Një histori që eksploron përkthimin e traumës dhe udhëtimin e një gruaje drejt njohjes së vetvetes ka si subjekt libri “Keqkuptimi” i autores Ledia Xhoga, të cilin autorja e ka prezantuar këtë të mërkurë edhe në Shqipëri për bashkatdhetarët e saj. E pranishme në Tiranë, Xhoga, e cila prej vitesh jeton në Nju Jork, ka rrëfyer historinë e ngjizjes së këtij libri, ku shumëkush gjen ngjashmëri edhe me historinë personale. Autorja tregon se shkrimi ka qenë gjithnjë një thirrje e brendshme për të.

 “Unë punoja në shtëpi botuese në Nju Jork për shumë vite dhe sa herë që punoja gjithmonë i thosha vetes duhet t'i kthehem shkrimit. Punoja në shtëpi botuese që merrej me libra, librat shkencorë dhe  udhëtoja shumë. Udhëtoja në Gjermani, në Kaliforni gjithandej dhe me atë punë që kisha ishte shumë e vështirë që të shkruaja.”, tregon Xhoga.

Megjithatë, rruga drejt romanit nuk ka qenë e lehtë. Shkrimtarja kujton periudhën e gjatë të pasigurisë.

“E lashë punën, lashë të ardhurat…"

Artistja shkroi një roman që nuk e pa dritën e botimit, pasi nuk ishte e sigurt.

"Krijoja dhe pastaj kisha vështirësi t’i kthehesha romanit, ngaqë më ishte bërë si ajo gjëja që kisha dështuar.”, vijon shkrimtarja.

Por “Keqkuptimi” ngjan se ishte momenti fatlum për të.

“Ideja erdhi nga një eksperiencë vullnetare si përkthyese për një organizatë që ndihmonte të mbijetuar torturash", vijon Xhoga. 

Edhe pse nuk vazhdoi të bënte përkthyesen, ajo përvojë ndezi pikënisjen e romanit.

“Mendoja se çfarë lloj personi mund ta bëjë këtë punë… Mendova që ajo duhet të ishte shumë e fortë,” tregon Xhoga.

Gjatë shkrimit, personazhi filloi të merrte formë më të thellë.

“Kuptova që nuk ishte thjesht e fortë. Ajo nuk kishte aftësi të kuptonte vetveten… Ishte një udhëtim i një personazhi që po arrin të kuptojë dobësitë e veta", thekson shkrimtarja.

Autorja ndalet edhe te kontrasti mes vetes reale dhe asaj ideale: “Jam vetja që jam, dhe jam edhe ajo që duhet të jem… ndërsa ky personazh nuk e kishte këtë hapësirë. Ajo bënte gjithmonë atë që duhej.”

Pas shumë vitesh angazhim në botime, teatër dhe dokumentar, Ledia Xhoga tashmë ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. “Keqkuptimi” ishte një ndër librat e nominuar për “Booker Prize” këtë vit, ndërkohë që tashmë ajo po punon për një roman të ri.