Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të KAS për të mos pranuar kërkesën për prova të tjera shtesë për zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës, duke e konsideruar si "vendim që u mohoi shqiptarëve të drejtën për transparencën e masakrës zgjedhore"

Me një postim në Facebook, Bardhi i akuzon tre anëtarët e KAS si "shërbëtorë të Ramës", ndërsa thotë se kërkesa e PD u refuzua në mënyrë të paligjshme.

"3 shërbëtorët e Ramës në KAS u mohuan shqiptarëve të drejtën për transparencën e masakrës zgjedhore. Do apo jo Rama, transparenca do të bëhet e plotë!

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ u mohoi sot shqiptarëve transparencën për masakrën zgjedhore të 25 Prillit. 3 anëtarët e zgjedhur nga PS refuzuan, në mënyrë të paligjshme, pa asnjë argument të marrin nga institucionet shtetërore provat që faktojnë se PS përdori burimet shtetërore dhe kriminale për deformimin e vullnetit të zgjedhësve", thotë Bardhi.

Ai akuzon Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ se me këtë vendim, është bërë palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve "duke u hequr shqiptarëve të drejtën për proces të ndershëm zgjedhor".

"Duke refuzuar të marrë dhe administrojë informacionin zyrtar për punësimet masive të paligjshme, përdorimin e personave me rekorde kriminale për blerjen e votave, dhënien e paligjshme të lejeve të legalizimit apo favoreve të tjera shtetërore në këmbim të votave, KAS bëhet palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve.

Ky është një akt i përsëritur, kur  shërbëtorët e Ramës u heqin shqiptarëve të drejtën për një proces të ndershëm zgjedhor. Me vendimin për fletën e ndërlikuar të votimit, për shkak të të cilit vota e 83 mijë qytetarëve u bë e pavlefshme, KAS faktohet si bashkëautor i masakrës elektorale të 25 Prillit.

Edi Rama mund ta pengojë tani, por nuk ka forcë ta ndalojë transparencën për masakrën zgjedhore. Transparenca dhe drejtësia për 25 Prillin do të bëhet e plotë, do apo nuk do Rama dhe veglat e tij në KAS", shton Bardhi.

KAS vendosi sot që ankimi i PD dhe LSI për rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrët do të shqyrtohet duke marrë për bazë vetëm provat e depozituara nga këto dy forca, pa marrë prova shtesë nga institucionet. PD-së, sikurse edhe LSI-së iu rrëzua kërkesa për informacione shtesë.

Më konkretisht, KAS rrëzoi kërkesën e LSI për të marrë prova nga institucionet shtetërore për emigrantët e penguar të votojnë si edhe kërkesën e PD për të marrë informacione nga institucionet si prokurori, polici, INSTAT, Ministria e Shëndetësisë, etj.

PD ka ankimuar rezultatin e 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës, si edhe në 8 qarqe të tjera me argumentin e PS-ja ka blerë masivisht votat nga individë me rekorde kriminale, se ka dhënë leje legalizimesh , ndihma ekonomike, pagesa për tërmetin për vota në favor të socialistëve. Surprizë në kërkesën e tyre ishte se nuk kërkonin rinumërim të votave, por direkt rivotim në këto qarqe, përveç atyre ku dolën fitues.