Këndi i Ekspertit/ Kujdesi paliativ për të sëmurët me kancer

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë i ftuar Henrik Zotaj, mjek onkolog. Eksperti ynë ka folur fillimisht për kujdesin paliativ dhe për kujdesin e onkologjisë paliative, që është një shërbim që u ofrohet pacientëve me sëmundje të rëndë si ato kancerogjene etj. Mjeku ka sqaruar se si qëndron situata e të sëmurëve me këtë patologji në Shqipëri, si funksionon ky shërbim dhe se sa i integruar është në sistemin tonë shëndetësor. Më pas mjeku Henrik Zotaj u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve, të cilat janë përqendruar më shumë tek rastet e kancerit të gjirit.

Sot do të flasim për kujdesin paliativ dhe për kujdesin e onkologjisë paliative. Si qëndron situata e të sëmurëve me këtë patologji në Shqipëri? Si funksionon ky shërbim? Sa i integruar është në sistemin tonë shëndetësor?

Në Shqipëri, kujdesi paliativ është relativisht një disiplinë e re mjekësore, që i ka fillimet e saj para rreth 20 apo 22 vitesh, sigurisht e inkuadruar në strukturat e shërbimit publik. Në vetvete, kujdesi paliativ është një disiplinë mjekësore e cila merret me trajtimin, kurimin dhe me ndjekjen e pacientëve që vuajnë nga sëmundje kërcënuese për jetën, në të cilat, kryesisht bëjnë pjesë sëmundjet onkologjike. Prandaj në Shqipëri dhe në disa vende të zhvilluara të Evropës, por edhe në SHBA, në Kanada etj., shërbimi i kujdesit paliativ cilësohet si shërbimi i onkologjisë paliative. Arsyeja është e thjeshtë, sepse shumica e pacientëve ose mbi 90% e tyre, janë pacientë onkologjikë, pra janë pacientë me tumore malinje, me kancer, të cilëve ky shërbim u bën të mundur ndjekjen dhe trajtimin e tyre, por në një fazë të avancuar dhe shumë të avancuar. Prandaj edhe konsiderohet si sëmundje kërcënuese për jetën.

Si ofrohet ky shërbim, në shtëpi apo në spital?

Ky shërbim ofrohet në dy-tre variante në botën e zhvilluar. Në Shqipëri ky shërbim ofrohet edhe në banesën e të sëmurit, por ofrohet edhe në spital. Ka rezultuar që kur ky shërbim i ofrohet të sëmurit në banesën e tij, ka kosto më të lirë. Por, ndërkohë ofrohet edhe në spital, edhe në ambulanca. Kryesisht, shërbimi më i pranueshëm, më i ofrueshëm në Republikën e Shqipërisë, është shërbimi paliativ në banesë, ose siç quhet ndryshe, shërbimi onkologjik në banesë. Por në qarqe të tjera ky shërbim ofrohet në spitalet sekondare.

A janë të mirinformuar të gjithë ata pacientë që kanë lidhje me këtë patologji, që këtë shërbim mund ta marrin në shtëpi?

Patjetër që janë të informuar. Shërbimi i kujdesit paliativ tashmë është i inkuadruar në strukturat e shërbimit shëndetësor publik. Të gjitha qendrat shëndetësore të shërbimit parësor, spitalet terciale, spitalet sekondare, janë të informuara që ky shërbim tashmë është i strukturuar në këto shërbime dhe mjekët përkatës janë në spitalet sekondare të rajoneve, ku ky shërbim qëndron bashkë me punktin e onkologjisë. Kurse në Tiranë, ky shërbim është njësi më vete, është klinikë mjekësore më vete. Disa nga këto shërbime, si p.sh. heqja likideve të tepërta, në vendet e tjera ofrohen dhe zhvillohen në një spital, pra në kushte spitalore dhe në praninë e një imazheristi. Sigurisht që pamundësia jonë për t’i pasur këto kushte, na detyron që ta ofrojmë këtë shërbim në banesë, por e ofrojmë edhe në mjediset spitalore.

Nëse një pacient është nën kujdesin paliativ, a mund të jetojë gjatë?

Po, patjetër. Do të përmend me këtë rast një shprehje, e cila tashmë është ligjore në Komunitetin Evropian. Ministrat evropianë të Shëndetësisë përpara disa viteve kanë vendosur terminologjinë ekzakt se çfarë është kujdesi paliativ dhe çfarë është kujdesi terminal. Janë dy terma, të cilat nuk duhet të ngatërrohen me njëra-tjetrën dhe arsyeja është shumë e thjeshtë. Kujdesi paliativ është një shërbim shëndetësor, i cili trajton pacientët me tumore, nga disa muaj në disa vite, ndërkohë që kujdesi terminal është një shërbim, i cili i ndjek këta pacientë nga disa ditë deri në disa muaj. Kështu që këta pacientë mund të jetojnë nga disa muaj në disa vite. Ka të tjerë që mund ta kalojnë këtë fazë të kujdesit paliativ dhe  pastaj të kalojnë në fazën tjetër, në atë të trajtimit dhe të kurimit dhe të jetëgjatësisë së mëtejshme. Nuk është i lartë ky kontingjent, i cili mund të arrijë në masën rreth 20% të pacientëve, të cilët arrijnë të dalin nga kujdesi paliativ dhe të kenë një periudhë remisioni.

Sa i integruar është ky shërbim në sistemin tonë të shëndetësisë?

Ky shërbim është i integruar mirë, sigurisht në këto 25 vitet e fundit. Është integruar në shërbimin parësor në Tiranë, është integruar në shërbimin sekondar në rajone, është kompletuar legjislacioni dhe e gjithë pjesa tjetër e infrastrukturës dhe ligjore për këtë shërbim. Por, le të themi se janë bërë standardet e këtij shërbimi, janë bërë protokollet e këtij shërbimi, është bërë ligji për këtë shërbim në Republikën e Shqipërisë. Përpara disa vitesh është bërë manuali i shërbimit dhe sigurisht, edhe një strategji kombëtare e shtrirjes së këtij shërbimi në Republikën e Shqipërisë.

Sëmundjet tumorale janë sëmundjet kërcënuese për jetën e pacientëve. Duhet theksuar që kujdesi paliativ nuk trajton vetëm të sëmurët onkologjikë, por mund të trajtojë edhe pacientë me sëmundje të tjera, siç janë HIV/AIDS, skleroza multiple, diabet i avancuar, kardiopatët e avancuar, parkinsoni, ose sëmundje të tjera të avancuara. Sigurisht që janë sëmundje kërcënuese për jetën. Në Shqipëri ndeshemi me disa tumore kryesore, të cilat janë bërë kërcënuese për jetën e qytetarëve. Vendin e parë e zë kanceri i pulmonit, pra i mushkërisë, te meshkujt, ndërkohë që te femrat vendin e parë ose shpeshtësinë më të madhe e ka kanceri i gjirit, kryesisht në moshat 40-59 vjeç. Por vitet e fundit kemi një rënie të kapjes së këtij tumori te femrat. Ndërkohë që kanceri tjetër më i shpeshtë dhe më agresiv është kanceri kolorektal, i cili vitet e fundit sidomos po shfaqet shumë shpesh në Shqipëri dhe po radhitet në vendin e parë, për sa u përket tumoreve. Sigurisht që arsyeja e përhapjes së këtij tumori është mënyra e të jetuarit, stili i jetës sonë, mënyra e të ushqyerit, e cila është shumë e rëndësishme për shkak se në Shqipëri ka ndryshuar me ritme të shpejta stili i jetës, ka ndryshuar në mënyrë të shpejtë mënyra e të ushqyerit. Prandaj njerëzit brenda mundësive të tyre, duhet që të ushqehen me produkte jo të yndyrshme, me produkte jo të konservuara, jo të pjekura, por kryesisht me produkte bio, me fruta dhe me perime. Problemi i tumoreve ështe se nuk kemi vetëm vatrën primare të tyre, tek e cila mund të ndërhyjmë në mënyrë kirurgjikale dhe pastaj të përpiqemi ta kurojmë. Problemi qëndron te metastazat e tumoreve, të cilat trajtohen me kimioterapi, me radioterapi dhe në fund, nëpërmjet kujdesit paliativ.

Gruaja ime tani është në punë dhe unë jam i shqetësuar sepse shpesh ajo ka dhembje dhe i forcohen gjinjtë. Ka rreth një javë me këto probleme. Është 54 vjeçe.

Shqetësimet që zonja ka jo domosdoshmërisht janë të lidhura me tumorin. Mund të jemi të bëjmë me një cist, ose me një kalcifikim, mund të jetë një masë beninje, mund të jetë një inflamacion i caktuar, por gjithsesi edhe mjekët edhe qytetarët i ndruhen më të keqes. Nëse zonja do të kishte një masë tumorale, një eko e gjirit do të ishte shpëtimtare për jetën. Po kështu edhe një mamografi. Nëpërmjet të dy këtyre ekzaminimeve, unë jam shumë i sigurt që diagnoza do të përcaktohet shumë saktë. Procedurat janë të thjeshta. Ekon e gjirit zonja mund ta bëjë kudo sepse bëhet kudo. Po kështu edhe mamografinë, e cila ofrohet edhe në spital, por edhe në klinikat e specialiteteve në Tiranë. Këto dy ekzaminime mund të shpëtojnë jetën, por e theksoj, që jo domosdoshmërisht zonja mund të ketë tumor.

Cila është mosha e duhur e femrave për t’u paraqitur te mjeku specialist për të bërë ekon e gjirit? Është e rekomandueshme kjo eko për të gjitha femrat?

Është jashtëzakonisht e rekomandueshme. Me anë të saj bëhet zbulimi në faza të hershme i tumoreve. Femrat e moshës mbi 30 vjeç duhet të bëjnë eko të gjirit çdo 3 vite. Është e domosdoshme. Po kështu, edhe një ekzaminim me mamografi për femrat e moshës mbi 40 vjeç, është përsëri e domosdoshme. Por gjithnjë mamografia bëhet pas ekografisë. Ndërkohë që për ato femra, të cilat në familjen e tyre kanë apo kanë pasur persona të tjerë me tumor të gjirit, sigurisht që ky ekzaminim duhet bërë më shpesh, çdo vit ose çdo dy vite. Kjo është e domosdoshme dhe nuk ka pasoja për pacienten apo për qytetaren që e bën këtë ekzaminim. E rëndësishme është që ky ekzaminim është shpëtimtar për jetën. Arsyeja është e thjeshtë, sepse zbulimi i hershëm i kancerit është i barasvlefshëm me shërimin e plotë të tij.

Mamaja ime ka vuajtur nga gjendrat e gjoksit, por i kishte dhjamore dhe i ka operuar dy herë. Ekziston mundësia që edhe unë të prekem nga kjo sëmundje? Jam 22 vjeçe. Po përdorimi i lazerit në zonën e sqetullave mund të krijojë gjendra?

Ato vërtet kanë qenë gjendra dhjamore, por nuk mund të përjashtojmë plotësisht mundësinë që mund të kemi edhe elementë të tjerë patologjikë brenda gjirit. E vetmja gjë që do të këshilloja në këtë rast është që zonja, meqenëse është operuar dy herë, të bëjë çdo vit ekografinë dhe mamografinë e gjirit. Pra, vazhdimisht ajo duhet të jetë nën kontrollin e mjekut. Ndërsa vajza jo domosdoshmërisht mund të sëmuret po nga kjo patologji e gjirit si nëna e saj. Ajo mund të ketë një probabilitet më të lartë për t’u prekur sesa një vajzë tjetër që nuk ka të familjare të saj me patologji të gjirit. Dhe për shkak të këtij probabiliteti më të lartë, do të ishte mirë që zonjusha të bëjë çdo dy vite një eko të gjirit dhe në moshën mbi 40 vjeçe, edhe një mamografi. Tumoret janë një ushtri qelizash, të cilat dalin nga rreshti i zhvillimit normal për shkak të ngacmimit nga një agjent i brendshëm apo i jashtëm. Agjentët ngacmues mund të jenë ushqimet, rrezatimet, ambienti atmosferik, hidrokarburet. Gjithmonë organizmi i njeriut është i rrezikuar. Edhe lazeri sigurisht që bën pjesë në këta agjentë dhe përdorimi i shpeshtë i tij nuk është i këshillueshëm.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia fillon përdorimin e Bitcoin për pagesa ndërkombëtare

Rusia fillon përdorimin e Bitcoin për pagesa ndërkombëtare