Katër instrumentistët e familjes së Florian Vlashit, së bashku në Bienalen 2019

Katër instrumentistët e familjes së Florian Vlashit, së bashku në Bienalen 2019

Violinisti Florian Vlashi dhe familja e tij e instrumentistëve janë pjesmarrës në Bienalen e 9-të të Muzikës Klasike me titull “Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer”, që organizohet në Durrës nga 1-7 gusht.

Floriani me bashkëshorten violonçeliste Rediana Llukaçi, pedagoge e muzikës në Kolegjin “Esclavas” në Korunja, dhe me djemtë Danielin dhe Martinin do të jenë përsëri në Bienale, pas përfaqësimit të përbashkët në Bienalen e vitit 2015.

Floriani thotë se fëmijët u rritën mes partiturave, provave të grupit dhe tingujve muzikorë. “Do ta urrenin ose do ta dashuronin muzikën -shprehet violinisti i njohur, duke shtuar: “Për fat të mirë ndodhi e dyta”.

Pjesmarrja e katër instrumentistëve Vlashi në Bienalet “Netët e Muzikës Klasike” dëshmon jo vetëm lidhjet e shumëfishta që kanë me muzikën, por edhe dashurinë për atdheun. Danieli dhe Martini kanë lindur në Spanjë, por flasin një shqipe perfekte, dhe nuk mungojnë asnjëherë në udhëtimet e familjes drejt Durrësit, aty u veç të tjerash janë edhe gjyshërit Gjergj dhe Shpresa Vlashi.

“Një pjesë të jetës e kalojmë në makinë, në rrugë për në koncertet ku na ftojnë, jo vetëm në Spanjë”-tregon Floriani.

Katër pjestarët e familjes Vlashi, që jeton e punon prej 27 vjetësh në Korunja (Spanjë), do të interpretojnë si instrumentistë në koncerte të ndryshme të veprimtarisë që ka nisur dje dhe që do të vijojë për 7 ditë radhazi.

Martini 15-vjeçar ka zgjedhur rrugën e së ëmës në violonçel. Fitues i dy konkurseve ndërkombëtare, një prej të cilëve në Vigo, Martini ka qenë violonçel i parë në Orkestrën e fëmijëve të Sinfonikes së Galicisë, ndërsa ka interpretuar disa herë si solist me grupin “Camerata Brigantina”. 

Danieli tashmë është 22 vjeç dhe në rrugën artistike ka shënuar sukseset e para. Mësimet e violinës i morri nga i jati, ndërsa në moshën 8 vjeçare interpretoi në koncertin e parë si solist. Pas studimeve në Konservatorin e Korunjas, ai fitoi të drejtën të studiojë në Konservatorin kombëtar të muzikës dhe dancit në Lion (Francë), ndërsa do të fillojë specializimin master në Shkollën Superiore të Muzikës “Hanns Eisler” të Berlin-it. Danieli ka fituar disa çmime në konkurse si solist i “Quatuor Confluence”, kuartet që e ka themeluar vetë. Ai punon rregullisht me Orquesta Sinfónica de Galicia edhe me Opera de Lyon, me dirigjente si D. Slobodeniouk, E. Inbal, R. Gamba ose O. Tausk dhe është anëtar i Grupo Instrumental Siglo XX. 

Florian Vlashi, 10 vjet pasi u largua drejt Spanjës nisi në Durrës “aventurën” e Bienales muzikore, që e organizon çdo dy vjet në qytetin e tij të lindjes.

I formuar në shkollat e Durrësit dhe Tiranës si violinist ai ka një karrierë të njohur brenda dhe jashtë Spanjës me koncertet solistike.

56-vjeçari nga Durrësi, violinist në Orkestrën Sinfonike të Galicisë, është bërë shumë i njohur në gadishullin Iberik për themelimin dhe drejtimin e Grupit Instrumental “Shekulli XX”, me të cilin së bashku me instrumentistë nga 16 vende të botës interpreton vetëm muzikë të autorëve bashkëkohorë. 

E gjithë familja Vlashi do të interpretojë për herë të dytë së bashku në një veprimtari të organizuar në Shqipëri.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë