Këndi i Ekspertit/ Gjendra e tiroides, simptomat e sëmundjes dhe si kurohet

Këndi i Ekspertit/ Gjendra e tiroides, simptomat e sëmundjes dhe si kurohet

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” ka qenë e ftuar Klodiana Poshi, mjeke endokrinologe pranë Spitalit “Kontinental”. Doktoresha ka folur rreth sëmundjes e gjëndrës së tiroides. Mjekja Klodiana Poshi ka sqaruar çfarë është gjëndra tiroide dhe çfarë ndikimi ka në organizëm kjo sëmundje, si dhe simptomat që e zbulojnë këtë sëmundje. Më pas ekspertja jonë u është përgjigjur live pyetjeve të shikuesve të Report TV.

Sot do të flasim për gjëndrën e tiroides. Çfarë është gjëndra tiroide dhe çfarë ndikimi ka në organizëm kjo sëmundje?

Glandula e tiroides është e vendosur në regjionin cervikal ose në pjesën e qafës. Është e përbërë nga dy lobe ose dy pjesë, nga lobi i majtë dhe nga lobi i djathtë. Ajo prodhon dy hormone shumë të rëndësishme për trupin tonë: T3 dhe T4. Që këto dy hormone të prodhohen në normë duhet që në organizmin tonë të jetë i pranishëm jodi, të cilin ne e marrim nëpërmjet një sërë ushqimesh, siç janë brokoli, veza, peshku dhe produkte të tjera.

Si ta kuptojmë që vuajmë nga gjëndra e tiroides?

Kemi dy aspekte ose dy kategori madhore pacientësh, që ne i klasifikojmë të induktuar nga dozimi hormonal. E para është kur ne kemi mungesë, kur gjëndra tiroide në organizmin e individit nuk prodhon hormone mjaftueshëm. Mjekët e njohin këtë me terminologjinë hipotirozë. Ndërsa nëse kemi një shtim, mbi vlerat e normës së hormoneve T3 dhe T4 në organizëm, atëherë njihet me termin hipertirozë. Individi i cili vuan nga hipotiroza, ka këto shenja: i thyhen thonjtë, rënie flokësh, është më i ndjeshëm ndaj të ftohtit, ka pagjumësi, është më depresiv. Personat që kanë mungesë të hormoneve T3 dhe T4 janë shumë të qetë, pothuajse apatikë. Ndërsa në rastin kur individi vuan prodhimi i shtuar i hormoneve T3 dhe T4, që në terminologjinë mjekësore njihet me termin hipertiroza, shfaq këto shenja: nervozizëm pa shkak, ka ndjesinë e të nxehtit më shumë sesa ambienti, ka lëkurë të djersitur kryesisht në pjesën e duarve dhe të shputave të këmbëve, pra djersitet pa shkak edhe kur qëndron pa lëvizur. Në rastet e hipertirozës, personat ndiejnë takikardi, pra një ritëm të shpejtuar të rrahjeve të zemrës.

Flas nga Berati. Unë vuaj nga tiroidet. Vuaj nga funksioni i lartë i tyre. Kam shumë të rrahura zemre. Natyrisht që marr mjekim, por nuk më ulen të rrahurat e zemrës. Trajtohem me Unimazol dhe Atenolol prej 10 vitesh.

Zonjës i këshilloj që të ribëjë ekzaminimet e duhura për të parë edhe një herë nivelin e funksionit hormonal të tiroides. Pastaj, pas marrjes së përgjigjeve të ekzaminimeve duhet të bëjë një konsultë me mjekun endokrinolog dhe me mjekun kardiolog për të rishikuar dozë e mjekimit.

Unë vuaj nga tensioni dhe nga diabeti. Kam disa muaj që kam shumë rrahje zemre. Megjithëse i pi me rregull mjekimet që më ka dhënë mjeku kardiolog, përsëri kam rrahje të shtuara të zemrës. I kam bërë edhe analizat e tiroideve dhe më kanë dalë mirë.

Meqenëse zonja tha se vuante nga diabeti, unë i këshilloj që të bëjë edhe një herë analizat për matjen e glicemisë në mëngjes dhe në darkë, sepse një diabet i çekuilibruar, me vlera jo normale, jep çrregullime në sistemin kardiovaskular. Zonja duhet të konsultohet me mjekun kardiolog për të gjetur shkakun e këtij çrregullimi të ritmit të zemrës. I jap këtë këshillë, që të përqendrohet më shumë te diabeti, meqenëse zonja tha se analizat që kishte bërë në lidhje me funksionin e tiroideve i kanë dalë në vlerat normale.

Flas nga Korça. Jam operuar nga tiroidet para dy viteve sepse kisha pagjumësi. Edhe pas operacionit më vazhdon pagjumësia. Analizat e tiroideve më kanë dalë në vlera normale. Edhe mjekimin e marr rregullisht. Pse ndodh kjo?

Nuk ka lidhje dhe nuk ka probleme. Unë mendoj që pagjumësia zonjës nuk i vjen nga tiroidet, për aq kohë sa tiroidja funksionon normalisht. Pagjumësia mund të vijë nga shkaqe të tjera. Zonja mund të jetë anemike, kështu që unë i sugjeroj të bëjë analizat e gjakut.

Jam një paciente që kurohem për tiroidet me mungesë jodi. Edhe pse unë e marr rregullisht mjekimin çdo mëngjes, vazhdoj të kem të njëjtat shqetësime, si dobësi, rënie flokësh, ndjehem shumë e pafuqishme fizikisht. Çfarë më këshilloni?

Kur fillohet trajtimi mjekësor duhet që ekzaminimet e funksionit të hormoneve të gjëndrës tiroide të kryhen aq herë sa është e nevojshme për të vlerësuar funksionin hormonal dhe për të përshtatur dozën e mjekimit, e cila mund të ndryshojë në varësi të përgjigjeve të marra nga ekzaminimet e nevojshme. Unë tani nuk mund të gjykoj saktë nëse zonja merr dozën e duhur të mjekimit sepse nuk i di se si janë vlerat e funksionit hormonal të tiroides së saj. Meqenëse zonjës i vazhdon rënia e flokëve, paralelisht ajo duhet të kontrollojë me anë të analizave mjekësore vlerat e gjakut sepse diagnoza e hipotirozës nga e cila vuan zonja shoqërohet edhe me anemi, dhe kryesisht me mungesën e vitaminës B12. Prandaj unë i rekomandoj një analizë gjaku komplet dhe kontrollin e sasisë së vitaminës B12. Pastaj duhet të bëjë një konsultë me mjekun endokrinolog, për të parë nëse është e mjaftueshme doza e mjekimit që ajo merr, në kushtet aktuale.

Çfarë rëndësie ka gjëndra e tiroides për gratë shtatzëna?

Shtatzënia është një proces fiziologjik, i cili kërkon vëmendje edhe nëse një individ nuk ka probleme me gjëndrën tiroide. Kujdesi më i madh duhet të jetë për të gjitha ato gra, të cilat kanë probleme me tiroiden që më parë se të mbeten shtatzëna, pavarësisht diagnozës hipotirozë apo hipertirozë. Vetë shtatzënia është një proces ku niveli i hormoneve pëson një rritje. Këto hormone bëjnë të mundur rritjen e nivelit të proteinës lidhëse të tiroides, e cila në mënyrë të sintetizuar, jep vlera të ndryshme sipas organizmit tek individët e veçantë. Ne mund të flasim pafund këtu për të dyja llojet e diagnozës së tiroides, por sugjerimi im shkon për të gjitha ato gra dhe vajza, të cilat vuajnë nga hipotiroza përpara se të mbeten shtatzënë. Ato duhet të tregojnë një kujdes të veçantë sepse rrezikojnë veten dhe beben. Koha e duhur për të kryer ekzaminimet për funksionin e gjëndrës së tiroides është që në momentin kur gruaja konfirmon se është shtatzënë. Këtë e theksoj për gratë që nuk kanë vuajtur më parë nga gjëndra e tiroides. Edhe mjekët obstetër-gjinekologë janë shumë të kujdesshëm dhe i japin shumë rëndësi dhe përparësi kontrollit të gjëndrës së tiroides sepse funksioni hormonal i gjëndrës së tiroides ndikon në zhvillimin e funksionit neurologjik dhe në inteligjencën e bebes. Edhe nëna shtatzënë rrezikon shumë nëse ka probleme me gjëndrën e tiroides dhe nuk trajtohet. Nëse gruaja shtatzënë ka vuajtur dhe është trajtuar para shtatzënisë së saj nga hypotiroza, pra me mungesë të jodit, lind pyetja se a mund të vazhdojë ajo që ta marrë hormonin zëvendësues gjatë shtatzënisë. Sigurisht që do të vazhdojë ta marrë dhe duhet patjetër që doza e mjekimit të shtohet sepse rriten edhe nevojat e fetusit në këtë rast. Zhvillimi i fetusit (bebes) në 10-12 javë e ka marrë nga nëna, dhe pas 12 javëve është krijuar tek ai organi i tiroides dhe shtohen nevojat për marrjen e hormonit.

Unë e kam ndërprerë vetë mjekimin. Çfarë duhet të bëj tani?

Po e theksoj edhe për zonjën edhe për të gjithë personat që vuajnë nga funksioni hormonal i tiroides, qoftë ky hipotirozë, pra mungesë hormoni, qoftë hipertirozë, pra shtim hormoni. Nëse e fillojnë mjekimin për të trajtuar funksionin hormonal të gjëndrës tiroide, duhet t’i kushtojnë kujdes jo vetëm mjekimit, por edhe rikontrollit. Rikontrolli është i vlefshëm 6-8 javë për perzonat që vuajnë nga hipotiroza, dhe 1 muaj e gjysmë për personat që vuajnë nga hipertiroza. Nuk mjafton të shkojnë te mjeku endokrinolog vetëm në fillim për t’u diagnostikuar dhe për të marrë mjekimin. Nuk mjafton kaq për t’u shëruar. Deri në 12 muaj kalendarikë, duhet të jenë gjatë gjithë kësaj kohe në ndjekje për të parë se si funksionon mjekimi, a po marrin dozën e mjaftueshme, sepse tiroidja në vetvete është edhe një sëmundje autoimune, e cila prek edhe sistemin kockor. Pra, kanë patologji të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Flas nga Patosi. Burri im vuan nga diabeti, tensioni, prostata. Para 6 viteve u diagnostikua se vuante nga gjëndra tiroide dhe mori mjekimin. Tani së fundi ka bërë analizat dhe vlerat i kanë dalë normale. A duhet ta vazhdojë mjekimin ashtu siç e ka marrë deri tani apo duhet të ulë dozën sepse një mjek në Itali më ka thënë që ky mjekim ndikon në rritjen e glicemisë.

Diabeti dhe gjëndrat tiroide janë sëmundje autoimune dhe ndikojnë te njëra-tjetra. Ai mjeku ka pasur të drejtë, por në këtë rast është diabeti ai që shkakton mosfunksionimin normal të tiroides. Në fakt, unë do të doja të dija vlerën e saktë të prodhimit hormonal të tiroides sepse nuk mjafton vetëm që ajo të jetë normale. Ne mjekët shikojmë edhe vlerat brenda normës, pra është kjo vlerë apo jo afër kufirit minimal apo maksimal të vlerës normale. Në bazë të kësaj vlere unë do t’ju këshilloja edhe dozën e mjekimit. Në këtë rast unë ju këshilloj që të bëhet edhe një ekzaminim tjetër që quhet Anti TPO. Në bazë të kësaj analize do të mund të përcaktohet edhe doza e mjekimit. Meqenëse zotëria vuan edhe nga diabeti edhe nga tensioni i lartë, duhet patjetër që të ekzaminohet edhe funksioni i veshkave

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë