Mikrofoni është një mjet që shërben për të përcjellë më qartë zërin dhe për të realizuar një komunikim më të mirë publik. Ai është një instrument për të transmetuar ide, mendime dhe mesazhe te audienca.
Mirëpo, pikërisht këtu nis edhe keqkuptimi. Mikrofonit i janë turrur të gjithë: protestues e foltoristë, gazetarë e analistë, politikanë e aktivistë. Pavarësisht nëse kanë diçka me vlerë për të thënë apo jo. Pavarësisht nëse dinë të flasin apo jo. Pavarësisht nëse zotërojnë aftësinë për të bindur të tjerët apo jo.
Shumë e konsiderojnë mikrofonin si një mjet magjik, përmes të cilit investojnë për të ardhmen e tyre publike. Besojnë se çdo dalje para kamerës apo audiencës u shton autoritet, ndikim dhe reputacion. Por rrallëherë mendojnë se ai mund të jetë edhe investimi i tyre më i keq.
Sepse mikrofoni nuk i fsheh mangësitë, përkundrazi, i zmadhon ato. Ai nxjerr në pah varfërinë e mendimit, mungesën e kulturës, paaftësinë për të artikuluar, fjalorin e kufizuar dhe mungesën e një logjike të strukturuar. Çdo dalje publike bëhet një provim, rezultati i të cilit mbetet në kujtesën e publikut.
Edhe pse përdorimi i mikrofonit është masivizuar në televizione, aktivitete publike e politike, hapësirës publike shqiptare vazhdojnë t'i mungojnë oratorët e vërtetë, ata njerëz që me fjalën e tyre ngjallin besim, frymëzojnë dhe u japin peshë ideve.
Një ditë, teksa po shëtisja pranë shkollës "Wilson", buzë Parkut të Liqenit, dëgjova një person që fliste me zë të lartë, sikur po mbante një fjalim. Mendova se po debatonte me dikë, por në fakt po bënte prova me veten. Dy orë më vonë, kur hapa televizorin për të parë lajmet, dëgjova po ato fjali, me të njëjtin ritëm dhe të njëjtat intonacione. Ishte deklarata e një prej politikanëve të rinj, që për një dalje disa minutëshe kishte kaluar orë të tëra duke e ushtruar.
Nuk është domosdoshmërisht problem pasi edhe oratorët më të mëdhenj përgatiten. Problemi lind kur dikush beson se mjafton ta mbash mikrofonin në dorë për t'u bërë i besueshëm. Mikrofoni nuk krijon autoritet, ai vetëm e amplifikon atë që je. Nëse ke ide, bëhesh më i dëgjueshëm Nëse ke boshllëk, shndërrohesh në person i padurueshëm
Prandaj mikrofoni mbetet një nga keqkuptimet më të mëdha të jetës publike shqiptare. Shumë politikanë mendojnë se me çdo dalje po forcojnë pozitat e tyre në sytë e publikut. Në të vërtetë, shumë prej tyre nuk po ndërtojnë reputacion, por po çimentojnë një imazh që më pas do ta kenë pothuajse të pamundur ta ndryshojnë./TemA
Komente










