Kek me mollë, rrush të thatë, konjak dhe kanellë

Përbërësit:

  • 2 mollë
  • 2 vezë
  • 130 gr sheqer
  • 150 gr miell
  • 100 ml vaj luledielli ose ulliri
  • 1 pako fryrës për ëmbëlsira
  • 60 gr rrush i thatë
  • 1 lugë çaji kanellë pluhur
  • ½ filxhan kafeje konjak ose rum
  • Lëngu i ½ limoni
  • Pak sheqer dhe kanellë

Përgatitja:

Vendosim rrushin e thatë në ujë të nxehtë për 10 minuta. E shtrydhim mirë dhe shtojmë: konjakun, lëngun e limonit dhe kanellën. E lëmë mënjanë të marinohet. Ndërkohë qërojmë mollët, i presim në kubikë dhe i lëmë mënjanë (½ e një molle e lëmë për sipër në fund). Rrahim vezët me sheqerin derisa masa të zbardhet. Shtojmë vajin, më pas shtojmë miellin e situr me fryrësin dhe e përziejmë derisa masa të bëhet homogjene. Në fund shtojmë mollët dhe rrushin e përgatitur duke e përzier lehtë me lugë. Hedhim masën në një tepsi të shtruar me letër furre. E hapim mirë në sipërfaqe. Sipër vendosim fetat e mollës, pak sheqer dhe kanellë. E pjekim në furrë të parangrohur në 180°C për 40–45 minuta. E nxjerrim nga furra, e lëmë të ftohet pak dhe më pas e shërbejmë.