Qershori ka nisur me një super koncert në Sheshin “Skënderbej. Këngëtari i famshëm shqiptar Ermal Meta erdhi mbrëmjen e kësaj të shtune me një koncert për të gjithë adhuruesit e tij të cilët kishin mbushur sheshin.
I pranishëm ishte dhe ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, i cili teksa falenderoi Ermal Metën, vlerësoi edhe kryebashkiakun Erion Veliaj, të cilin e cilësoi si “Kryebashkiakun më simpatik të Europës”.
“Jam shumë i lumtur që sonte jemi bashkë me Erionin, Kryebashkiakun më simpatik të Europës dhe me Ermalin, fitues i festivalit të San Remo-s. Duke qenë se sot janë shumë italianë, i përshendes të gjithë, edhe Klubin”Vespa”, edhe “ujqërit dhe ulkonjat” dhe natyrisht jemi këtu për Ermalin. Është e mrekullueshme të festojmë festën e Republikës me të (Ermalin) dhe t’i themi sesa shumë ne italianët, shqiptarët jemi të kënaqur me suksesin e tij dhe krenar për shembullin që jep për miqësinë shqiptaro-italiane”.
Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo
Ndërsa kryebashkiaku Veliaj theksoi se Ermal Meta është shembulli për të kuptuar në fakt që miqësia mes popujve, Shqipërisë dhe Italisë, është miqësi mes njerëzve. Ai tha se Ermal Meta përfaqëson ata të rinj shqiptarë të cilët ia kanë dalë që falë punës dhe talentit të tyre të arrijnë suksesin.
“Sot në Tiranë patëm një moment special me Ermalin, patëm një bisedë me shumë studentë ku na tregoi historinë e jetës së tij dhe besoj që për të gjithë të rinjtë ishte një moment frymëzimi se si dikush edhe pse nuk ka mbiemër të njohur, edhe pse nuk vjen nga një familje e madhe, edhe pse nuk e ka shtruar njeri tapetin e kuq, edhe pse nuk ia ka hapur njeri portën arrin të bëhet i madh me shumë punë dhe me shumë talent. Një shembull frymëzimi për të gjithë”.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj
Këtë verë Tirana do të jetë stacioni i yjeve të muzikës botërore. Të dielën Sheshi “Skënderbej” do të digjet sërish nga energjia e Kidës dhe që do të kulmojë me performancën e shumëpritur nga gjithë shqiptarët të këngëtares me famë botërore, Rita Ora.