Një godinë tre katëshe në Lezhë, e cila ishte kthyer në kazino, u godit nga policia në ditën e parë të këtij viti, më 1 janar 2026. Bastisja e këtij ambienti në bulevardin kryesor të Lezhës, “Gjergj Fishta” dhe zhvillimi i aktivitetit të paligjshëm nën hundën e policisë, nuk kaloi pa pasoja. Standardet Profesionale, kur Policia e Shtetit drejtohej nga Ilir Proda, nisën verifikim ndaj bluve dhe vendosën t’i ulet grada ish-drejtorit të Policisë së Lezhës Altin Mena, ndërsa zëvendësi i tij, Taulant Gjoka dhe ish-shefi i komisariatit, Oltion Gjoni, u përjashtuan. Komisioni i Ankimit në Policinë e Shtetit, megjithatë, i zbuti dënimet duke shpëtuar drejtuesit nga përjashtimi.
Nën këtë klimë, nuk vjen si rastësi, prioriteti i shpallur nga drejtuesi i ri i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Më 31 mars, kur mori zyrtarisht detyrën u la porosi vartësve të godasin lojërat e fatit. Kjo qasje, e përthithur nga publiku shumë shpejt, çoi në denoncimet e para. Në adresën zyrtare të e-mailit të drejtorit Skënder Hita, mbërriti një mesazh denoncues për të tjera ambiente të lojërave të fatit në Lezhë, të kamufluara si lokale.
Me këtë indicie, policia zbriti në terren dhe goditi 3 ambiente të paligjshme në Milot dhe Laç...jo vetëm lojëra fati, por edhe drogë. 3 persona u arrestuan, Shkëlzen Preni, 21 vjeç, Dorjan Medha, 33 vjeç, Ylli Veseli, 45 vjeç, ndërsa një i katërt u shpall në kërkim. Në 3 ambientet, policia gjeti dhe sekuestroi 15 makineta, 3 tavolina pokeri dhe sasi kokaine. Zbulimi i tyre pasoi dorëheqjen e drejtorit të policisë së Lezhës, Islor Islami, i komanduar në fillim të vitit, pas largimit të Altin Menës, po pas goditjes së një rrjeti kazinosh.
Një tjetër denoncim i mbërritur në e-mailin e kryepolicit Skënder Hita, angazhoi Policinë e Shtetit në aksion. 4 ambiente për lojëra të fatit, siç denoncimi referonte, u zbuluan në zona të ndryshme të kryeqytetit. 5 persona u arrestuan, dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Xhuljan Kaloshi, 34 vjeç, Klajment Çurri, 47 vjeç, Redion Muka, 42 vjeç, Edmond Ndreka, 49 vjeç, dhe Klodjan Vishkurti, 22 vjeç, ranë në pranga. Në operacionin “Poker”, policia sekuestroi në 4 ambiente të ndryshëm në Tiranë, 16 kompjuterë për lojëra fati, tavolina për lojën “poker”, si dhe sende të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme. Policia e Tiranës, prej 14 nëntorit 2024, drejtohet nga Elton Alushi.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Katër ambiente të përshtatura për organizimin e jashtëligjshëm të lojërave të fatit janë goditur në kryeqytet.
Pesë persona janë arrestuar: Xhuljan Kaloshi, Klajment Çurri, Redion Muka, Edmond Ndreka, Klodjan Vishkurti, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, të gjithë këta pronarë, administratorë apo punonjës në këto ambiente.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar 16 komppjutera për lojëra fati, tavolina për lojën “Poker”, si dhe sende të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
“Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni i koduar “Fati i Lojërave”
Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Zbulohen në Tiranë 4 raste të përshtatjes së ambienteve për zhvillimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, me makineta dhe tavolina pokeri.
Sekuestrohen 16 kompjutera për lojëra fati, tavolina për lojën “Poker”, si dhe sende të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Arrestohen 5 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë (pronarë, administratorë dhe/ose punonjës të ambienteve).
Bazuar në informacionet e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për disa raste të përshtatjes së ambienteve për zhvillimin e lojërave të fatit, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Fati i Lojërave”.
Gjatë operacionit u zbuluan 4 ambiente të përshtatura për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Konkretisht:
-u arrestua shtetasi Xh. K., 34 vjeç, pasi në lokalin e tij u gjetën 5 njësi kompjuterike, me të cilat zhvilloheshin lojëra fati;
-u arrestuan shtetasit K. Ç., 47 vjeç dhe R. M., 42 vjeç, pasi në lokalin në pronësi të 47-vjeçarit, ku ishte i punësuar shtetasi R. M., u gjetën 4 njësi kompjuterike që përdoreshin për lojëra fati;
-u arrestua shtetasi E. N., 49 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. B., 32 vjeç, pasi në një ambient në administrim të 32-vjeçarit, me punonjës shtetasin E. N., u gjetën 7 njësi kompjuterike që përdoreshin për lojëra fati;
-u arrestua shtetasi K. V., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi F. V., 60 vjeç, pasi në një ambient në pronësi të këtij të fundit u gjetën tavolina pokeri dhe sende të tjera që dyshohet se shërbenin për organizimin e lojërave të fatit. 22-vjeçari u kap në flagrancë duke tentuar të prishë provat materiale.
Kontrollet kundër kësaj veprimtarie të paligjshme vijojnë në subjekte dhe ambiente të ndryshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Islor Islami, drejtor i Policisë në Lezhë ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij drejtues pas zbulimit të ambienteve të zbuluara për lojëra fati në Laç dhe në Milot.
Tre ambiente të përshtatura për zhvillimin e paligjshëm të lojërave të fatit si dhe për përdorimin, blerjen dhe shitjen e lëndëve narkotike, janë zbuluar nga një operacion policor në Milot dhe Laç.
Kjo ngjarje ka pasur më pas me dorëheqjen e drejtorit të Policisë së Lezhës Islor Islami.
Në pranga kanë rënë Shkëlzen Preni, Dorjan Medha dhe Ylli Veseli, në kërkim është shpallur Pejtër Lleshi ndërsa një tjetër është vënë nën hetim në gjendje të lirë. Të gjithë këta janë pronare ose administratorë të këtyre ambienteve.
Sakaq, Policia gjeti dhe sekuestroi 15 makineta, 3 tavolina pokeri dhe sasi kokaine.
Për të dyja rastet, si Lezha dhe Tirana, sipas burimeve, denoncimet janë bërë në adresën elektronike të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
“Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni i koduar “Rastet”.
Operacioni u zhvillua pas informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Zbulohen në Milot dhe në Laç, 3 raste ku kishin përshtatur ambientet për lojëra fati me makineta dhe tavolina pokeri.
Njëri prej ambienteve, gjithashtu i përshtatur për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Sekuestrohen 15 makineta, 3 tavolina për lojën “Poker”, sasi lënde narkotike Kokainë, shumë parash, si dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Arrestohen 3 shtetas, procedohet penalisht 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 (pronarë dhe/ose administratorë të ambienteve).
Bazuar në informacionet e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për disa raste ku ishin përshtatur ambientet për zhvillimin e lojërave të fatit, me makineta dhe tavolina pokeri, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Rastet”.
Gjatë operacionit u zbuluan 3 ambiente të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, dhe u konstatua se te njëri prej tyre gjithashtu përdoreshin dhe shiteshin lëndë narkotike. Konkretisht, për këto raste:
-u arrestuan shtetasit Sh. P., 21 vjeç dhe D. M., 33 vjeç, dhe u procedua penalisht shtetasi S. Sh., 61 vjeç, pasi në një lokal në Laç, në pronësi të shtetasit të proceduar, subjekt i cili dyshohet se bashkadministrohej nga 2 të arrestuarit, u gjetën 8 makineta, 2 tavolina dhe sende të tjera për lojëra fati, si dhe sasi lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza;
-u arrestua shtetasi Y. V., 45 vjeç, pasi në lokalin e tij, në Milot, u gjetën 6 pajisje dhe sende me të cilat luheshin lojëra fati;
-u shpall në kërkim shtetasi P. Ll., 31 vjeç, pasi në një ambient në pronësi të tij, në Milot, u gjetën 2 makineta, 1 tavolinë dhe sende për lojëra fati. Punohet për kapjen e 31-vjeçarit.
Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie, vijojnë në subjekte dhe në ambiente të ndryshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Komente











