Këndi i Ekspertit/ Tumori rektal, simptomat e sëmundjes dhe trajtimi

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë i ftuar Fabjon Mustafai, mjek pranë Spitalit SALUS. Eksperti ynë ka sqaruar qytetarët për tumorin rektal ose siç njihet ndryshe kanceri i fundit të zorrës së trashë. Mjeku ka sqaruar se çfarë është ky tumor dhe cilat janë simptomat e kësaj sëmundjeje. Ai ka folur më pas për rëndësinë e diagnostikimit në kohë dhe të trajtimit të kësaj sëmundje. Më pas mjeku Fabjon Mustafai u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve.

Do të flasim për tumorin rektal. Çfarë është ky tumor? Cilat janë simptomat e kësaj sëmundjeje? Cila është rëndësia e diagnostikimit në kohë dhe e trajtimit?
Tumori rektal është kanceri rektal. Është një sëmundje e keqe, siç thuhet në gjuhën popullore. Kjo sëmundje e ka origjinën nga pjesa e fundit e zorrës së trashë, pra nga rektumi. Sëmundja shkaktohet nga shumimi pa kriter i qelizave të epitelit, kryesisht, të shtresës së brendshme të zorrës së trashë. Është një patologji, e cila në ditët e sotme është shumë e përhapur. Ka një rritje edhe në moshat e reja, gjë që e bën këtë patologji edhe më problematike. Sëmundja është shumë e rrezikshme sidomos në ato raste kur zbulohet në etapa shumë të vonshme të zhvillimit të saj. Në ditët e sotme, si pasojë e përmirësimit edhe të kushteve mjekësore, të depistimit mjekësor, të terapive të ndryshme, kemi një prognozë ose një jetëgjatësi shumë të mirë sesa ajo e para 10 viteve apo e para 20 viteve. Kemi një sërë kriteresh shumë të rëndësishme, të cilat duhen ndjekur nga e gjithë popullata.

Cilat janë simptomat që paralajmërojnë këtë sëmundje?
Simptomat që shkakton tumori rektal janë: hemorragjia nga poshtë, pra defekimi me gjak, feçet e përziera me gjak ose hemorragji në fund të defekimit; një shenjë tjetër shumë e rëndësishme është edhe dhembja, por ajo shfaqet në një fazë shumë të avancuar dhe fatkeqësisht, nëse nuk i nënshtrohemi një programi depistimi, zakonisht shenjat shfaqen në një fazë shumë të avancuar të sëmundjes. Si rrjedhojë edhe trajtimi i saj është edhe më i vështirë. Prandaj mjekësia sot këshillon që të përdoren programet e depistimit, siç është kolonoskopia, e cila mund të bëhet që në moshën 50-vjeçare, një herë në 10 vite; sigmoidoskopia fleksibël, e cila është një lloj kolonoskopie por që arrin deri në sigma dhe që duhet të bëhet një herë në 5 vite. Këto janë programe më tepër preventive. Kemi edhe programe të tjera, të cilat janë për të zbuluar kancerin, siç është feçe gjak okult, e cila bëhet çdo vit, pas moshës 50-vjeçare.

Flas nga Fieri. Jam 32 vjeç dhe jam invalid. Kam vështirësi në daljen jashtë. Çfarë mund të bëj për këtë?
Gjëja e parë që zotëria duhet të bëjë dhe këtë ia këshilloj të gjithë njerëzve, kur kuptojnë që kanë çrregullime dhe vështirësi në daljen jashtë, është konsulta me mjekun specialist kirurg, i cili rekomandon ekzaminimin e duhur. Është e domosdoshme, pasi shpëtohet jeta. Në moshat e reja shkaktarët më të shpeshtë të dhembjeve gjatë defekimit dhe të djegieve pas defekimit, janë hemorroidet dhe fisurat anale, pra çarjet e mukozës anale, sidomos në moshën që ka zotëria. Ky është një problem që diagnostikohet shumë lehtë. Në këto raste ka shumë rëndësi dieta ushqimore. Edhe te kanceri i rektumit ka shumë rëndësi, por edhe te patologjitë e tjera anorektale, dieta është një faktor shumë i rëndësishëm. Një dietë me fibra është një faktor shumë i rëndësishëm për t’u mbrojtur si nga kanceri kolorektal, po ashtu edhe nga problemet ose patologjitë anorektale, siç janë hemorroidet ose majasëlli siç e thotë populli, dhe fisurat ose çarjet e mukozës anale, të cilat janë patologji të shpeshta te personat të cilët nuk marrin një dietë ushqimore ashtu siç duhet. P.sh. një dietë e përbërë me brumëra sigurisht që është një dietë që krijon feçe më të trasha dhe e bën procesin e defekimit më të vështirë. Kështu që krijon këto patologji, të cilat janë të shpeshta te moshat e reja, si te femrat ashtu edhe te meshkujt.

Pra, duhet që të kemi kujdes me brumërat?
Duhet treguar shumë kujdes me brumërat. Duhet pasur kujdes me sanduiçët, me picat. Këto lloje ushqimesh nuk duhen konsumuar ose mund të konsumohen shumë rrallë. Unë rekomandoj që të përdoren perimet dhe sidomos perimet jeshile. Gjithashtu duhet konsumohet peshku, supa, frutat e thata, frutat e freskëta dhe sa më shumë lëngje, rreth 2-3 litra në ditë.

Cila është mosha ku shfaqet më shumë kjo sëmundje?
Është mosha 40 vjeç. Kemi shumë raste kur ky kancer shfaqet para moshës 50 vjeç. Rastet janë rritur në mënyrë të frikshme. Prandaj e theksoj që, nëse një person ndjen këto simptoma: hemorragji nga rektumi, pra nga zorra e trashë, ndryshim të zakonit të defekimit, rritje të frekuencës së defekimit, diarre, diarre me mukus, dhembje të përgjithshme barku, dhembje të kërbishtit, dhembje anale ose të zorrës së trashë, duhet menjëherë që të paraqitet te mjeku. Është i detyrueshëm ky veprim, në mënyrë që të kapet sa më shpejt kjo lloj patologjie dhe sigurisht që trajtimi më pas i saj është më efikas. Gjatë ekzaminimit me kolonoskopi, merret edhe material për të bërë biopsinë. Bëhen edhe ekzaminime të tjera si skaneri abdominopelvik, nganjëherë edhe torakal, meqenëse mushkëria është një prej vendeve ku ky kancer lëshon metastaza, pas mëlçisë. Pastaj në varësi të përgjigjeve që merren nga këto ekzaminime, vendoset edhe për terapinë që do të ndiqet. Trajtimi standard është ndërhyrja kirurgjikale, pastaj sigurisht që kemi edhe kemioterapinë, e cila mund të bëhet para ose pas operacionit. Para operacionit bëhet në rastet që janë lokalisht të avancuara, për të bërë një ulje të masës tumorale. Në këtë mënyrë ulet edhe mundësia e ripërsëritjes së kancerit. Një ndër problemet më të shpeshta pas operacionit, në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë, pra brenda 3 viteve të para, është edhe rikrjimi i tumorit pelvik.

Flas nga Tirana. Kam rreth një muaj të vjella natën edhe kur ha fare pak ushqim në darkë. Kam djegie urthi dhe pas gjysmë ore ose pas një ore, e nxjerr ushqimin.
Këshilla ime për zonjën është që të konsultohet menjëherë me mjekun specialist gastrohepatolog dhe të bëjë një ekzaminim me fibrogastroskopi. Në rastin e zonjës është i detyrueshëm dhe i menjëhershëm ky ekzaminim.

Jam 58 vjeç. Para 10-15 viteve, nga sforcimi për të dalë jashtë sepse kisha gjithnjë vështirësi, më ka dalë një kokërr sa një arrë. Nuk e kam ngacmuar, por kam probleme kur dal jashtë. Nuk kam shkuar asnjëherë te mjeku për këtë problem.
Dy janë gjërat që zotëria duhet të bëjë menjëherë: e para, duhet të shkojë te mjeku kirurg dhe të bëjë ekzaminimin fillestar, i cili quhet tushe rektale. Dhe pastaj, meqë është mbi 50 vjeç, duhet të bëjë edhe ekzaminimin me kolonoskopi. Janë të detyryeshme që të dy ekzaminimet. Ka shumë mundësi që të jenë hemorroide, por duhet patjetër që të bëhen dy ekzaminimet që thashë më sipër, të cilat janë bazike dhe japin shumë ndihmë për diagnostikimin dhe për trajtimin e sëmundjes.

Edhe pse deri tani pyetjet që na janë bërë nuk kanë të bëjnë me kancerin rektal, ajo që ne mjekët vëmë re te pacientët kur na vijnë për konsultim, është se shumica vijnë gjithnjë në stadin e avancuar të sëmundjes, pra kur kanë simptoma të forta dhe vërtet shqetësuese. U këshilloj të gjithë njerëzve që nuk duhet të drejtohen te mjeku vetëm kur kanë shqetësime të mëdha. Është shumë i rëndësishëm kontrolli rutinë sepse është shumë më e lehtë ta parandalosh sëmundjen ose ta mjekoh në fazat fillestare.

Flas nga Durrësi. Unë jam diagnostikuar me kancer në zorrën e trashë dhe jam operuar në vitin 2015. Pas trajtimit radiologjik që bëra pata pak ngushtim të pjesës së poshtme të zorrës. Mjeku ndërhyri me mjetet dhe mënyrat e tij dhe kaloi me sukses. Unë jam pak i trembur se ndoshta me kalimin e viteve, zorra ngushtohet.
Pas radioterapisë ky është një komplikacion i mundshëm. Quhet stenozë. Gjatë kalimit të kohës, sigurisht edhe si pasojë e operacionit dhe e anastomozës, e kolostomisë dhe e radioterapisë, ka një stenozë ose ngushtim të anastomozës, të lidhjes zorrës më zorrë. Dhe ky është shqetësimi. Është një komplikim i njohur që ndodh pas operacionit. Fatmirësisht zotëria e ka kaluar. Sigurisht që mundësia në të ardhmen ekziston, por ka edhe mjete të cilat bëjnë zgjerimin që edhe pacienti të mos ketë shqetësime. Pra, ky është një problem që ka zgjidhje. Por kryesorja është që zotëria duhet të ndjekë protokollin postoperator, sipas përcaktimit të mjekut. Gjithashtu kujdes i madh duhet treguar në dietën ushqimore.

Flas nga Durrësi. Kam një dhembje të rrallë në anus, në fundin e zorrës së trashë. Më ka ndodhur një herë në disa muaj dhe nuk ka lidhje me defekimin. E ndiej gjatë natës. Më shoqërohet edhe me një ereksion. Dhembja më zgjat rreth 15-20 minuta dhe pastaj kalon vetë. Analizat që kam bërë me check up-in më kanë dalë mirë.
Zotëria duhet patjetër që të konsultohet me mjekun kirurg, i cili do të bëjë ekzaminimin e parë të nevojshëm, për të përjashtuar çdo lloj patologjie të kanalit anal dhe për t’u orientuar pastaj në problemin që ekziston. Por fillimisht, meqenëse dhembja shfaqet në atë zonë, duhet përjashtuar çdo lloj patologjie e kanalit anal, ku përfshihen hemorroidet, çarjet anale, fistulat.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare