Mëngjesin e 24 shkurtit të vitit 2022, Ukraina u zgjua me shpërthime tw fuqishme. Tanket ruse hynë nga disa drejtime njëherësh dhe në Moskë besohej se gjithçka do të mbyllej shpejt. Ideja ishte e thjeshtë: një goditje e fortë, frikë, kaos, rrëzim i qeverisë në Kiev. Por katër vite më pas, lufta vazhdon dhe bilanci është tronditës.

Në fillim, shumëkush në Kiev mendonte se Rusia do të mjaftohej me lindjen, me Donbasin, duke përmbyllur atë që kishte nisur në 2014 me Krimenë. Por plani i Vladimir Putinit ishte shumë më i madh. Sulm nga Bjellorusia drejt Kievit, nga veriu e lindja drejt Kharkivit e Donbasit, nga jugu përmes Krimesë. Madje edhe zbarkim në Odesa. Një operacion për ta mbyllur çështjen brenda pak javësh.

Goditja simbolike do të ishte Hostomeli. 600 forca speciale ruse zbritën pranë Kievit me synimin për të hapur rrugën drejt kryeqytetit dhe për të rrëzuar Volodymyr Zelenskyn. Por inteligjenca amerikane kishte paralajmëruar dhe kishte dhënë të dhëna të sakta. Komandot u goditën sapo prekën pistën. Blitz-i u shemb para se të niste siç ishte planifikuar.

Forcat ruse arritën deri në periferi të Kievit, kaluan Bucha-n dhe Irpinin. Më pas u tërhoqën. Në prill 2022, rajoni i Kievit u rimor. E njëjta skenë u përsërit në veri dhe në verilindje. Lufta e shpejtë u kthye në luftë të gjatë.

Mariupoli u bë simboli i shkatërrimit. Mijëra të vrarë. Fabrika Azovstal u kthye në fortesën e fundit të mbrojtjes. Kur mbi 2 mijë luftëtarë ukrainas u dorëzuan në maj 2022, qyteti ishte pothuajse i rrafshuar. Sipas OKB-së, 90 për qind e ndërtesave ishin dëmtuar ose shkatërruar. Modeli u përsërit: qytete të djegura, lagje të zhdukura nga harta.

Në Detin e Zi, Ukraina goditi aty ku Rusia nuk e priste. Anija “Moskva”, krenaria e flotës ruse, u fundos. Me kalimin e muajve, një pjesë e mirë e flotës u nxor jashtë loje. Në tokë, ukrainasit kundërsulmuan në vjeshtën e 2022-shit, rimorën Khersonin dhe shtynë rusët pas lumit Dnipro. Ishte momenti kur dukej se balanca mund të ndryshonte.

Por lufta u ngurtësua. Fronti u kthye në vijë të gjatë llogoreje. Përparimet maten me qindra metra. Luftë shtëpi më shtëpi. Dronët u bënë arma kryesore, si në ajër ashtu edhe në tokë. Aviacioni rus nuk arriti kurrë të marrë kontroll të plotë të qiellit ukrainas, një goditje për ambiciet e një ushtrie që pretendon status superfuqie.

Në verën e 2023-shit, kundërofensiva e shumëpritur e Kievit nuk dha rezultatet e shpresuara. Po atë vit, rebelimi i grupit Wagner dhe marshimi i shkurtër drejt Moskës treguan çarje të brendshme në Rusi. Pak më vonë, komandanti i Wagner, Yevgeny Prigozhin, vdiq në një rrëzim avioni që u quajt aksident.

Betejat më të përgjakshme u zhvilluan në Bakhmut dhe Avdiivka. Fitore që u paguan me dhjetëra mijëra jetë. Sot luftimet për Pokrovsk vazhdojnë prej muajsh. Asnjëra palë nuk arrin goditjen vendimtare.

Në gusht 2024, Ukraina hyri në rajonin rus të Kurskut, me shpresën se do ta përdorte si kartë negociuese. Por me rikthimin e presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, situata ndryshoi. Ndihmat ushtarake amerikane u ndërprenë në mars dhe Ukraina u detyrua të tërhiqej.

Sot, rreth 20 për qind e territorit ukrainas mbetet nën kontrollin rus. Sipas vlerësimeve perëndimore, Moska mund të ketë humbur mbi 1.3 milionë ushtarë të vrarë, plagosur ose kapur. Ukraina ndoshta më pak se gjysmën. Shifra që nuk verifikohen dot në mënyrë të pavarur, por që tregojnë përmasën e tragjedisë.

Ndërkohë, Rusia ka shtuar sulmet me raketa dhe dronë, sidomos ndaj sistemit energjetik, duke shfrytëzuar dimrin dhe temperaturat e ulëta. Katër vite pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë, asnjëra palë nuk duket pranë fitores. Lufta është kthyer në një betejë nervash, rezistence dhe konsumimi, me një kosto që rritet çdo ditë./CorrieredellaSera