Karvanët luksozë të Bashës përballë përbetimit ndaj njerëzve të varfër

Karvanët luksozë të Bashës përballë përbetimit ndaj njerëzve të varfër

Makinat luksoze që shoqërojnë kreun e PD, Lulzim Basha gjatë takimeve

Deri tani Lulzim Basha dhe këshilltarët e tij të huaj të fushatës janë detyruar të tërhiqen e të fshehin si pasojë e sulmit të Edi Ramës, disa pjesë të aseteve të tyre politike.

Megjithëse në librin që publikoi në ditët e para të fushatës, Basha deklaronte me forcë se nuk do të “vriste babain”, pasi e konsideronte si një “thesar” të PD-së, e për këtë thirrej tek “përvoja konservatore”, për 3 javë e ka fshehur Sali Berishën nga njerëzit, duke e bërë të vërtetë fabulën e Ramës, që e quan “gogol”.

E ka fshehur, edhe pse e ka një nga emrat e skuadrës së tij në qarkun kryesor të vendit-atë të Tiranës.

Megjithëse po në Tiranë, por jo vetëm, Basha ka rreshtuar detashmentin e gjatë të aleatëve të tij të vegjël, ku në siglën elektorale ka shtuar edhe logon AN, si pasojë e sulmeve me “artileri” sarkazme të Edi Ramës, i ka fshehur të gjithë krerët e partive të koalicionit opozitar.

Megjithëse ka firmosur një marrëveshje post-elektorale me Monika Kryemadhin, që nga mitingu i parë e deri më sot, nuk ka pasur asnjë kontakt me aleatin e tij kryesor.

Por ka një gjë që Lulzim Basha nuk e ka ndryshuar në këto 3 javë e pak të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Është karvani luksoz i automobilave fringo e hijerëndë, që e përdor në të gjitha aktivitetet me zhurmë e bujë anëkënd të vendit.

Thuajse e njëjta pamje, fotokopje të çdo takimi, i cili nuk ndryshon aspak nga njëri-tjetri.

Madje janë të njëjtat makina e të njëjtat regjistrime targash.

Një autokolonë me mbi 30, 4×4 lukzoze të markës Range Rover të zinj dhe një Porche full option ngjyrë portokalli.

A thua se nuk është një fushatë e partisë opozitare që përbetohet se formohet nga përfaqësues të thjeshtë të popullit, që ka akuzuar Qeverinë për shpenzime e pasuri marramendëse, por sikur të jetë një Ride i automobilave prototip të të kamurve kapriçozë, që nuk kanë si e shtyjnë ditën, apo që duan t’i japin më shumë adrenalinë përditshmërisë së tyre të mërzitshme.

Karvani luksoz i fushatës së Lulzim Bashës kushton jo më pak se 400 mijë euro, e kaq vetëm pararoja që pushton me zhurmë autostradat, hyn me bujë në unazat e qendrave të banuara, apo zhurmojnë me bori e bërtitje në rrugët e vogla të fshatrave, ku kryejnë ritualin e “banjës njerëzore” që dëgjojnë “njeriun mbi makinë”.

Ka shumë gjasa që edhe këtu, fushata e këshilltarëve të huaj të revizionojë taktikën në ditët e fundit, pasi Edi Rama, sot nga Gjirokastra i kapi metaforën këtij panairi milionash me katër rrota.

Janë drejtorat e doganave, tatimeve, drejtorëve të shëndetësisë, të enteve publike, që pas një pushimi 8 vjeçar shpresojnë të kthehen sërish atje, siç kanë bërë edhe pas vitit 2005, tha pak a shumë Edi Rama.

E që në fakt ishte një metaforë që ngjiti, ngaqë realisht është krejt i pakuptueshëm mesazhi që Lulzim Basha synon t’i përcjellë njerëzve të varfër që kërkon t’u marrë votën, me këtë reklamim kamjeje lëvizëse.

Pak ditë më parë Lulzim Basha vizitoi shtëpinë e një familje të varfër, që akuzonte qeverinë se nuk i ka ndërtuar shtëpi të re pas tërmetit, ndërkohë që ja kishte bërë gjithë fshatit rreth e rrotull.

Mjaftojnë dy Range Rover-a të zinj, apo thjesht ai Porche-ja portokalli, që shtëpia e zotërisë që “mallëngjeu” Lulzim Bashën të ndërtohej brenda dy javësh.

Kush janë këto njerëz që bredhin me automobila të zinj e të shtrenjtë me kilometrazh zero, që lëvizin bashkë me kreun e PD-së në ditët e fushatës?

Kë shtresë përfaqësojnë ata: janë ish-zyrtarë, biznesmenë, apo emigrantë të ardhur nga jashtë për të dhënë shpirtin për “Shqipërinë e varfër”?

Natyrisht që në Shqipëri ka mjaft njerëz në gjendje ekonomike për të blerë makina të mira, e kjo shikohet fare lehtë nëpër rrugë, ku numri i automobilave të rinj vetëm rritet çdo ditë, e ku rrallë shikon prodhime të para vitit 2004.

Në vend ka edhe sipërmarrës, pronarë patundshmërie, njerëz që kanë përfituar nga trashëgimia, që jetojnë mjaft mirë, e që nuk varen nga politika.

Madje ata përbëjnë atë që quhet edhe elektorati gri, apo janë pjesë e militancës si pasojë e historikut të votës që kanë dhënë ndër vite apo familjarisht si traditë.

Por ka gjithashtu një aradhë zyrtarësh që e kanë kthyer të traditë pusho 8 vjet, e puno drejtor 8 vjet, e që janë kthyer në profesionistët e rrotacionin që i bën milionerë tak fak.

Por cilët kategorie i përkasin automobilistët arrogantë të Lulzim Bashës, që i lëshojnë si shuplaka njerëzve në gjendje jo të mirë ekonomike, të kamurin e tyre që futet me bujë e zhurmë kudo?

Aradhës së drejtorëve apo të të larguarve nga vettingu, të fortëve militantë apo biznesmenëve tifozë?

Është një enigmë që natyrisht hap shumë pikëpyetje apo debat, por ky panair kotësie, nuk është gjë tjetër veçse hipokrizia e frikshme e një klase politike që jeton në luks dhe përbetohet për njerëzit e varfër.

Po ku do të shkojnë ky park qindramilionash në rast se Lulzim Basha merr qeverinë?

Natyrisht në garazhin e zyrave të majme të pushtetit, siç kanë bërë gjithmonë…/ Gazeta"Tema" 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër