Edhe deputeti demokrat Ivi Kaso ka ngritur në Kuvend shqetësimin për dëmet e krijuara në vend nga përmbytjet. Duke paraqitur situatën në qarkun e Korçës, Kaso tha se kanë kërkuar dëmshpërblimin për dëmet e krijuara nga përmbytjet. Ligjvënësi demokrat tha se Kuvendi ka në dorë të zgjedhë nëse do mbrojë qytetarët apo klientët e qeverisë.
“Në Maliq përmbytja është humbje dhe dëshpërim bashkë, por çfarë ka ndodhur që i dha dorë përmbytjes. 66 rezervuar me diga janë lënë pa inspektim. Ura e Maliqit ku u hodhën 208 mln lekë për të rinovuar funksionalitetin historik nuk u shërben banorëve se portat nuk funksionuan. Argjinaturat u çanë dhe u përmbytën prodhimet e bujqësisë. Ku shkojnë këto lekë që nuk shërbejnë as për të parandaluar përmbytjet as për të zbutur dëmet e tyre.
Shqipëria nuk mund të jetë vit pas viti në gjendje emergjence, kemi kërkuar dhe kërkojmë marrjen e masave për mirëmbajtjen e kanaleve. Kemi kërkuar hartë rreziku për përmbytjet dhe ndalim të ndërtimeve të paligjshme ne shtratin e lumenjve. Kemi kërkuar vlerësim të plotë të dëmeve, jemi në kohë të marrim masat për dëmshpërblimin për dëmet e krijuara nga përmbytjet. Dëmet janë njerëzore dhe ekonomike, ky kuvend ka në dorë të zgjedhë të mbrojë qytetarët apo të mbrojë klientelën e pushtetit”, tha Kaso.
Lajmi kryesor:
Kuvend, opozita: Përmbytjet e nëntorit, pasojë e papërgjegjshmërisë së shtetit! Të dëmshpërblehen banorët e dëmtuar











