Karrigia e Todit

Karrigia e Todit

Dhoma e Tregtisë. Vitet 80.

Një vajzë e vogël sapo ka dalë nga spitali. Apartamenti ku banon së bashku me gjyshen nga ana e të atit, dhe prindërit është mbushur me njerëz. kushërinj. Komshij. Shokë të prindërve. Hyjnë e dalin plot njerëz, me vazo me komposto. Me kuti me biskota. Me ëmbëlsira. Më mollë. Të gjithë duan t’i urojnë shërim të shpejtë vogëlushes që sheh e gëzuar gjithë njerëzit që kanë ardhur posaçërisht për të. Kështu mund të jetë qendra e vëmendjes. Ndonëse është në moshën kur as qendrën, dhe as vëmendjen nuk i kupton posaçërisht. E ndjen. E ndjen që ata njerëz gjenden aty që ajo të bëhet më mirë. Spitali kishte pasur edhe një të mirë. Flokët e qethur, që t’i shtoheshin. Tani mund të kishte edhe ajo flokë të gjata, me dy bishtaleca si Lola, me fjongo të bardha që derdheshin deri poshtë flokëve, si vile të bukura rrushi.

Në Dhomën e Tregtisë kishte shumë gjëra të bukura. Atje punonin për të organizuar Panaire jashtë vendit, për Ekspozitën “Shqipëria Sot”, e plot aktivitete të tjera që vogëlushen e bënin të ndjehej njësoj si nëpër librat me përralla që ende ia lexonte gjyshja.

Një pasdite, në shtëpi erdhi një “xhaxhi”, që vogëlushja e kishte shumë për zemër. xhaxhi Todi. E ku kishte si xhaxhi Todi?! I madh, me shpirt edhe më të madh, xhaxhi Todi ishte marangozi që u jepte “shpirt” të gjitha ekspozitave dhe panaireve ku druri nuk ishte vetëm një raft. Por xhaxhi Todi na kishte një të “keqe” të madhe. Na kishte ai një palë mustaqe që kur të puthte të shponin. E merrte vogëlushen “hopa” dhe e fuste në botën e “çudirave” prej druri. Vogëlushja vetëm “Pinokun” kishte parë në një film Italian. Por xhaxhi Todi i dukej më magjik se Xhepetoja.

Atë pasdite, xhaxhi Todi, futi kokën brenda derës së apartamentit dhe u sul drejt vogëlushes që rrinte me kokën drejt, si ta dinte që gjithçka kishte rëndësi ishte ajo, ulur në kolltukun ku zakonisht mbrëmjeve, i ati lexonte ndonjë libër. Shkurt, në një vend të privilegjuar. Sëmundjet, kishte mësuar vogëlushja, kishin “privilegje”. Në dorë mbante një pako të madhe. Vogëlushes iu zmbadhuan bebet e syrit. Një pako për të. Në këmbim të një puthjeje me mustaqe.

Vogëlushja zbërtheu pakon e lidhur me letër ambalazhi dhe spango. Oh, kishte shumë punë të hapje një pako, sidomos kur mezi prisje të gjeje se ç’ishte futur brenda. Kokat e të rriturve ishin sipër kokës së vajzës, po aq kurioze.

Një karrige, druri, portative. Karrige që hapej e mbyllej. E kuqe. Me një mollë, në shpinë. E gjitha për të. Një karrige, si personazhet e përrallave. Vetëm për të. karrigia që xhaxhi Todi e kishte bërë vetëm për të. Tani edhe kukullat e saj mund të uleshin në karrige, e të mos rrinin më shtrirë te kutia e këpucëve të babait.

Karrigia me një kokër molle e Todit.

Kaluan shumë vite. Shumë kilogramë mollë. Dhe shumë karrige e kolltukë provoi vogëlushja, por asnjëra nuk i mbeti aq gjatë në kujtesë, si karrigia që ndërtoi me duart e veta xhaxhi Todi. Boksieri që i la Tiranës peshën e grushtit të butë, se ishte një njeri aq i fortë.

Askush s’e mban mend se ç’u bë me karrigen e Todi Jankut, por vogëlushja e vendosi në një copë letër të bardhë, me germa të zeza që ashtu të mund ta shihnin të gjithë.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Andi Meçaj: 28/06/2022 15:34

    Shkrim i rrëfyer shumë bukur, nuk e di nëse autorja shkruan letërsi, pasi ka një stil shumë të ngrohtë e njerëzor që të bën ta duash dhe ta përjetosh ngjarjen sikur e ke jetuar vetë. Përcjell emocione me një natyrshmëri të lakmueshme. Urime për zonjën Evis Cerga!

    Përgjigju
  • LORA: 14/09/2021 14:01

    Shuuuume e ndjere dhe e ngrohte.I perkas nje brezi qe e ka jetuar lavdine e boksierit. Todi Janku.Sot po mesoj qe paska qene edhe marangoz i talentuar. Respekt per historine qe Ai beri ne boks. Faleminderit Evis Cerga,per kete skice te bukur,me njerez te bukur .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Data për zgjedhjet 2025/ Presidenti Begaj fton në presidencë përfaqësuesit e PS, PD e kreun e KQZ! Demokratët kanë refuzuar ftesën

Data për zgjedhjet 2025/ Presidenti Begaj fton në presidencë përfaqësuesit e PS, PD e kreun e KQZ! Demokratët kanë refuzuar ftesën