESËR EDICIONI VI
Festivali i Porto Palermos vjen në edicionin e tij të gjashtë nga 30 korriku deri më 16 gusht. Sonte, në natën e parë të festivalit interpreton Ansambli Folklorik Shqiptar, ndërkohë që në netët në vijim do të interpretojnë artistë nga zhanre e kultura të ndryshme.
4. “HARTË MEMECE PËR TË MBYTURIT”, PERFORMANCË NË DURRËS “Hartë memece për të mbyturit” nga Arian Leka është performanca teatrore e instalative, që do të vijë nesër në orën 20:00 në shëtitoren “Taulantia” në Durrës. Me regji nga Driada Dervishi, me veprën poetike “Hartë Memece për të Mbyturit”, përkthyer në dymbëdhjetë gjuhë të botës, në 35-vjetorin e eksodit shqiptar, risillen në kujtesë ata që deti i mbuloi me heshtje, por jo me harresë.
5. PANAIRI I VERËS NË LEZHË, PREZANTIM PRODUKTESH DHE FESTË
Panairi i verës është aktiviteti që do të zhvillohet nesër, më 31 korrik 2026 , në orën 19:30, në shëtitoren “Wilson” në Shëngjin (pranë shtatores së At Zef Pllumit). Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit “Turizëm i Qëndrueshëm në Lezhë”, duke promovuar verën shqiptare turizmin lokal dhe produktet e zonës, të ndërthurura me një program artistik në një atmosferë festive.
6. FESTA E MIQËSISË ME MUZIKË ‘LIVE’ TE SHESHI “KASTRIOTËT”
Nesër, më 31 korrik, te sheshi “Kastriotët” në Burrel do të mbahet Festa e Miqësisë, një përkujtim i Kryengritjes Popullore Matjane me një mbrëmje plot ritëm dhe energji me artistët Eugena Aliu, Fjorela, Artan Kola dhe Ori Buna.
7. FESTIVALI FOLKLORIK “JEHONA E TRADITËS” NË POGRADEC
Festivali Folklorik “Jehona e traditës” vjen në edicionin e tij të parë në Pogradec, mbrëmjen e sotme në orën 20:00. Në skenën e Odeonit do të ngjiten këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë folklorikë të rrethit të Pogradecit, për të sjellë tingujt, ritmet dhe ngjyrat e traditës.
8. FESTA E ROSKOVECIT, NJË JAVË AKTIVITETE NË SHESHIN “BAZAAR”
Roskoveci vijon edhe sonte festimet tradicionale. Prej orës 21:00 deri në orën 23:00, mund të bëheni pjesë e festës në sheshin “Bazaar”.
Komente











