Katër kompani në monopolin e
tenderave të ushqimit në burgje

Nëse arrije t’i fusje në xhep një shumë prej 20 milion lekë të vjetra zv/drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Iljaz Labit, atëherë ishe i përzgjedhuri i tij për të fituar tenderat për furnizim me ushqime në 22 burgje të vendit. Zyrtari Iljaz Labi është arrestuar së bashku me katër biznesmenë të tjerë, të cilët dyshohet se kanë dhënë sasi të konsiderueshme lekësh për të fituar një tender me vlerë 1.4 miliard lekë të vjetra.

Tenderi ka qenë i ndarë në dy lote me vlera të ndryshme financiare, ndërkohë që një tender i tretë me objket “Blerje bulmet dhe Vezë” me vlerë 354.9 milion lekë të vjetra është hapur në 29 qershor 2016 ndërkohë që pritej të mbyllej në 21 korrik 2016, ku pjesëmarëse kanë qenë kompaninë “Vllazni” e Ylber Kalasë, “Dogel” e Elidjan Laskaj, “Nelsa” e Nexhmi Ballës dhe “M.B. Kurti” e Shemsi Sinanit të gjithë të arrestuar.

Tenderi me dy lote
Përveç këtij tenderi, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve janë zhvilluar dhe dy prokurime të tjera. Objekti i prokurimit ka qënë “Blerje mish, bulmet dhe vezë” me qëllim plotësimin e nevojave ushqimore të dënuarve dhe të paraburgosurve të cilët ndodhen në 22 Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Fondi limit në total ka qënë 145.112.049 lekë pa tvsh, të vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit, të ndara në dy lote. Ku loti i parë “Blerje mish” kishte të akorduar fond limit 79.848.166 lekë pa tvsh, ndërsa loti i dytë për “Blerje bulmet dhe vezë” kishte të akorduar fond limit 65.263.883 lekë pa tvsh. Njërin nga këto lote që flet për blerjen e mishit, e ka fituar kompania “Dogel” e Elidjan Laskaj duke fituar 798 milion lek të vjetra.

Si u shmang kompania “Agro Al International”
Gazeta “Shqiptarja.com” mëson se në garë për të fituar lotin e dytë të tenderit 1.4 miliard lekë ka qënë dhe “Agro Al International”. Gara për fitimin e lotit të dytë të këtij tenderi që përllogaritej në 652 milion lekë të vjetra. Mësohet se kompania tjetër konkuruese për fitimin e këtij loti ka qënë “Nelsa” me administrator Nexhmi Balla.

Ky i fundit është ankuar në Komisionin e Prokurimeve Publike duke kërkuar prej tij skualifikimin e kësaj kompani që ishte paraqitur në tender me ofertën 63,306,460.00 lekë pa tvsh ndërsa “Nelsa” me ofertën 65,100,690.00 lekë pa tvsh.KPP ka dalë me një vendim në 8 prill 2016 duke pranuar kërkesën e “Nelsa” dhe urdhëruar KVO pranë Drejtorisë së Burgjeve që të skualifikojë kompaninë “Agro Al International”.

Hetimi i prokurorisë
Në dijeni të këtyre tenderave dhe fituesve të dyfishtë është vënë dhe njësia hetimore Task-Forcë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka filluar hetimet për akuzën e korrupsionit. Disa kompani private, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, përfshiheshin në mënyrë fiktive në procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Sipas informacionit paraprak, dyshohej se këto kompani private realizonin qëllimin e tyre duke bashkëpunuar me zv.Drejtorin e Përgjithshme të Burgjeve. Në bazë të këtij informacioni, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimin, në bazë të të cilit rezultoi si vijon: Administratorët e kompanive “Dogel”, “Vllaznia”, “M.B.Kurti” dhe “Nelsa”, konkretisht, shtetasit Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, bënin marrëveshje për të kryer konkurim fiktiv në tenderat e zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për furnizimin me ushqime.

Nga hetimi ka rezultuar se administratorët takoheshin me njëri-tjetrin dhe binin dakort për pjesëmarrjen në tender, duke shkëmbyer informacionin dhe duke përpiluar dokumentat e pjesëmarrjes në prokurime, në mënyrë të tillë që të fitonte njëri prej tyre, sipas bisedave që ata benin. Administratorët e këtyre shoqërive paraprakisht përcaktonin edhe se cili prej tyre do të dilte fitues në njërin prokurim apo në secilin lot prokurimi.

Shoqëritë, të cilat pranonin të përpilonin dokumentacion për të mos fituar, përfitonin duke lidhur kontrata formale dhe jo formale me shoqëritë fituese dhe operonin në cilësinë e nënkontraktorit me njërën nga shoqëritë fituese.

Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur të provojë me fakte konkrete se administratorët e kompanive kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, me qëllim marrjen në mënyre fiktive të prokurimit me objekt “Blerje bulmet dhe veze”, e cila ka datë lidhje kontrate 31 maj 2016 dhe me vlerë totale të kontratës 22.647.936. Për realizimin e qëllimit, të katër personat e dyshuar kanë biseduar për të paguar në mënyrë solidare të paktën një shumë prej 2 milion lekë të reja te zv.drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iljaz Labi, me qëllim që ky i fundit t’u krijonte lehtësitë e nevojshme gjatë procedurës së prokurimit.

Personi i dyshuar, Iljaz Labi, ka mbajtur në mënyrë kontakte dhe ka zhvilluar takime të vazhdueshme me personat nën hetim, Ylber Kalaja dhe Shemsi Sinani, duke kërkuar prej tyre përfitim për procedurën e prokurimit të datës 31 maj 2016, edhe pse kontraktuesi është subjekti “Nelsa”, me administrator shtetasin Nexhmi Balla. Nga veprimet e tij, del qartë dijenia për kryerjen e procedurës së prokurimit në mënyrë fiktive. Detyra funksionale e tij është pjesë e zinxhirit përkatës që nga fillimi i nisjes së procedurës së prokurimit dhe deri në lidhjen e kontratës.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës