Ashtu si çdo pastrim pranveror, ashtu siç natyra nuk ripropozon bimët që asgjë të mirë nuk sollën në evolucionin tonë, kështu, ne duhet të bëjmë me njerëzit në politikë: T’u themi Jo! disave që në 4 vite drejtim asgjë s’bënë, përkundrazi, pas qershorit 2013 ngritën mure më të lartë mes tyre dhe qytetarëve të lirë.
1) Asnjë votë atyre që harruan mirësjelljen si një virtyt njerëzor!
Një kategori e gjerë politikanësh shqiptarë, sapo marrin votat që gjatë fushatës me ngulm e me lajka i fitojnë, të parën punë në të cilën përkushtohen e dinë ta bëjnë mirë është ngritja e mureve me tulla të larta betoni që ndan ata nga qytetarët apo struktura të tjera para të cilave duhet të japin llogari. 4 vite, asnjë përgjigje kërkesave, propozimeve, projekteve të njerëzve të thjeshtë. Vetëm atyre që u shërbejnë në misionin e mbajtjes së pushtetit sa më gjatë. Zero votë për këtë kategori.
2) Asnjë votë për ata që u zbuluan gënjeshtarë!
Politikanë të ndryshëm, për të ardhur në pushtet premtuan se do të realizonin gjëra që çelën dritën e shpresës tek shumë qytetarë. Do të bënin këtë, apo atë. Të gjithë, brenda tyre dinë, kanë parë e kanë vëzhguar se si shkuan dhe çfarë u bë në 4 vite pushtet. 0 vota për ata që gënjyen, dhe votën vetëm për ata që për njerëzit e thjeshtë punuan përditë.
3) Asnjë votë kujt ndënji në pushtet vetëm duke krijuar iluzionin e punës së mirë.
Pati dhe nga ata politikanë që iu përgjigjën kërkesave të njerëzve me fjalë të mira, por asnjë hap konkret për përmirësim. Këta janë ata manipulatorët profesionistë, të cilët kurrë nuk do të kenë guximin t’u thonë zgjedhësve Jo. Por faktet e punëve tyre flasin më mirë: Asnjë punë të dobishme për komunitetin dhe për krijimin e një klime të barabartë.
4) Asnjë votë për kë shtoi në këto katër vite pasurinë duke qenë thjeshtë një nëpunës shteti!
Jetojmë në një vend të vogël dhe njohim mirë në sipërfaqe të gjithë. Kush nuk e ka marrë vesh se aksh politikan ka bër në këto vite një supervilë, ka çuar fëmijët në një shkollë që kushton se 4 vjet rrogë një vit, ka blerë makina luksi për gruan apo fëmijët dhe në shtëpi, ka marrë kuzhinier e 3 shërbyes të rinj. Pasuria e tyre duket kudo pa qenë nevoja të njohësh llogaritë bankare në detaje: në veshje, pushime, makina, pasuri imobiliare. Asnjë votë për ata që u pasuruan me një rrogë modeste shteti.
5) Asnjë votë për kë mori votat duke sharë të këqinjtë e pastaj i bëri ata aleatë të ngushtë!
Shqiptarët në këto 25 vite liri e demokraci janë të lodhur me një film që kanë parë gjithnjë të përsëritur pa fund: Në Shqipëri fitojnë vetëm të këqinjtë. Asnjë meritokraci nuk do të nxjerrë në sipërfaqe më të mirët veç meritës së servilëve apo të atyre që janë forcuar padrejtësisht ekonomikisht. Asnjë votë për kë, edhe pse premtoi se do të luftonte të këqinjtë, i bëri ata aleatët e vet më të mirë.
6) Asnjë votë për kë bëri të fortin me të brishtët e të brishtin me të fortët!
Në vendin tonë mbetet një ëndërr që lind e perëndon lehtësisht: Ajo e fundit të disa të fortëve që janë bërë të fortë duke thithur e shfrytëzuar brishtësinë e një populli në zhvillim. Me përjashtim të disa talenteve në biznese që njihen nga të gjithë, shumica është pasuruar dhe forcuar ose me trafiqe të mirëfillta droge, parash apo lëndësh të tjera, ose me miklimin e politikës nga e cila pastaj kanë marrë çdo të mirë. E pra, nëse në qendrën tuaj të votimit do të keni përballë një politikan që ka ndihmuar njerëz të tillë jepini një kënaqësi të thellë vetes: Mos i votoni. Aty është forca e çdo njeriu të lirë dhe po aty nis dobësia e çdo politikani.
7) Asnjë votë politikanëve që s’dalluan të mirën nga e keqja!
Jo vetëm kemi politikanë që s’dallojnë të mirën nga e keqja, por qëllimisht mbështetën të keqen në këmbim favoresh reciproke. Ndryshe nga ç’premtuan para njerëzisë bënë vetëm një gjë që akush nuk e priste: Jo vetëm mbajtën gjallë të keqen, por e ushqyen atë përditë me kujdes të veçantë për të mos u dobësuar apo zhdukur. Nëse në horizontin tonë do të ketë politikanë të tillë për t’u votuar… pse të mos i vëmë kryqin e shuarjes. Larg Shqipërisë njerëz të tillë!
8) Asnjë votë politikanëve që nuk ju dhanë asnjë përgjigje!
Një politikan dihet, nuk i ka të gjitha mundësitë dhe as shkopin magjik të realizojë atë që i kërkon elektorati, por kjo nuk duhet të përkthehet në një shmangie, largim, mure të ngritura sa më të larta përditë ndaj njerëzve të thjeshtë që janë nga ana tjetër e pushtetit. Ky është një gabim që kërkon ndëshkim. Përmes votës!
9) Asnjë votë për atë politikanë që në gjithë këto vite nuk bënë asgjë për interesin e përgjithshëm, por punuan vetëm për të forcuar egon personale!
Figura të spikatura në politikë punuan shumë mirë për veten e tyre, u forcuan e shkëlqyen duke dhënë fare pak ose aspak për komunitetin. Fare e lehtë t’i dallojmë cilët janë e çfarë bënë për t’ua prezantuar llogarinë elektorale në këtë qershor: Asnjë votë për ata që s’menduan të bëjnë asgjë të mirë.
10) Zemra na jep gjithnjë këshillat më të mira.
Edhe pse duket se mëndja i bën llogaritë më të sakta, vetëm nëse do të “mendojmë” me zemër, do të arrijmë të kemi për vete e të afërmit tanë gjërat më të mira. Zemra mbetet e ngrohtë kur rreth e rrotull ka njerëz pozitivë. Një politikan është zbatues projektesh, ëndrrash njerëzore dhe nëse afër jush keni një të tillë vetëm atij i thoni PO. Të tjerët mbajini larg sepse janë vetëm ftohës të pandreqshëm zemrash! Për çdo shtëpi.