Kenga 'Moj e Bukura More' origjinale
zbulohet në dorëshkrimet e Kieutit

Kenga 'Moj e Bukura More' origjinale<br />zbulohet në dorëshkrimet e Kieutit
Të hartosh një Antologji të poezisë arvanitase, është një punë e vështirë, duke ditur që arvanitasit e Greqisë, gjithmonë kanë qenë nën trysninë e racizmit shtetëror grek.

Nën një presion të tillë, ata me shumë sakrifica ruajtën gjuhën, kulturën e tyre shqiptare, si dhe në fillim të viteve 1980 themeluan Lidhjen e Arvanitasve të Greqisë. Kjo shoqatë filloi të botonte revistën BESA dhe Kalendarin Vjetor, në faqet e të cilave pasqyroheshin pjesë nga jeta arvanitasve. Për këtë Antologji, ne shfrytëzuam pikërisht arshivën e Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë, duke bërë një përzgjedhje të kujdesshme të poezisë arvanitase gojore dhe asaj të shkruar.

Në shumicën e rasteve poezitë na janë sjellë të shkruar në gjuhën shqipe jo nga autorët e tyre por nga mbledhësit. Një problem i poezisë arvanitase është se shpeshherë autorët nuk kanë vënë emrat e tyre, por i kanë botuar pa emra ose thjesht me emrin një arvanitas i Greqisë.

Një pjesë e mirë e krijimeve poetike arvanitase janë pa titull dhe neve na u duk më e arsyeshme që t’i sillnim ashtu siç i kemi gjetur. Gjithashtu zgjodhëm ato krijime të cilat kanë vlera të larta artistike dhe nxjerrin në pah karakterin e vërtet të arvanitasve. Në të shumtën e rasteve poeti arvanitas, përmes vargjeve ka shprehur gjithçka rreth ndodhive të jetës së tij.

Kërkimi për të gjetur poezinë arvanitase të shkruar është çështje tepër e vështirë, por ia vlen mundimi të merret njeriu me to, për pasurimin e mëtejshëm të kulturës sonë kombëtare.

Si përfundim dua të shtoj se ky libër është i pari i këtij lloji dhe shpresojmë që mos të mbetet i vetëm, por le të jetë një shkëndijë dhe nxitje e mëtutjeshme për punën e studiuesve që merren me çështjen e arvanitasve.

Shumë mendime ka rreth poemës O E BUKAR MORE, ku secili jep mendimet e veta.

Kjo poemë e përcjell gojarisht dhe e shtuar shumë vite më vonë ka këtë histori.

Në vitin 1534 rreth 20.000 mijë arvanitas me në krye kapitenin Andrea Doria largohen nga Korona e Moresë në drejtim të Italisë së Jugut. Largimit të kësaj mase të madhe të popullsisë arvanitase nga trojet dhe shtëpitë e tyre u kushtohet poema “O e bukura More”. Për fat të keq ende nuk dihet autori që e krijoi këtë poemë e cila u kthye në himn për të gjithë popullin arbër. Por, për herë të parë poema “O e bukura More” u gjet e shkruar në vitin 1708, në dorëshkrimet e Kieutit. Filologu arbëresh Dhimitër Camarda (1821-1882), do ta ribotonte në vitin 1866, këtë vjershë në gjuhën shqipe por me shkronja greke në librin “Appendice al Saggio di Grammatologia Comprata Sulla Lingua Albanese”.

Petkat e të mirat tona

Na i lam te Korona

Papën na kemi me ne

Oj e bukura More!

Thell të plast, me lot ndër si

Na të lipisnjëm, Arbëri!

Malet tan me lis e driza

Të bukur sheshe me muriza

Të bukur kroje, të bukur gropa

Të bukur gjerdhe me fallopa!

Jemi e vemi ndë Itali

E më s’ju shomi me këta si!

Dherat të huaj hare s’kan

Se s’mbllin printët tan

Prindë, luftuat me thik më dor

Ndërpër shi e ndëpër bor

Ni ju lëm pa një qiri

E pa një vajim. Oj Arbëri!

Luajtim valle nd’atë More

Shtum kangjele ndë ato hje

Klisht e tona të bukuruara

Shpizit tona të nderuara!

Ni vjen Turku, Turku i zi

E tërpron klish e shpi

Qeti: Shihni jet e re,

Na tha Dorja, zoti Ndre,

Lipim qellnjëm ka do vemi

Se buartim mallin e s’e kemi

Me kët zemër, me këta si

Klajëm keq kët Arbëri!

Ndallandishe e ler e ler

Kur të vish ti njatër hjer

Vjen të vish ti te Korona

E s’gjën më shpit e tona!

Më së gjën trima hajdhjar

Po ngë një qen, çë kloft i vrar!

Kur u nistin gjith anit

E dherat tan iktin ka sit

Burrat gjith me një vajtim

Thirrtin grat me një vajtim,

Dil e hana ti, Stihji!

Oj More! Oj Arbëri!

(Marrë nga libri “Antologjia e Poezisë Arvanitase”, autor, Teuta Kamberi-Llalla, botuar në Tetovë, 2008)

Redaksia Online
(s.m/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

'I fali 6 milje det, në fund donte t'i falte Himarën' Kreshnik Spahiu: Berisha edhe në aleancë me Athinën nuk fitoi dot

'I fali 6 milje det, në fund donte t'i falte Himarën' Kreshnik Spahiu: Berisha edhe në aleancë me Athinën nuk fitoi dot