PENIANI - Në vazhdim të kërcënimeve bërthamore të Koresë së Veriut, Ministri i Mbrojtjes japoneze ka dhënë urdhër për vendosjen e baterive anti-raketa Patriot në qendër të Tokios, dhe në disa pika të ndryshme të qytetit metropolitan.

Tokio gjithashtu ka vendosur edhe në detin e Japonisë dy anije të mëdha luftarake Aegis të pajisura me kundër- raketa.

Ndërkohë në mëngjesin e së martës, punonjësit koreanoverior nuk janë paraqitur në kompleksin industrial të Kaesong-ut. Peniani njoftoi të hënën se është duke tërhequr më shumë se 50 mijë punëtorë nga objekti Kaesong, lidhja e fundit e drejtpërdrejtë ekonomike me fqinjin e saj jugor.

Presidentja e Koresë së Jugut tha se mbyllja e Kaesong do të minojë besueshmërinë industriale në nivel ndërkombëtar. Kur Koreja e Veriut nuk respekton rregullat ndërkombëtare, si duke marrë vendime në mbylljen e zonës industriale, ansjë vend i botës nuk duhet të investojë sërish në Korenë e Veriut shtoi Zonja Park Gyen hye.

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se çdo konflikt në gadishullin korean mund të jetë më keq se katastrofa bërthamore e Çernobilit më1986 dhe se shpresonte se të gjithë do të "qetësohen dhe të punojnë së bashku."

Ndërsa një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë Washington, vlerësoi veprimet e bëra nga Rusia dhe Kina për të lehtësuar krizën me Korenë e Veriut.

(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)