'Këndi i ekspertit'/ Si llogariten pensionet e mësuesve, pedagogëve e akademikëve

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve ka sqaruar këtë javë se si përllogariten pensionet e mësuesve, të pedagogëve dhe të akademikëve. Eksperti ynë ka sqaruar procedurat, dokumentat që duhen dhe rastet specifike. Më pas profesor Kepi u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim se si përllogariten pensionet e mësuesve, të pedagogëve dhe të akademikëve.

Mësuesit e shkollave shtetërore dhe private, sivjet, pra deri më 31 dhjetor të vitit 2019, dalin në pension: femrat në moshën 60 vjeçe e 10 muaj dhe meshkujt në moshën 65 vjeç. Dhe të dyja gjinive, për pension u kërkohen 15-36 vite e 8 muaj punë të siguruar. Një veçori tjetër është që femrave u quhet vjetërsi pune periudha e studimeve të larta me shkëputje nga puna, duke barazuar në vit shkollor që ka zgjatur rreth 10 muaj me një vit për efekt pensioni. Kjo duhet të jetë e dokumentuar me fotokopjen e noterizuar të diplomës. Ndërsa meshkujve u quhet vjetërsi pune edhe periudha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Mësuesët që punojnë në shkolla shtetërore, sipas një vendimi të qeverisë, me nr. 478, të datës 16 qershor 2010, do të dalin në pension në ditën kur plotësojnë moshën, sepse duhet të futen mësues të tjerë, të cilët janë pa punë.

Në vendin tonë dalin në pension rreth 100 veta çdo ditë dhe ndërmjet tyre ka edhe mësues. Pra, në një vit dalin në pension 37.000 veta. Hipotetikisht hapen 37.000 vende pune. Edhe për mësuesët që punojnë në shkolla private, kushtet e daljes në pension janë të njëjta si për ata që punojnë në shkollat shtetërore, por dalja e tyre në pension varet edhe nga qendra e punës. Pra, ndonjë mësues që konsiderohet mjaft i vlefshëm, mund të mbahet ende në punë edhe pasi plotëson moshën e daljes në pension.

Në shkollën shtetërore, në qoftë se një mësues del në pension dhe kjo është e detyrueshme në ditën kur ai mbush moshën, ai ka të drejtën që të ripunësohet, nëse i ka mundësitë, në një shkollë private. Kështu, mund të marrë njëkohësisht edhe pensionin edhe pagën në shkollën private, por në këtë rast është i detyruar që të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore sepse ka zënë një vend pune.

Të gjithë pedagogët që kanë titullin shkencor profesor i asocuar, dalin në pension në moshën 65 vjeç, si femrat ashtu edhe meshkujt. Njëkohësisht ata marrin edhe pension suplementar, për periudhën që ka qenë profesor i asocuar. Ky pension suplementar është 1,1% e pagës për çdo vit pune. Ndërsa pedagogët që kanë titullin shkencor profesor, marrin pension suplementar 1,3 % të pagës për çdo vit që kanë punuar me këtë titull shkencor.

Jam nga Berati. Në maj mbush moshën 59 vjeçe dhe dua të di se në çfarë moshe do të dal në pension. Kam 25 vite punë të siguruar.

Zonja do të dalë në pension në moshën 61 vjeçe, në majin e vitit 2020. Për pension të plotë do t’i kërkohen 37 vite punë të siguruara. Ndërsa për të marrë pension minimal duhet që të paktën të ketë 15 vite punë të siguruara. Me 25 vite punë që ka, zonja do të marrë pension të pjesshëm, rreth 70% të pensionit të plotë. Në qoftë se zonja i ka mundësitë financiare, mirë është që t’i shtojë vitet e punës, duke paguar kontribute vullnetare të sigurimeve shoqërore, të cilat janë të leverdisshme. Aktualisht vlera e kontributit vullnetar të sigurimeve shoqërore është 5.600 lekë të rinj në muaj. Për çdo vit që zonja mund të bëjë sigurime shoqërore vullnetare, pensioni do t’i shtohet në masën 3%. Por, theksoj që sigurimet shoqërore vullnetare duhet të bëhen përpara se të plotësohet mosha e daljes në pension. Nëse zonja ka tokë në pronësi ose në përdorim, në qarkun ku ajo banon, ka të drejtë që të bëjë vetësigurime në bujqësi, vlera e të cilave është më e lirë sesa ajo e sigurimeve shoqërore vullnetare.

Në adresën e emisionit ka ardhur një letër, të cilën na e shkruan zonja Rakipe Karai: “Më 12 gusht 2018 mbusha 60 vjeç. Kam punuar në arsim nga viti 1984 deri në vitin 2016, kur më hoqën nga puna për arsye politike. Kam gjithsej 38 vite punë të shënuara në librezë. Kam dorëzuar të gjitha dokumentet e duhura për pension. Prisja që pagesa të fillonte në muajin mars, por më kapi viti 2019 dhe m’u shtuan edhe dy muaj dhe në maj të po këtij viti hyn në fuqi pagesa. Gjithmonë kam punuar në shtet, kam punuar edhe në Librazhd, para se të martohesha. Sa mund të më dalë pagesa e pensionit?”.

Siç na shkruan zonja, ajo ka mbushur moshën 60 vjeçe në gusht të vitit 2018. Ajo do të dalë në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, pra më 12 qershor të vitit 2019 dhe për pension të plotë do t’i kërkohen 37 vite punë. Zonja shkruan që ka 38 vite punë. Pra, sa më shumë vite pune që të ketë, aq më e lartë del edhe pagesa e pensionit. I këshilloj që një muaj përpara, që në fillim të muajit maj, të dorëzojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore këto dokumente: librezën e punës, fotokopjen e noterizuar të diplomës së shkollës së lartë me shkëputje nga puna, fotokopjen e kartës së identitetit, vërtetimin e pagës bruto nga data 1 janar 1994 e në vijim. Sqarime më të hollësishme zonja mund të marrë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore.

Jam 57 vjeçe. Kam 20 vite punë në Policinë e Shtetit, ku vazhdoj ende të punoj. Kur dal në pension?

Zonja do të dalë në pension rreth moshës 62 vjeçe. Kur të dalë në pension, zonja do të marrë dy lloje pensioni. Së pari, do të dalë në pension pleqërie, për të cilin do t’i kërkohen rreth 38 vite punë të siguruar për të marrë pension të plotë. Por ka edhe një problem. Punonjësit e Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura, të Policisë së Burgjeve, të Forcave Zjarrfikëse dhe punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror, marrin edhe pension suplementar. Pensioni suplementar llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto për çdo vit të plotë që zonja ka punuar si ushtarake. Pra, meqë zonja ka 20 vite punë si ushtarake, atëherë do të marrë 20%. Por shuma e pensionit suplementar nuk mund të jetë më shumë se 50% e vlerës së pensionit të pleqërisë. P.sh. në qoftë se shuma e pensionit të pleqërisë zonjës do t’i dalë 30.000 lekë të rinj në muaj, atëherë pensioni suplementar do të llogaritet për çdo vit pune si ushtarake me 1% të pagës, por jo më shumë se gjysma e pensionit të pleqërisë, pra jo më shumë se 15.000 lekë të rinj në muaj.

Flas nga Tirana. Jam 56 vjeçe. Kam një dyqan market dhe i paguaj gjithmonë kontributet e sigurimeve shoqërore. Kam punur në fabrikën e bukës për 15 vite. Sa mund të më dalë pagesa e pensionit?

Zonja është 56 vjeçe, prandaj nuk del tani në pension. Ajo do të dalë në pension afërsisht pas 6 vite e 6 muajsh. Si vjetërsi pune për efekt pensioni do t’i llogariten edhe ato vite që ka punuar në fabrikën e bukës, por që nga mosha 16 vjeçe e lart. Ka pasur raste që disa persona janë punësuar edhe nën moshën 16 vjeç, por për pension nuk llogariten. Vitet e punës në fabrikë zonjës do t’i mblidhen me vitet e punës si e vetëpunësuar, sepse paguan kontributet e sigurimeve shoqërore. Sigurisht që sa më shumë vite pune që të ketë, aq më e lartë do t’i dalë vlera e pensionit. Aktualisht për pension të plotë duhen 36 vite e 8 muaj punë e siguruar. Por për çdo vit shtohen nga 4 muaj, pra në vitin 2018 duheshin 36 vite e 4 muaj punë e siguruar, në vitin 2019 duhen 36 vite e 8 muaj punë e siguruar, në vitin 2020 do të duhen 37 vite punë e siguruar, e kështu me radhë. Po ashtu, çdo vit, femrave u shtohet mosha me nga 2 muaj. Në  vitin 2018 mosha e daljes në pension për femrat ishte 60 vjeçe e 8 muaj, sivjet është 60 vjeçe e 10 muaj, në vitin 2020 do të jetë 61 vjeçe, e kështu me radhë. Për sqarime më të hollësishme zonja duhet të pyesë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore.

Flas nga Kamza. Jam 62 vjeç dhe kam 46 vite punë. Sa mund të më dalë paga e pensionit? A mund të dal në pension të parakohshëm?

Zotëria është nga ata persona që kanë filluar punë që në moshën 16 vjeç. Besoj se ai do të marrë një pension të mirë. Në vitin 2019 zotëria është 62 vjeç. Ai do të dalë në pension në moshën 65 vjeç, pra pas 3 viteve, pra në vitin 2022. Për të marrë pension të plotë në vitin 2022, zotërisë do t’i kërkohen 37 vite e 8 muaj punë e siguruar. Sa më shumë vite pune të ketë, aq më i lartë do t’i dalë pensioni. Nëse dëshiron, zotëria mund të dalë edhe në pension të parakohshëm. Ligji thotë që një person mund të dalë në pension të parakohshëm 3 vite para se të mbushë moshën e plotë të daljes në pension pleqërie. Pra zotëria mund të dalë në pension të parakohshëm tani, në vitin 2019. Por kusht tjetër është që personi të jetë pa punë, i pavetëpunësuar, të mos jetë punëdhënës, të mos ketë tokë. Në qoftë se zotëria i plotëson këto kushte, atëherë mund të dalë në pension të parakohshëm që nga dita kur mbush moshën 62 vjeç. Për çdo muaj, që ai do të dalë në pension të parakohshëm para moshës 65 vjeç, shuma e pensionit ulet me 0,6%. Në rastin konkret, për 3 vite, zotërisë do t’i ulet shuma e pensionit me 21,6%. Unë mendoj që ulja është shumë dhe unë nuk ia rekomandoj këtë veprim. Në qoftë se zotëria është në vështirësi ekonomike dhe është pa punë, atëherë më mirë pak sesa pa gjë fare. Por, duhet të ketë parasysh që edhe kur të mbushë moshën 65 vjeç, pensioni i tij do të mbetet gjithmonë i reduktuar. I sugjeroj që të mendohet mirë edhe një herë dhe gjithashtu të konsultohet edhe me punonjësit e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore në Kamëz.

 

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen