Gjysmëfinalja e parë e kampionatit Europian po troket dhe protagonistët e Itali-Spanjë kanë nisur të flasin për përballjen që do përsëritet për herë të katërt radhazi në katër Europianët e fundit.
Luis Enrike, trajneri i La Roha-s, ka folur me superlativa për Italinë: “Tani po bëhet gjithnjë e më vështirë, pasi do të takojmë një kundërshtar argëtues. Unë e dua Italinë, sidomos Romën ku kam punuar për një vit. Është kënaqësi të luajmë kundër tyre, por e dimë që janë shumë intensiv.”
Ndërkohë sulmuesi i iberikëve, Dani Olmo, ka shumë besim te Spanja, ndërsa ka vlerësuar maksimalisht edhe kundërshtarin e gjysmëfinales.
“Dy prej ekipeve më të mira në botë do të luajnë kundër tyre. Si Spanja ashtu edhe Italia luajnë futboll sulmues, spektakolar. Përballja do jetë e vështirë, ndërsa detajet do bëjnë diferencën. Nuk e kemi frikë Italinë, por i respektojmë ata,”-u shpreh Olmo.
Për gjysmëfinalen kundër Italisë Spanja me shumë mundësi nuk do ketë në dispozicion Sarabian, ndërsa ka rikuperuar qendërmbrojtësin Laporte. Sfidën në Londër do ta gjykojë gjermani Felix Brych, ndërsa vlen edhe për të theksuar se 14 ndeshjet e fundit kundër njëra-tjetrës Italia ka fituar vetëm dy.