Këndi i Ekspertit/ Retinopatia diabetike, simptomat e fshehura dhe si kurohet

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të premte ka qenë i ftuar Eugen Dautllari, mjek okulist pranë Spitalit SALUS. Eksperti ynë ka sqaruar qytetarët për sëmundjen retinopatia diabetike. Mjeku okulist fillimisht ka folur për sëmundjen e syve që shkaktohet nga komplikacionet e diabetit dhe më pas edhe për simptomat e saj të fshehura por edhe ato të dukshme, si dhe mënyrën e trajtimit të saj. Doktor Eugen Dautllari ka sqaruar live nga Report TV qytetarët edhe për pyetjet e tyre me raste specifik

Çfarë është retinopatia diabetike?
Kjo sëmundje është një komplikacion i sëmundjes së diabetit të të dy tipeve, që varet nga insulina apo që nuk varet nga insulina dhe shfaqet më përpara në sy dhe në veshka. Gjithmonë nuk lidhet me pjesën kur shfaqet diabeti në të vërtetë, por duhet të kalojnë disa vite nga shfaqja e sëmundjes së diabetit te pacienti. Pra, më vonë fillojnë të shfaqen dëmtimet e enëve të gjakut. Janë kapilarë të vegjël, të cilët e mbushin syrin me gjak dhe shkaktojnë fryrje të shtresës nervore, e cila percepton dritën dhe sjellin si pasojë uljen e shikimit.

Si janë këto simptoma, të fshehura apo të dukshme?
Në fillim, fazat e para të shfaqjes së retinopatisë diabetike janë turbullimi i shikimit, duket sikur rrjedh uji në xhama; më vonë shfaqen pulla të zeza, të cilat lëvizin. Shpeshherë pacientët kanë turbullime të tilla të shikimit edhe kur nuk vuajnë nga diabeti. Por kur përparon sëmundja e diabetit shikimi turbullohet më shumë. Shpeshherë i këshillojmë pacientët që të mos e kenë mendjen tek ato, që të mos i shohin, dhe që të vizitohen te mjeku një herë në vit. Ka raste që vijnë vonë, pra që diabeti diagnostikohet nëpërmjet syrit. Ka gjithashtu edhe raste, që duke bërë një test gjaku dhe kuptohet që kanë glukozë të lartë dhe normalisht fillohet trajtimi. Pra, pacientët e dinë që janë diabetikë dhe si rrjedhojë duhet të konsultohen çdo vit me mjekun okulist.

A ka ndonjë grupmoshë të caktuar për prekjen nga kjo sëmundje?
Në statistika kemi parë që janë prekur edhe fëmijë të vegjël dhe sa më i ri në moshë që të jetë pacienti, aq edhe më agresiv është si ndërlikim.

Pra në momentin që një person ka simptomat që ju përmendët, duhet të drejtohet menjëherë te mjeku apo jo?
Po, menjëherë duhet t’i drejtohet mjekut okulist. Mjeku pastaj bën diagnostikimin e duhur.

Në rast se nuk ndërhyhet në kohë, ka rrezikshmëri?
Jo gjithmonë ndërhyhet. Shikohet se në çfarë etape është sëmundja sepse retinopatia diabetike ndahet në dy etapa. Kur shikohet se enët e gjakut janë gati për t’u këputur dhe si pasojë të mbushin syrin me gjak, atëherë mendohet për trajtim. Metodat e trajtimit fillojnë pasi bëhen analizat e duhura të syrit.

Kam simptomat që tha doktori pak më parë, pra shikoj disa si fije. Jam 30 vjeç dhe kam rreth 12 vite që i kam këto simptoma. Jam vizituar në 2-3 klinika dhe më kanë thënë që mund të jenë kristale dhe nuk paraqesin diçka për t’u shqetësuar.
Po, është e vërtetë. Në shumicën e rasteve këto simptoma nuk janë të lidhura me sëmundjen e diabetit, por janë të lidhura edhe me hipertensionin ose me tensionin arterial, i cili shkakton tërheqje të vitriozit me retinën dhe shkakton turbullira që notojnë brenda në këtë hapësirë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që zotëri nuk duhet të vizitohet. Ai duhet të kontrollohet çdo vit te mjeku okulist sepse mund të ndodhë edhe ndonjë tërheqje e retinës, e cila pastaj shkakton një problem tjetër që kërkon një trajtim të ngjashëm me atë trajtim kur pacienti vuan nga diabeti. Në këtë rast ndërhyhet kur pacienti e ka nën 5% nivelin e shikimit, pra kur nuk arrin dot të shohë as shkronjën e parë në tabelë. Pra zotërisë i këshilloj që një herë në vit të kontrollohet te mjeku okulist, se nuk është e thënë që duhet të ndërhyhet patjetër në syrin e tij. Duhet të mbrohet nga drita e fortë e diellit, e cila i shton këto simptoma. Rrezet ultravjollcë të diellit shkaktojnë djegien e kësaj substance, të këtij xheli që ka syri. Gjithashtu zotëria duhet të kontrollojë shpesh tensionin arterial.

Flas nga Pogradeci. Jam i sëmurë diabetik. I kam sytë të mbushura me njolla gjaku dhe shpeshherë të zeza. Jam vizituar te shumë mjekë. Tani më ndjek një mjek këtu në Pogradec, i cili më ka bërë injeksione. Më ka sugjeruar edhe një ilaç që quhet Metodil. Ku mund ta gjej këtë ilaç?
Në qoftë se zotëria vuan nga diabeti dhe i është konstatuar problemi i retinopatisë diabetike, d.m.th. që i kanë filluar edhe dëmtimet në sy, duhet të bëjë dy analiza, të cilat janë të domosdoshme në këtë rast: është fotografimi i retinës së syrit, pra konstatohet se ku rrjedh gjaku; dhe për të parë se a ka akumulim të lëngut nën qendrën e shikimit, e cila korrespondon me uljen e shikimit në qendër. Tani kanë dalë disa injeksione, të cilat luftojnë prodhimin e enëve të reja të gjakut dhe hemorragjitë ose ulin sasinë e lëngut të akumuluar dhe shihet pastaj nëse do të përmirësohet shikimi. Këto injeksione këshillohet që të bëhen një herë në 45 ditë, pra përcaktohet një skemë sepse kemi 3-4 lloje të këtij grupi ilaçesh. Këto kanë për qëllim që të zhdukin enët e reja të gjakut ose neovazat, të cilat janë të dëmshme sepse e mbushin syrin me gjak. Në qoftë se problemi i zotërisë është në këtë lloj faze, atëherë ai duhet të vazhdojë me këto injeksione dhe në një fazë tjetër të mëvonshme duhet të bëjë edhe një trajtim tjetër, siç është djegia me lazer, e cila ngjit retinën. I gjithë problemi në këtë rast është hemorragjia dhe shkolitja e retinës. Pastaj metodat e avancuara kirurgjikale nevojiten në bazë të vizitës, ku kuptohet ka apo nuk ka gjak. Ndërsa se ku mund ta gjejë ilaçin, zotëria duhet të pyesë farmacistët e jo mjekët.

Flas nga Shkodra. Jam 35 vjeç. Kam skuqje të damarëve të syve. Nuk jam vizituar. Kur zgjohem nga gjumi më skuqen sytë.
Arsyet e skuqjes së syve mund të jenë të shumta. Mund të jetë një infeksion i kapakëve të syve, mund të jetë një çrregullim në prodhimin e lotëve, në këtë rast një prodhim i ulët i lotit, mund të jetë një sëmundje që lidhet me hipertensionin, me diabetin, me reumatizmën, e cila shkakton tharje të syve, mund të jetë një problem i lidhur me gjëndrrën e tiroides. Në rastin e zotërisë duhen bërë një sërë analizash që të kuptohet se çfarë shkaku ka skuqja e syve të tij. Fillimisht ai duhet të bëjë një vizitë normale te mjeku dhe të shihen së pari gjërat që lidhen me syrin, me qëllim që të bëhet diagnostikimi i saktë. Në përgjithësi, skuqja e syrit do të thotë zgjerim i enëve të gjakut, e cila krijon pamjen e kuqe të syve. Kjo nuk shkakton dhembje, por thjesht jep ndjesinë e djegies sepse në këtë rast syri është i thatë, d.m.th. syri nuk arriin të mbulohet me lot prandaj zgjerohen enët e gjakut që të mbulohen zonat e thata të syrit.

Flas nga Orikumi i Vlorës. Bashkëshortit tim i ka ikur shikimi i syrit të majtë. E kam vizituar në Vlorë, por mjekët nuk më kanë dhënë asnjë zgjidhje, thjesht më thonë që nuk mund të bëhet më. Është 78 vjeeç dhe nuk vuan nga diabeti, por vuan nga zemra. Unë kërkoj të më ndihmoni që të di nga çfarë shkaku i ka ardhur ky dëmtim.
Zonja thotë që ka kryer vizita në shumë mjekë. Unë nuk e di se çfarë analizash ka bërë, nëse është bërë skaneri apo jo. Duhet të dimë diçka, që kur nervi dëmtohet nuk mund të rigjenerohet ose të rikthehet dhe ne si mjekë jemi të pafuqishëm për të bërë ndonjë ndërhyrje në këtë rast. Normalisht diçka ka ndodhur. Megjithatë në këtë rast duhet të vlerësojmë nervin. Ky problem nuk lidhet fare me moshën e pacientit. Nervi mund të jetë dëmtuar edhe nga tensioni i syrit, nga sëmundja e glaukomës, mund të ketë kaluar ndonjë trombozë në kokë dhe si pasojë t’i jetë zbardhur nervi. Realisht këto vlerësohen gjatë vizitës mjekësore. Pa e parë dhe pa e analizuar pacientin nuk mund t’i vë një diagnozë, por duke u nisur nga ato çfarë më tha zonja, mendoj se mund të jetë dëmtuar nervi.

Në mjekësi çdo patologji është e rëndësishme, por syri është një organ shumë delikat dhe kryesor.
Në përgjithësi, patologjitë e tjera janë kryesore, por deri diku janë edhe të rikuperueshme, por problemet e tensionit të syrit apo problemet e retinopatisë diabetike, janë nga ato që çfarë marrin nuk e kthejnë më. Kjo do të thotë që nëse nuk veprohet dhe ndërhyhet në kohën e duhur, mund të ndodhë që pacienti të humbasë edhe shikimin. Është një sëmundje që duhet kapur menjëherë, që në simptomat e para.

Flas nga Shkodra. Jam pensioniste dhe vuaj nga diabeti. Kam filluar që të mos shoh mirë nga sytë. Jam vizituar te mjeku dhe më ka thënë që kam hemorragji.
Me aq sa tha zonja, kup;toj që ajo është diagnostikuar me hemorragji në sy, d.m.th. në zonën vitreale dhe në të tilla raste këshillohet që të ndërhyhet sepse hemorragjia kërkon më tepër se 1 vit apo 2 vite që të tretet vetë dhe lë pasoja në shikim. Ajo që këshillohet është ndërhyrja në sy me anën e një metode, e cila në Shqipëri nuk është shumë e zhvilluar. Në spitalin SALUS këtë metodë e ofrojnë mjekë nga Italia. Pritshmëria nuk është shumë e lartë, por sigurisht që jep rreth 20%-30% shikim. Por fillimisht duhet që zonjës t’i bëhet ekzaminimi i duhur për të gjetur diagnozën e saktë dhe më pas trajtimi që duhet ndjekur.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen