PRISHTINË, 9 Tetor/ATSH/.- Problemet kronike me të cilat ballafaqohet shoqëria në Kosovë, vazhdojnë të jenë pjesë e Raportit të Progresit të KE-së.
Sipas KosovaPress, ky proces nuk është aq i dëshirueshëm edhe pse, përmban zhvillime pozitive, nëpër të cilat ka kaluar Kosova.
Në këtë raport është reflektuar edhe nevoja për themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të vendit. Ndërsa, Qeveria e Kosovës vlerëson se raporti paraqet gjendjen reale dhe faktike të zhvillimeve 1 vjeçare në vend.
Kështu ka pohuar ushtruesi i detyrës së Ministrit të Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli. "Problemet kronike me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë vazhdojnë të jenë pjesë e raportit të progresit, por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur përparime edhe në këto fusha. Normalisht që progresi nuk është ai i dëshirueshmi, por megjithatë edhe raporti i progresit evidenton qartë se ka përparime në disa fusha", tha ai.
Ai tha se ajo çfarë është shqetësuese edhe për Komisionin Evropian por edhe për Qeverinë, është se çdo vonesë në krijimin e institucioneve mund të ndikojë në vazhdim në proceset e vendit. Kasapolli thotë se publikimi i djeshëm i Raport të Progresit ka bërë të qartë nevojën për themelimin sa më të shpejtë të institucioneve.
Sipas tij, "Raporti i Progresit ka reflektuar rëndësinë e krijimit të institucioneve të Kosovës sa më shpejtë që është e mundur".
Sipas Kasapolli, strategjia e zgjerimit ka vlerësuar përmbylljen e negociatave për Marrëveshje Stabilizim-Asocimi dhe konfirmon progresin drejt përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave./m.m/