TIRANE- Mos ushqyerja si duhet vazhdon të shkaktojë viktima të shumta në fëmijë në vendin tonë. Një raport i UNICEF, i publikuar gjatë ditës së djeshme ka nxjerrë në dritë të dhëna të frikshme, ku çdo vit në Shqipëri vdesin mbi 300 fëmijë nga kequshqyerja.

Ekspertët e Shëndetësisë thonë se në të paktën gjashtë muajt e parë të vitit foshnjet duhet të ushqehen me qumësht gjiri, pasi kjo ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e mëvonshme mendore dhe fizike të fëmijës. Pikërisht këtu do të fokusohet edhe fushata që ka lancuar Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF-i, mbi mënyrat e reja të ushqyerjes të foshnjave që në bark të nënës dhe pas lindjes. Sipas shefit të UNICEF-it, Detlef Palm tha se kequshqyerja në Shqipëri veç kostos së madhe me humbje jete, sjell një kosto vjetore për shtetin prej 100 milionë dollarësh në vit.

"Prapambetja në rritje është kur fëmijët nuk zhvillohen mirë intelektualisht dhe emocionalisht, por dhe kanë deficienca fizike. Prapambetja në rritje është rrjedhojë e deficiencës kronike të të ushqyerit gjatë 1 mijë ditëve të para të jetës së fëmijës. Këto dëmtime nuk mund të trajtohen por mund të parandalohen me një kosto të vogël. Kequshqyerja sjell 1/3 e vdekjeve tek fëmijët shqiptarë. Ekonomisë kombëtare shqiptare i kushton 100 milion dollarë, ndërsa për çdo dollarë të investuar në lidhje me mirëushqyerjen shteti fiton 16 dollarë. Pra kostoja e parandalimit sjell fitime", - tha Detlef Palm, drejtor i UNICEF për Shqipëri.
(sg/shqiptarja.com)