Ndoshta vend për bisedime ka shumë, sepse jo me të gjithë mund të jenë të kënaqur, por loja e futbollit është një sport që kërkon shënimin e golave, të qenit i rrezikshëm te kundërshtari, klas në driblim, zemër dhe sakrificë për të vrapuar, por në fund për të ofruar edhe garanci për portën tende.
Dhe në bazë të këtyre karakteristikave, duke u bazuar në të dhënat e FIFAs, në përfundim të fazës në grupe, shifrat nënvizojnë se pesë karakteristikat e sipërpërmendura korrespondojnë me pesë emra që të gjithë i njohin shumë mirë. Herri Kejn – Sulmuesi i Anglisë është golashënuesi më i mirë i turneut, pas fazës së grupeve. Gjiganti i Totenhemit ka realizuar pesë gola, për të cilët nuk i është nevojitur ndeshja e tretë kundër Belgjikës, por i ka realizuar në 180 minutat e para, konkretisht kundër Tunizisë (2 gola) dhe Panamasë (tripletë). Prandaj, Ronaldo dhe Lukaku (4 gola) janë të paralajmëruar.
Nejmar ka realizuar vetëm një gol, e kërkoi të dytin me shumë egoizëm kundër Serbisë por nuk e gjeti, ndonëse pas tri ndeshjeve të para, sulmuesi brazilian meriton çmimin e “lojtarit më të rrezikshëm” për rivalët, duke qenë se ai ka krijuar 11 raste për gol, duke llogaritur brenda kësaj shifre edhe asistet për shokët e tij. Prandaj, për të gjithë kundërshtarët Nejmar është një nga ata që duhen mbajtur nën kujdes.