Këndi i ekspertit, Edlira Elezaj: Ulçera, simptomat dhe kurimi i saj

Këndi i ekspertit, Edlira Elezaj: Ulçera, simptomat dhe kurimi i saj

Edlira Elezaj

Emisionit tashmë të mirënjohur të Report Tv “Këndi i Ekspertit”, i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, i është shtuar edhe një rubrikë tjetër ajo e ekspertit mjekësor, që do të trajtojë problemtikat e ndryshme shëndetësore që kanë qytetarët.

Në puntatën dytë të rubrikës “Mjeku im” ka qenë e ftuar Edlira Elezaj, mjeke gastrohepatologe në Spitalin Kontinental. Mjekja ka folur për një nga sëmundjet më të shpeshta, sidomos në një moshë madhore, por jo vetëm, ulçerën e stomakut. Doktoresha Elezaj ka sqaruar për simptomat e kësaj sëmundje, faktorët që ndikojnë në të, trajtimin e saj, mënyrën si duhet të ushqehemi si dhe të gjitha detajet e tjera.

Shpeshherë ndodh që të kemi dhembje stomaku, ndoshta shkak mund të jenë ushqimet, urthi apo shkaqe të tjera. Si mund ta kuptojmë që vuajmë nga ulçera?

Në fakt për sëmundjen ulçeroze është folur edhe në emisione të tjera televizive, por duke qenë se mjekësia është një shkencë që bën përditësime të reja, në lidhje me të rejat e fundit, unë mendoj që asnjëherë nuk është e tepërt që ne t’i rikthehemi diagnozave të ndryshme, në mënyrë që të jemi pranë teleshikuesve me të rejat më të fundit në lidhje me sëmundshmërinë që ata kanë. Kur themi sëmundje ulçeroze, në fakt kemi parasysh ulçerën e stomakut dhe ulçerën e duodenit, që në fakt janë dy gjendje të ndryshme, si për sa i përket zhvillimit ashtu edhe për sa i përket trajtimit të tyre. Më e shpeshtë nga këto të dyja, është ulçera e duodenit. Duodeni është fillimi i zorrës së hollë.

Së pari, të sqarojmë se çfarë është ulçera. Ulçera është një plagë në murin e stomakut apo në murin e duodenit, i cili është fillimi i zorrës së hollë. Është një defekt i mukozës, një gërryerje e mukozës dhe shpesh, në gjuhën popullore, pacientët na e referojnë si një puçërr në stomak. Pra, ajo që ne e takojmë në terminologjinë popullore është një puçërr në stomak. Në fakt është një ulçer, është një defekt i mukozës, një gërryerje e mukozës së stomakut ose mukozës së duodenit.

A duhet të jemi kujdes edhe me ushqimet? Në rast se konsumojmë limon, i cili ka aciditet çfarë ndodh?

Në shkaktimin e sëmundjes ulçeroze ka një sërë faktorësh, pra janë faktorë kompleksë që e shkaktojnë këtë sëmundje. Por duke qenë se në zhvillimin e saj një rol të rëndësishëm luan rritja e aciditetit të stomakut, sigurisht që përdorimi i këtyre ushqimeve, të cilat kanë nivel të lartë aciditeti do t’i acaronte shenjat klinike të sëmundjes. Kështu që një dietë e kujdesshme, pa e tepruar me këto ushqime, do ta ndihmonte shumë të sëmurin në lehtësimin e simptomave që do të paraqiste.

Cilat janë moshat që preken më shumë nga kjo sëmundje? Mund të jenë të gjitha apo mund të jetë një moshë e caktuar?

Sëmundja ulçeroze, në fakt ulçera e duodenit është më e shpeshtë dhe sigurisht me ecuri më të mirë dhe me natyrë të mirë, me natyrë beninje, në lidhje me ulçerën e stomakut. Moshat më të prekura nga ulçera e duodenit janë mosha relativisht më të reja, rreth 10 vite më të reja sesa mosha e personave të cilët preken nga ulçera e stomakut. Pra, ulçera e stomakut takohet në persona që kanë një moshë më të lartë, në dekadën e pestë dhe të gjashtë të jetës, në krahasim me ulçerën e duodenit që takohet në mosha relativisht më të reja.

Cilët janë faktorët që ndihmojnë për të shmangur sa më shumë këtë sëmundje? Mund të jetë dieta e mirë ushqimore, ushtrimet fizike, ushqyerja me orar, mospirja e duhanit dhe e alkoolit?

Shkaktarët e sëmundjes ulçeroze në fakt janë disa. Fillimisht unë do të rendisja helikobakterin pilouri, që është një mikroorganizëm i cili merr pjesë në shkaktimin e sëmundjes ulçeroze. Sigurisht që nuk është i vetmi. Abuzimi me përdorimin e medikamenteve antiinflamatore si aspirinat indometacinë që pacientët i përdorin për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, p.sh. të atyre reumatizmale, është një faktor tjetër që çon në shkaktimin e sëmundjes. Gjithashtu abuzimi me alkoolin është një faktor i rëndësishëm për shkaktimin e sëmundjes.

Ulçera e duodenit është një ulçer që haset më shpesh, është beninje, është e kurueshme, në ndryshim nga ulçera e stomakut që është një ulçer që duhet parë me seriozitet pasi në përgjithësi, ulçerat e stomakut janë ulçera me natyrë jo të mirë, janë ulçera malinje.

Sa e rëndësishme është që të drejtohemi te mjeku specialist, pasi ndiejmë që kemi shqetësime në stomak?

Sigurisht që konsulta me mjekun specialist është shumë e rëndësishme, pasi i gjithë suksesi, i të dyja palëve, pra edhe i pacientit edhe i mjekut, është që sëmundja të diagnostikohet në faza të hershme. Me fillimin e simptomave të para, konsulta me mjekun është tepër e domosdoshme. Një sëmundje e kapur në fazat e hershme të saj, sigurisht që është plotësisht e trajtueshme, përfshirë këtu edhe tumoret e stomakut. Kur ato kapen në stade të hershme, janë plotësisht të kurueshme.

Kam lexuar disa materiale, ku mjekët thonë që mezi i kapin rastet e kësaj sëmundjeje që në fillesat e saj. Si është situata?

Në fakt, kjo është e vërtetë për disa arsye. E para është që të sëmurët transkurohen, ose më saktë vetëmjekohen. Rëndom, në praktikën e përditshme ndeshim pacientë, të cilët kanë pasur çrregullime të stomakut apo dhembje të stomakut dhe u drejtohen farmacive. I bien për shkurt me ilaçe, të cilat thjesht i qetësojnë për momentin, por në fakt ato mund të vonojnë një diagnozë. Situata nuk do të ishte e njëjtë nëse sëmundja do të kapet në stadin e hershëm, në krahasim me rastet kur do të kapet në stade të avancuara. Së dyti, pavarësisht se kohët e fundit kjo gjë ka ardhur duke u zbutur, por pacientët e kanë tepër të vështirë që të pranojnë gastroskopinë. Është një kontingjent pacientësh, të cilët mund të kenë pasur edhe përvoja personale të mëparshme, dhe gastroskopia u është dukur një ekzaminim tepër i vështirë. Gastroskopia ose skopia e stomakut apo sonda siç quhet në gjuhën popullore, nuk është e vështirë për t’u bërë. Sot ky ekzaminim është shumë komfort për të sëmurin, pasi ekzaminimi kryhet me sedacion. Për kontigjentet e pacientëve, të cilët mendojnë se nuk e tolerojnë, ka një zgjidhje. Zgjidhja është sedacioni. Puna bëhet në ekip, bëhet nga mjeku gastrohepatolog që bën procedurën, bëhet dhe nga mjeku reanimator, i cili është te koka e pacientit për ta seduar, në mënyrë që pacienti të mos e ndiejë ekzaminimin. Sot ky ekzaminim bëhet në kushte optimale, por ama është i vetmi ekzaminim që përcakton diagnozën. Është i padiskutueshëm. Me asnjë lloj ekzaminimi tjetër nuk kapen sëmundjet e stomakut, përveçse me gastroskopi. Është ekzaminimi më i saktë sepse me anë të tij shihet direkt problemi i stomakut.

A mund të ndodhë hemorragji gjatë këtij ekzaminimi?

Absolutisht jo gjatë ekzaminimit. Ndërsa ulçera po. Ulçera në vetvete është një plagë në mukozën e stomakut dhe sigurisht që kur ajo është e lokalizuar pranë zonave që kanë enë gjaku, me kalibër pak a shumë të madh, mund të bëjë hemorragji. Hemorragjia është një nga komplikacionet e sëmundjes ulçeroze. Ndërsa nga endoskopia nuk ka absolutisht asnjë shans që të sëmurit t’i shkaktohet hemorragji. Është një ekzaminim që konsiston vetëm në këqyrjen e problemit. Aparatura kalon në kavitetin e tubit tretës, në një kavitet që është ezofagu, stomaku dhe duodeni.

Unë vuaj nga ulçera në duoden. Kam disa vite që trajtohem. A zhduket kjo lloj ulçere dhe si ta kuptoj unë që nuk e kam më?

Unë dua të them që sëmundja ulçeroze është një sëmundje e shërueshme. Në të gjitha rastet, sëmundja ulçeroze shërohet. Në qoftë se ajo diagnostikohet me endoskopi dhe mjekohet me një mjekim korrekt, me skema shumë të mira të mjekimit, sëmundja ulçeroza ose ulçera e duodenit zhduket plotësisht. Nuk do të thotë që një person që ka vuajtur një herë nga ulçera do të vazhdojë gjithë jetën të vuajë nga kjo sëmundje. Absolutisht jo. Ulçera mund të jetë mbyllur dhe zonja, me anën e gastroskopisë e të një rikontrolli mund ta konfirmojë mbylljen e procesit ulçeroz. Sigurisht që është e trajtueshme dhe e kurueshme plotësisht.

Pasi kemi kryer mjekimin, a duhet të bëjmë kontrolle të vazhdueshme edhe nëse ndihemi mirë dhe nuk kemi më shqetësime? Nëse ulçera zhduket a ekziston mundësia që të rishfaqet më vonë?

Në ndryshim nga disa diagnoza të tjera, sëmundja ulçeroze kërkon një trajtim të zgjatur. Në fakt këtë e vendos mjeku specialist që ka bërë endoskopinë, në varësi të situatës që ai ka gjetur në stomak. Praktikisht, brenda katër javëve, me një mjekim korrekt, përfshirë edhe me prezencën e dy antibiotikëve, në qoftë se ka qenë prezent heliktobakteri pilori, ulçera mbyllet, sigurisht kur i sëmuri ka qenë korrekt edhe në marrjen e mjekimeve.

Dhe në të gjitha rastet, në gastroskopinë e kontrollit që realizohet katër deri gjashtë javë pas fillimit të mjekimit, kjo gjë konfirmohet. Gjithnjë, në qoftë se pacienti nuk ka pasur faktorë që e kanë acaruar gjendjen, nëse nuk ka marrë preparate antiinflamatore dhe kortizonikë, nëse nuk ka përdorur alkool apo duhan, sigurisht që sëmundja ulçeroze mjekohet dhe mbyllet brenda katër javësh.

Kjo konfirmohet edhe me gastroskopinë e rikontrollit. Sigurisht që është mjeku ai që do të vendosë se sa do të vazhdojë trajtimi më pas, i cili mund të jetë në varësi të situatës, mund të zgjasë edhe me disa muaj, sigurisht me një dozë të ulur mjekimesh, e cila quhet dozë mbajtëse.

Aq më tepër kjo është e domosdoshme te personat që do të kenë prezentë gjatë hetës së tyre, faktorë që mund t’i rëndojnë, si p.sh. personat që përdorin preparatet që përmenda më lart antiinflamatorët, kortizonikët, personat që konsumojnë alkoolin, duhanin. Pra është një kontingjent personash që kanë nevojë për të pasur një terapi mbajtëse më pas.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej